Mashtrim me “kursin e anglishtes”, qytetari humbet 2 mijë euro për një dokument që nuk ekzistonte
Një 45-vjeçar, i kthyer nga Anglia në vitin 2023, ka rënë pre e një mashtrimi, pasi pagoi 2,000 euro për një dokument gjoja zyrtar që do t’i duhej për punësim jashtë vendit.
Sipas dëshmisë së tij për “Piranjat”, mashtruesja, e cila prezantohej si ndërmjetëse për kurse gjuhësh, i premtoi se do t’i siguronte “shpejt” certifikatën e gjuhës angleze, në këmbim të një pagese të majme. Pagesa u krye në dy këste një herë 1,800 euro fillimisht dhe 200 euro më vonë, të dorëzuara përmes një taksisti që shërbente si korrier i saj.
Pas marrjes së shumës, gruaja filloi të shmangte kontaktin, duke justifikuar vonesat me probleme personale dhe udhëtime jashtë vendit. Pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe provave që qytetari ruajti (video dhe mesazhe telefonike), diploma e premtuar nuk iu dorëzua kurrë dhe paratë nuk u kthyen.
Taksisti i përfshirë në dorëzimin e shumave deklaron se nuk e njeh personalisht gruan, por ka vepruar vetëm si ndërmjetës pas porosisë së saj. Ndërkohë, viktima ka dorëzuar provë materiale të komunikimeve, duke e cilësuar rastin si mashtrim të plotë ekonomik.
Ky është një tjetër shembull i skemave të reja të mashtrimit, ku premtimet për dokumente “të shpejta” dhe “pa radhë” shfrytëzojnë besimin e qytetarëve që kërkojnë mundësi pune jashtë vendit.
Autoritetet inkurajohen të hetojnë rastin, ndërsa qytetarët këshillohen të verifikojnë çdo ofertë trajnimi apo dokumentacioni përpara se të kryejnë pagesa./Emisioni “Piranjat”














