Indinjata po rritet çdo ditë ndaj gjendjes së trupave të palestinezëve të kthyer në Rripin e Gazës nga Izraeli. Që prej 13 tetorit 2025, 195 trupa janë dorëzuar në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin, me raportin 15 trupa për çdo peng izraelit të vdekur të kthyer. Deri tani, vetëm rreth 50 prej tyre janë identifikuar me siguri, ndërsa rrethanat e vdekjes së pothuajse 200 palestinezëve mbeten të paqarta.
Megjithatë, një fakt është i padiskutueshëm: shumica dërrmuese e trupave mbajnë shenja torture. Sipas shërbimit të mjekësisë ligjore të spitalit Nasser në Khan Younis, “pothuajse të gjithë” të ndjerët “janë ekzekutuar”.
Trupat e kthyer nga baza ushtarake izraelite Sde Teiman
Sipas The Guardian, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Mounir al-Bourch, dhe një zëdhënës i spitalit Nasser, kanë konfirmuar se nga dokumentet brenda qeseve mortore rezulton që trupat vijnë nga baza ushtarake izraelite Sde Teiman, në shkretëtirën e Negevit. Kjo bazë përdoret si qendër mbajtjeje për gazasit dhe depo për trupat e tyre. Burime mediatike izraelite dhe ish-roje burgu kanë pohuar se Izraeli ruan rreth 1 mijë e 500 trupa palestinezësh të vrarë në Gaza.
Luftëtarë apo civilë?
Izraeli pretendon se të gjithë trupat e kthyer janë të “luftëtarëve të Gazës”. Por mjekët palestinezë thonë se është e vështirë të përcaktohet nëse bëhet fjalë për militantë të Hamasit apo civilë të vrarë. Ndërsa disa trupa mbajnë ende shenja të Hamasit ose veshje ushtarake, shumica janë të zhveshur ose me rroba civile, ndërsa shumë janë në gjendje dekompozimi.
Anëtari i komitetit të Hamasit për pranimin e trupave, Sameh Yassine Hamad tha se Izraeli ka dorëzuar dokumente identiteti vetëm për gjashtë nga 195 trupat, dhe se pesë prej tyre rezultuan të rreme, një përpjekje, sipas tij, për të fshehur identitetin e viktimave.
Dëshmitarë të shumtë në Gaza kanë identifikuar të afërmit e tyre mes trupave të kthyer, duke theksuar se ata nuk kishin marrë pjesë në asnjë luftë.
Mungesë mjetesh për identifikim
Spitali Nasser po përballet me mungesë të kapaciteteve frigoriferike dhe pamundësi për të kryer analiza ADN-je, tha kreu i mjekësisë ligjore, Ahmad Dheir.
Trupat e ngrirë, kur shkrijnë, dekompozohen shpejt, duke e pamundësuar analizën e dhëmbëve apo metodave të tjera identifikimi. Për momentin, mjekët po marrin mostra dhe dokumentojnë gjendjen e çdo trupi, me shpresën se në të ardhmen do të mund të bëhet krahasimi gjenetik.
Shenja torture dhe ekzekutime
Në disa raste, trupat janë gjetur me sytë e lidhur dhe duart e lidhura pas shpine. Disa kanë shenja të qarta të plagëve nga plumbat në distancë të afërt apo gjymtyrë të shtypura nga zinxhirët e tankeve.
Një rast i raportuar nga The Guardian është ai i Mahmoud Ismaïl Chabat, 34 vjeç, që kishte shenja varjeje në qafë dhe këmbët e shtypura nga mjetet ushtarake.
Një tjetër dëshmi tronditëse vjen nga Nada Mohammad Zougrah, e cila ka identifikuar trupin e babait të saj në spitalin Nasser. Ai kishte humbur më 7 tetor 2023 dhe nuk kishte qenë pjesë e ndonjë grupi luftarak.
Kampi Sde Teiman, qendër torture
Sde Teiman, i përshkruar nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem si “kamp torture”, është përmendur në raporte të shumta për abuzime dhe vdekje arbitrare të të burgosurve palestinezë.
Më 16 tetor 2025, ministri i Shëndetësisë në Gaza publikoi në X se trupat ishin “të lidhur si kafshë, me sytë e mbuluar dhe me plagë të rënda torture e djegiesh”, duke i cilësuar si prova të “krimeve të kryera në fshehtësi”.
The Guardian dhe BBC kanë verifikuar fotografi që tregojnë trupa me duart e lidhura dhe plagë që dëshmojnë se lidhjet janë bërë gjatë jetës. Në një rast, një mjek ligjor i spitalit Nasser, Alaa al-Astal, tha: “Në një trup kishte një shenjë të dukshme në qafë. Për të përcaktuar nëse ishte varur apo mbytur, do të duhej autopsia, por trupi ishte i ngrirë dhe nuk mund të disektohej.”
Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 75 palestinezë kanë vdekur në burgjet izraelite që nga 7 tetori 2023, ndërsa shumë të tjerë mbeten të zhdukur.
Burimi: Lorien Le Jour













