Dorian Kongoli, djali i shkrimtarit tonë të shquar Fatos Kongoli, është ndarë nga jeta ditën e sotme.
Dorian Kongoli ishte vetëm 47-vjeç dhe jetonte në Nju Jork. Duke ndjekur ‘gjurmët’ e të atit, i ndjeri ishte shkrimtar vetë. Ai shkruante me pseudonime dhe jo me emrin e tij, ndërsa në SHBA ushtronte profesionin e policit.

Në muajin Korrik 2025, familja dhe një organizatë për mbledhjen e fondeve publikuan rastin e Dorian Kongolit dhe bënë me dije se ai po luftonte me kancerin e veshkave në fazën e 4.
Në shqip ka qarkulluar një roman i tij me titull “Transplanti i jetës”. Shtëpia botuese Toena dha lajmin në Facebook dhe tregon se romani i fundit i Dorianit ishte në proces botimi.
Postimi i plotë:
Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për largimin nga jeta të DORIAN KONGOLIT, djalit të shtrenjtë të autorit të madh Fatos Kongoli, në moshën 47-vjeçare.
DORIAN KONGOLI jetonte e punonte në NJU-JORK prej më shumë se 25 vjet. Aty kishte ndërtuar familjen e tij të mrekullueshme dhe karrierën e tij të shkëlqyer në radhët e policisë nju-jorkeze.
Prej disa vitesh ai është shfaqur në faqen e Amazon.com edhe si autor romanesh, të botuara me pseudonimin Dorian Keys:
– Imprint legacy, 2019
– Morning star, 2020
– Yesterday’s Tomorrow: Big Brother Has Evolved, 2022
Në shqip ka qarkulluar deri tani vetëm një nga romanet e tij, titulluar “TRANSPLANTI I JETËS” (TOENA, 2020).
Në proces botimi është edhe romani i tij i fundit “E ardhmja e së djeshmes: Vëllai i Madh ka ndryshuar pamje.”
Pritja për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për t’u takuar me Fatos e Liri Kongoli do të kryhet në mjediset e Shtëpisë Alba, në rrugën e Durrësit
E premte, 31 tetor paradite 10:00-13:00; pasdite 17:00-20:00
E shtunë, 1 nëntor paradite 10:00-13:00; pasdite 17:00-20:00
Shpirti i tij pushoftë në paqen e përjetshme!













