Historia e mijëra shqiptarëve që përpiqen të kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla dhe përballen me varfëri, shfrytëzim dhe izolim në shtëpitë e barit dhe burgjet britanike.
Mbi 15 mijë shqiptarë besohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit të La Manshit që nga viti 2018.
Statistikat tregojnë se pjesa më e madhe e tyre janë të rinj të moshave që variojnë nga 18–39 vjeç, dhe një pjesë e tyre përfundojnë të përfshirë në aktivitet kriminal apo në të ashtuquajturit punëtorët e “shtëpive të barit”.
“Shumica e shqiptarëve që kalojnë Kanalin me varka të vogla janë meshkuj. Nga viti 2018 deri në qershor 2022, 95% e mbërritjeve të shqiptarëve me varka të vogla kanë qenë meshkuj” raporton Home Office, zyra e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar.
Shqiptarët përbënin më shumë se një të tretën e njerëzve që mbërrinin me anije, më shumë se çdo kombësi tjetër, dhe dokumentet e lexuara nga “shteg.org”, por edhe intervistat, tregojnë se të rinjtë punojnë në kushte ekstreme izolimi e pasigurie, ku grabitjet, dhuna dhe vdekjet janë të zakonshme.
Mediat britanike raportojnë se ngjarjet e rënda në këto shtëpi nuk raportohen në polici, ndërsa dhjetëra shqiptarë kanë humbur jetën në rrethana tragjike gjatë punës në këto ambiente.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar (NCA), në një raport të saj, ka theksuar se grupe të dhunshme kriminale shqiptare po ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregun e trafikimit të drogës në Angli, duke pasur “ndikim me profil të lartë brenda krimit të organizuar”.
Ndërsa në Shqipëri, dhjetëra procedime të hapura nga Prokuroria e Posaçme tregojnë se grupet kriminale shqiptare e kanë përdorur Anglinë si nyje strategjike për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Rrëfimet e dhjetëra emigrantëve shqiptarë në Angli tregojnë pasojat e rënda të varfërisë, krimit dhe mungesës së perspektivës, që e kanë kthyer “ëndrrën angleze” në një varr të hapur për të rinjtë që përtej luksit të reklamuar jetojnë me frikën e vdekjes çdo ditë.
Fundrrugëtimi i Bekimit

Të dielën e 5 tetorit, në Bicaj, pak kilometra larg qytetit të Kukësit, i gjithë fshati duket se është në zi.
Tre ditë më parë kishin varrosur Bekimin, 29-vjeçarin i cili u gjet i varur në një tabelë sinjalistike pranë Anderlechtit, në Bruksel.
Policia belge e regjistroi fillimisht si vetëvrasje, por hetimet nuk përjashtojnë pistën e hakmarrjes për prishje pazari droge.

Familja Halilaj, që jeton pranë xhamisë së fshatit, kishte hapur dyert e mortit dhe ato pak burra e pleq që kanë mbetur ishin aty, vinin një e nga një për të ndarë sadopak dhimbjen me të zotët e shtëpisë.
“Dhimbje e madhe. Shumë e trishtë. Na ka tronditur. Hallet ekonomike detyrojnë të rinjtë tanë të marrin rrugët” – thotë Halil Dogjani, një nga banorët e fshatit, për “shteg.org”.
Bekimi ishte djali i vogël i familjes dhe burimi kryesor i të ardhurave në shtëpi. Me një baba invalid, një nënë të sëmurë, duket se më i vogli nuk kishte rrugë tjetër veçse të merrte emigrimin, dhe Anglia dukej se ishte toka e premtuar për të.

