Në një vendim unanim, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar vendimet e KQZ-së dhe KAS-it, duke i dhënë të drejtën Gjergji Nikës të kandidojë si i pavarur për Bashkinë Vlorë në zgjedhjet e 9 Nëntorit 2025.
Me votim 5–0, Kolegji Zgjedhor ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili më herët kishte refuzuar regjistrimin e Nikës si kandidat të pavarur.
Në një reagim, Nika e cilësoi vendimin si një fitore e drejtësisë mbi presionet politike.
Reagimi i Gjergji Nikës:
Fitore e drejtësisë mbi presionet politike!
Sot, Kolegji Zgjedhor me vendim unanim 5–0 rrëzoi vendimet e KQZ-së dhe KAS-it, duke vulosur të drejtën time për të garuar si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 9 Nëntorit 2025 për Bashkinë Vlorë.
Ky vendim vjen pas presioneve të shumta dhe përpjekjeve të hapura nga partitë e mëdha për të penguar një zë të pavarur në garë.
Por drejtësia foli qartë: askush nuk mund të ndalojë vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kjo nuk është thjesht një fitore personale — është një fitore për çdo qytetar që nuk pranon të komandohet nga partite, por kërkon ndryshim, ndershmëri dhe zë të lirë për Vlorën.
Unë hyj në këtë garë me forcën e besimit tuaj dhe me vendosmërinë për ta kthyer politikën te njerëzit, jo te partitë.














