Prokuroria e Apelit ka shpallur pretencën për mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar për rastin e vdekjes së Doriana Hakës, bashkëshortes së portierit të Partizanit, Alban Hoxha, e cila humbi jetën në nëntor të vitit 2014, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Për gjinekologun Petrit Rexhepi, Prokuroria kërkoi 9 muaj burg, por për shkak të moshës mbi 70 vjeç, kërkoi që dënimi të pezullohet dhe të vendoset në shërbim prove për 18 muaj.
Gjatë kësaj periudhe, ai duhet të qëndrojë në kontakt me shërbimin e provës dhe të mos kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, Prokuroria kërkoi që Rexhepit t’i pezullohet licenca për 5 vite.
Ndërkohë, për reanimatoren Elona Burba u kërkua 1 vit burg dhe pezullim i licencës për 5 vite.
Në 10 nëntor, kur do të zhvillohet seanca e radhës, pritet që mjekët të paraqesin argumentet e tyre mbrojtëse.
Shkalla e Parë e Gjykatës së Tiranës i kishte shpallur fajtor dy mjekët për veprën penale mjekim të pakujdesshëm dhe i dënoi vetëm me 4 milion lekë të vjetra gjobë.
EKSPERTIZAT MJEKO-LIGJORE
Në Dhjetor të vitit 2014, në maternitetin “Koço Gliozheni”, Doriana Haka lindi një djalë përmes operacionit. Por fatkeqësisht, 24 orë më pas gjendja e saj rëndohet. Doriana ndërroi jetë pas 15 ditësh në pavionin e neurologjisë në QSUT.
Një muaj para lindjes, kardiologia Sonila Bele konstatoi një problem me zemrën e vajzës, pas të cilit, ajo duhet të merrte hollues gjaku. Por para momentit të lindjes kontrollet nuk iu bënë, për të vendosur që edhe kardiologia të merrte pjesë në ndërhyrje për të mbajtur nën kontroll gjendjen e Dorianës.
Pas humbjes së jetës, u regjistrua vepra penale për dy mjekët e maternitetit, anestezisten Elona Burba dhe mjekun Petrit Rexhepi. Dy akt-ekspertimet konstatuan se moskryerja e analizave para operacionit, ishte shkaku i vdekjes së të resë.
Ekspertët mjekoligjorë Arben Lloja dhe Elmaz Shaqiri kanë konstatuar ndër të tjera se konsulta mjekësore e ekipit kirurgjikal dhe anestezist nuk është kryer. Mjekët e konsultës dhe anestezistja nuk janë njohur me problemet e zemrës që kishte Doriana. Nuk janë zbatuar procedurat mjekësore të regjimit spitalor në rastin e shtrimit të planifikuar dhe përgatitjes për operacion të të ndjerës. Shkak i përkeqësimit të gjendjes së pacientes ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit në anën e tij të majtë. Rzulton që me shumë gjasa shkaku i vdekjes së pacientes Doriana Haka mund të ketë qenë arresti kardiak.
Edhe në akt ekspertimin e dytë, mjeku ligjor Sabri Hoxha ka konstatuar të njëjtat mangësi si dy kolegët e tij në akt ekspertimin e parë.














