Në seancën plenare të ditës së sotme po shqyrtohet nisma e opozitës për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Demokratët pretendojnë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
Më konkretisht, sipas PD, Peleshi ka thirrur mbledhjen e Kuvendit për ndryshimin e rregullores si dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pa respektuar afatin e parashikuar, iu ka hequr të drejtën për të folur deputetëve dhe kreut të Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe nuk ka mundësuar prezantimin e programit qeverisës. Bardhi s’do të jetë as sot në seancë për shkak të përjashtimit.
Deputeti demokrat Ivi Kaso, gjatë fjalës së tij, tha se PD me këtë nismë nuk synon që të ndëshkojë një person të vetëm, por sipas tij, kërkon që Kuvendi të rifitojë rolin e tij si garant i pluralizmit.
Ivi Kaso: Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës i opozitës. Është thirrje për një përpjekje për të ndalur një rëshkitje të rrezikshme të këtij Kuvendi drejt një modeli të një institucioni të heshtuar dhe të nënshtruar. Nuk jemi këtu për të kërkuar ndëshkimin e një personi, por rikthim të standardeve institucionale në një vend demokratik.
Kërkojmë që Kuvendi të rifitojë rolin e tij si garant i pluralizmit. Me shkresën që ju relatuat, 36 deputetë të Grupit Parlamentar të PD kanë paraqitur kërkesën më objekt “Shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi”. Në këtë raport janë paraqitur të gjitha shkeljet e konsumuara nga Peleshi gjatë seancave plenare të datës 16 dhe 18 shtator të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.














