Një baba nga Peqini iu drejtua emisionit “Stop” i shqetësuar për fatin e fëmijëve të tij. Pas ndarjes, ish-bashkëshortja e tij nuk i çon fëmijët në shkollë dhe sipas tij, ata shpesh dalin për të lypur. Babai denoncon gjithashtu se vajza e vogël është regjistruar me emrin e një burri tjetër, ndonëse ai është prindi biologjik.
“Stop” shkon në Peqin ku konstaton se gjatë orarit të mësimit fëmijët ndodheshin në shtëpi dhe jo në shkollë. Në bisedë me nënën, ajo tha se punon herë pas here dhe se fëmijët shkojnë në shkollë me raste.
Qytetari: Si je?
Ema Qazimi: Ça bone?
Qytetari: Si kalove?
Ema Qazimi: Si je? Mirë?
Qytetari: Kemi një ditëlindje e vijnë ca çuna nga Londra dhe thanë “merr edhe Emën”. Kanë edhe DJ ata. Nga ora 9 e gjysmë, 10 deri nga ora 1-2 maksimumi.
Ema Qazimi: Po!
Qytetari: Je e lirë, s’je e lirë…?
Ema Qazimi: Po, në datë 5, po. Krejt datat të zëna i kam mbrapa. Jam për në Itali, për në Zvicër, andej.
Qytetari: Po kështu si vete? Nga sa merr kështu, tani, për…
Ema Qazimi: Tani që do iki më datë 8-të e kam lënë 1000 euro. 1000 euro plus ça do hedhin. Hë, ça thonë çunat?
Qytetari: Për çmimin thonë. Sa do?
Ema Qazimi: Pyeti njëherë 800-nd, janë të kënaqur? Për ju, 800-nd!
Qytetari: Po unë atë çunin tënd e kisha parë këtu moj, në bulevard.
Ema Qazimi: Po ça të bëja, mo?!
Qytetari: Atëherë kur lypnit?
Ema Qazimi: Mua më ka mbajtur ajo punë.
Qytetari: Kjo e lypura?
Ema Qazimi: Po!
Qytetari: Që dilje me fëmijët?
Ema Qazimi: Më ka mbajtur, nuk e ul dot poshtë. S’kam pasur punë tjetër përveç asajt.
Qytetari: Po ti, sa fëmijë ke? Ke katër copë?
Ema Qazimi: 4!
Qytetari: Po ik në shkollë thuaji, mos rri pa ikur!
Ema Qazimi: Po nuk ikin hë, nuk ikin.
Qytetari: Po ata të shkollës, nuk të thonë gjë që pse s’i sjell?
Nga verifikimet rezulton se gruaja, Ema Skënder Qazimi, përfiton kemp për prapambetje mendore të moderuar, ndonëse është e aftë për punë. Sipas dokumenteve, ajo e ka marrë këtë përfitim që nga koha kur komisionet funksiononin me sistemin e vjetër në Tiranë, ndërsa aktualisht është në sistemin biopsikosocial.
Punonjësja: Ema Skënder Qazimi? Është niveli i dytë i moderuar, prapambetje mendore.
Gazetarja: Niveli i dytë i moderuar, prapambetje mendore.
Punonjësja: E ka pas marrë nga komisioni i Tiranës, kur ka qenë me sistemin e vjetër, kurse aktualisht është nga biopsikosociali.
Punonjësi: Nga Elbasani.
Prapambetja mendore e moderuar përkufizohet si një çrregullim, që shoqërohet me kapacitet intelektual nën mesataren dhe vështirësi në përshtatjen me aktivitetet e përditshme, duke e kufizuar pjesëmarrjen në tregun e punës. Në takimin me gazetaren zonja fillimisht mohoi se merrte pagesë KEMP-i dhe nuk mbante mend diagnozën e saj.
Në fund, ajo deklaroi se vuan nga epilepsia. Lidhur me vajzën e vogël, pranoi se e ka regjistruar me emrin e një babai tjetër duke shpjeguar se e ka bërë këtë për të shmangur pengesat që ish-bashkëshorti i krijonte për udhëtimin jashtë Shqipërisë.
/Emisioni “Stop”














