Një shqiptar është dënuar me 20 muaj burg në Britaninë e Madhe pasi u kap në qendër të Londrës gjatë një shkëmbimi droge me një klient.
I riu, Adi Skura, 22 vjeç dhe pa vendbanim të përhershëm, u shpall fajtor për posedim me qëllim furnizimin e lëndëve narkotike të klasit A, pasi policia e Londrës e kapi në flagrancë duke shpërndarë kokainë.
Ngjarja ndodhi më 18 shtator 2025, në zonën Garlick Hill, ku oficerë civilë të Ekipit Proaktiv të Hetimit të Krimit vunë re shqiptarin duke bërë një shkëmbim të dyshimtë me një burrë. Pas ndërhyrjes, ai u arrestua në Rrugën Cannon, ku gjatë kontrollit iu gjetën 20 qese kokaine dhe 270 paund para të gatshme.
Sipas mediave britanike, Skura furnizonte me kokainë klientë të shtresave të larta, përfshirë edhe bankierë e profesionistë londinezë.
Detektivi James Crellin nga Departamenti i Hetimeve Penale në Policinë e Qytetit të Londrës tha se operacione të tilla synojnë të godasin rrjetet e shpërndarjes së drogës dhe të frenojnë përhapjen e saj në zonat elitare të qytetit.
“Po identifikojmë dhe kapim në mënyrë proaktive shkelësit. Këto përpjekje pastrojnë rrugët dhe dërgojnë një mesazh të qartë: kushdo që merret me drogë të klasit A do të përballet me drejtësinë,” – tha Crellin.
 
	    	















