Biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli, ka dalë pas gati tre orësh nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, ku u mor në pyetje në kuadër të një hetimi që lidhet me ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Pacolli deklaroi për mediat: “Besoj shumë në drejtësi dhe vendimet e gjyqësorit, do të veprojë në bazë të vendimit të tij.” Ai shtoi gjithashtu: “Aeroporti do të bëhet, do të jetë më i bukuri.”
Sipas raportime në media biznesmeni është thirrur nga organi i akuzës për të dhënë sqarime rreth projektit të aeroportit, që ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të mosmarrëveshjeve me ortakët e tij, pjesë e koncesionarit që po zhvillon këtë projekt.
Çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës?
Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që SPAK ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.
Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve, Yda , të cilët i shitën 47% të aksioneve të tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë që t’i kalonin atij 47% të aksioneve.
2A Group e Ademit kërkon të njihet si pronare e 49% të aksioneve në total, duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.
Gjithashtu 2A Group ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.
Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.
LEXO EDHE
Biznesmeni Behgjet Pacolli paraqitet në Prokurorinë e Tiranës
 
	    	