“shteg.org” nuk mundi të mësojë se si Bekimi mbërriti në Angli, por në 21 prill 2017, kur ai ishte vetëm 21 vjeç, u arrestua në Southampton dhe gjatë aksionit policor iu sekuestrua kokainë me vlerë 10 mijë paund. Bashkë me të u arrestuan edhe tre shqiptarë të tjerë që sipas policisë britanike të gjithë ishin në vend ilegalisht.
Grupi ku bënte pjesë Bekimi dyshohet se kishte trafikuar kokainë në rrugët e Southampton me vlerë mbi 4 milionë paund, por në Bicaj familja e tij nuk ka ndonjë pasuri të shtuar, e krahasuar kjo me banorë të tjerë të fshatit.
Mediat raportuan se Bekimi 21-vjeçar u dënua me 7 vite burg por “shteg.org” nuk gjeti evidenca nëse ai kreu vitet e dënimit dhe mbi të gjitha se si ai iku sërish drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku u gjet i varur në tabelën e sinjalistikës rrugore, në mes të Brukselit.
Burime të cituara nga organet ligj-zbatuese vendase pretendojnë se vdekja e Halilajt mund të mos ketë qenë vetëvrasje, por një mesazh nga rrjetet kriminale.
Sipas këtyre raportimeve, Halilaj mund të jetë rrëmbyer, ekzekutuar dhe më pas varur në tabelën rrugore si paralajmërim për të tjerë.
Një mesazh i dyshuar që qarkullon në mediat belge thuhet se shprehet: “Kjo të ndodh kur na tradhton.”
Por i vëllai i tij, Redi Halilaj në një intervistë për Top News tha se ishte një fatkeqësi familjare që kishte ardhur për shkak të depresionit të të vëllait.
“Është çështje depresioni, nuk ka të bëjë me gjëra të tjera që thuhen në media. Nuk e dimë çfarë problemesh ka pasur vëllai, por mesazhet që na ka dërguar na kanë bërë të dyshojmë se ka shkuar në gjendje depresioni”, tha ai.
Pavarësisht spekulimeve mediatike, zyra e Prokurorit të Brukselit nuk ka konfirmuar ende ndonjë lidhje mes vdekjes së Halilajt dhe trafikimit të drogës.

Hetuesit po shqyrtojnë ende mundësinë e vetëvrasjes, megjithëse rrethanat publike dhe të dhunshme e bëjnë këtë skenar më pak bindës për shumë ekspertë.
Historia e Bekimit është vetëm njëra ndër qindra tragjedi që lidhin të rinjtë shqiptarë me industrinë e drogës në Angli.
Që prej vitit 2018, mbi 16 000 shqiptarë arritën në ishull nëpërmjet varkave të vogla. Pjesa më e madhe e tyre janë djem 18–39 vjeç, që përfundojnë të izoluar në “shtëpitë e barit”, ku kultivohet kanabis.
“Shpesh, bandat shqiptare sjellin njerëz për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar në vende si fermat e kanabisit. Këto janë kushte të tmerrshme. Ata jetojnë dhe flenë brenda fermave dhe nuk mund të largohen. Ata kujdesen për bimët, të cilat shpesh janë në faza të ndryshme të rritjes në dhoma të ndryshme. Shtresat e larta të këtyre grupeve kriminale fitojnë shumë para.” deklaroi për BBC një oficeri i policisë angleze, Joe Harrop.
Ai tregoi se grupet blejnë “makina luksoze” dhe rroba dhe orë marke, dhe më pas kthehen në vendin e tyre dhe “shfaqin atë pasuri”, gjë që inkurajon “një brez tjetër kriminelësh të vijë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, në fund të 2024, më shumë se 1 200 shqiptarë po mbaheshin në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, më shumë se çdo kombësi tjetër e huaj.
“Nuk ka numër të saktë të shqiptarëve të dënuar për kultivim kanabisi, por pjesa dërrmuese e personave të dënuar, shtetas shqiptarë, janë për kultivim dhe shpërndarje të kanabisit dhe lëndëve të tjera narkotike” thotë avokati që vepron në Angli, Naim Hasani.
Statistika zyrtare për vitin 2025 nuk është e plotë, pasi numrat ndryshojnë vazhdimisht, por sipas Nigel Farage, anëtar i Parlamentit Britanik, në qershor 2025 numri i shqiptarëve në burgjet e Anglisë ishte rreth 1 099.
Në kulmin e krizës së gomoneve, në dhjetor 2022, ish kryeministri britanik Rishi Sunak dhe kryeministri shqiptar Edi Rama nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për të frenuar migrimin e paligjshëm.
Pjesë e planit të masave për të frenuar emigrimin ilegal ishte dhe depërtimi i personave të ndaluar për shkak të hyrjes së territorit anglez në mënyrë jo ligjore.
Vetëm në periudhën qershor 2024–qershor 2025, mbi 2 mijë persona janë rikthyer vetë, ndërsa mbi 2 500 të tjerë janë dëbuar me forcë nga autoritetet britanike.
Megjithatë, të dhënat e mbledhura tregojnë se një pjesë e tyre janë kthyer sërish në Mbretërinë e Bashkuar duke ndjekur rrugë të reja trafikimi.
“Përpjekjet tona kanë përgjysmuar kalimet e parregullta kufitare dhe kanë ulur mbërritjet e shqiptarëve me gomone me 95%. Përmes një Task Force të re të Përbashkët për Migracionin, dronëve britanikë dhe sanksioneve më të ashpra, ne po i ndjekim bandat e kontrabandës në çdo fazë për t’i nxjerrë ato nga biznesi dhe për të ofruar siguri për njerëzit që punojnë.” deklaroi kryeministri anglez, Keir Starmer në Samitin e Ballkanit Perëndimor i zhvilluar në tetor të 2025.
Punëtorë të padukshëm të krimit

