Seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është shtyrë për datën 11 nëntor. Vendimi erdhi pasi gjykata refuzoi kërkesën e mbrojtjes për të përjashtuar nga procesi palët e dëmtuara dhe për të marrë si provë dëshmitë e 9 ushtarakëve amerikanë.
Seanca e sotme u shoqërua me momente të forta tensioni. Debatet nisën pas kërkesës së avokatëve të Mediut për shfuqizimin e vendimit të mëparshëm që njihte si palë të dëmtuar familjarët e viktimave të shpërthimit në “Gërdec”. Sipas mbrojtjes, ish-ministri nuk akuzohet për shpërthimin, por vetëm për “shpërdorim detyre”.
Ky argument ngjalli reagime në sallë, ku një prej familjarëve të viktimave, anëtar i familjes Durda, ndërhyri me tone të ashpra dhe iu drejtua ish-ministrit me fjalët: “Fatmir, lëre mandatin dhe përballu me ligjin.”
Pas një ndërprerjeje të shkurtër, avokatët e Mediut kërkuan përjashtimin e gjyqtares Etleva Gjoka, duke e akuzuar për njëanshmëri në gjykim.














