Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Enea Kumen, vëllain e deputetit socialist Loer Kume. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës, duke vepruar si vëzhgues në bashkëpunim me Aldo Avdylin.
Në të njëjtën seancë, Apeli ka konfirmuar masën e arrestit me burg në mungesë për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”. Masa është lënë në fuqi edhe për vëllain e tij, Vullnet Muça, si dhe për shtetasin Vlash Brahja. Të tre këta persona janë të dyshuar për përfshirje në një skemë të tjetërsimit të pronave në zonën e gjirit të Lalzit.
Zbardhja e vrasjes së Edmir Bregut
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), zbardhja e vrasjes së Edmir Bregut u bë e mundur përmes përgjimeve të siguruara nga aplikacioni i komunikimit të koduar Sky ECC. Nga hetimet rezulton se Bregu, i njohur edhe me emrin Ilir Kuçi, është ekzekutuar për motive hakmarrjeje. Dyshohet se porositësi i vrasjes ka qenë Astrit Avdylaj, si hakmarrje për një tentativë për vrasjen e nipit të tij, Aldo Avdylaj.
Ngjarja ndodhi më 23 janar 2023 në lagjen nr. 16 të Durrësit, ku Edmir Bregu, 32 vjeç, me origjinë nga Kukësi dhe banues në zonën e ish-Kënetës, u qëllua me dy plumba – një në kokë dhe një në gjoks – sapo zbriti nga automjeti i tij tip “Porsche Cayenne”.
Tjetërsimi i pronave në bregdetin e Durrësit
Hetimet e SPAK kanë zbuluar një tjetër skemë kriminale që lidhet me përvetësimin e paligjshëm të pronave shtetërore në bregdetin e Durrësit. Ky hetim u nxit nga dokumente të gjetura në automjetin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, ditën kur ai u plagos në një atentat në nëntor të vitit 2019, ndërsa ndodhej në shoqërinë e Aleksandër Lahos.
Sipas SPAK, në krye të këtij grupi kriminal që merrej me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë ishte Aleksandër Laho. Bashkë me të, pjesë e grupit dyshohet të jenë edhe Vullnet Muça, Astrit Avdylaj (alias Astrit Balliu) dhe Vlash Brahja.