Admiri lindi e u rrit në Cërrik ose, më saktë, rrugët e jetës e nxorën prej atij qyteti drejt një rrugëtimi që ai kurrë nuk besonte se jeta e tij do të ishte në fije të perit.
Me ëndrrën e një jete më të mirë në Angli ai u largua nga Shqipëria në vitin 2022.
Ishullin britanik e arriti me gomone ndërsa kushëriri i tij pagoi udhëtimin. Po ashtu kishte “punën e sigurt”.
Shtëpia ku punonte ishte e izoluar. Ushqimet vinin një herë në javë, drita dhe dielli pothuajse nuk hynte. Jashtë nuk mund të dilte. Ditët rridhnin të njëjta. Mes bimëve, të izoluar nga çdo gjë që i jepte jetë. Frika ishte gjithmonë aty, duke vëzhguar çdo lëvizje dhe çdo frymëmarrje.
Një natë, ndërsa Admiri ishte duke kontrolluar procesin e tharjes së bimëve, u përball me tmerrin. Tre njerëz të maskuar hynë me hanxharë në duar dhe i kërkuan të tregonte se ku mbahej hashashi.
“Njëri prej tyre më vendosi armën në fyt dhe më tha ku është bima. I tregova, ishin me maska, më vendosën një batanije në kokë të mos shikoja. Nuk bëra asnjë veprim derisa u larguan. Më pas thirra kushërinjtë e mi që më morën. Po dridhesha. Nuk e kam marrë veten për një kohë të gjatë. Herë pas here më duket sikur më ndjekin mbrapa”, – thotë Admiri për “shteg.org”.
Admiri tregon se kjo punë i kushtoi lirinë, besimin, dhe filloi të jetonte me frikë dhe ankth. Ky ishte vetëm fillimi.
Pasojat psikologjike për djemtë që punojnë në “shtëpi bari” janë shumë të rënda, sipas psikologes Eriona Hoxha, dhe përfshijnë ankth dhe frikë kronike, stres post-traumatik, izolim social dhe ndjenja të thella të vetmisë. Jetesa në fshehtësi dhe nën presion ekonomik, shpesh në kushte të ngjashme me burgimin në shtëpi, larg familjes dhe aktiviteteve sociale, çon në depresion, humbje të identitetit dhe ndjesi të pa-kontrollueshmërisë, duke lënë pasoja serioze në shëndetin mendor të individëve.
Kur kishte vetëm një vit në Angli, Admiri kuptoi se fitimet nuk ishin ato që kishte ëndërruar. Pas dy vitesh pune, ishte sërish në mes të katër rrugëve.
“Nuk kisha fituar shumë dhe nuk kisha ndihmuar as familjen. Ndjenja e zhgënjimit u bashkua me frikën dhe ankthin e përhershëm. Nuk ishte jetë për mua … më futi në ankth, më bëri dembel dhe mund të vdisja për asgjë,” thotë ai duke shtuar se ajo që u reklamohet djemve si ai është paraja e shpejtë dhe fitimet kolosale.
“Të gjithë flasin për të mirat e fitimet e punës, por askush nuk tregon se sa probleme dhe pasoja ka nëse qëndron gjatë brenda në shtëpi bari. Ka pasur dhe shqiptarë që janë vrarë brenda shtëpive të barit”, tregon Admiri.
Ermal Qose është një prej shqiptarëve që ka pasur një fund tragjik. Ai humbi jetën nga asfiksia pas një zjarri të madh që shpërtheu në banesën e tij. 35-vjeçari u transportua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë më 2 janar 2022.
Një ngjarje e ngjashme ndodhi me Mariglen Ruçin, 24 vjeç, i cili u asfiksua brenda një shtëpie bari më 12 dhjetor 2022. Ruçi kishte dy vite që jetonte në Angli. Familja e tij, e kontaktuar nga “shteg.org”, nuk dëshironte të komentonte rreth tragjedisë.
Xhovani Pepaj, 25 vjeç, humbi jetën në një sulm brenda shtëpisë së barit ku punonte. Ai u godit 16 herë me thikë nga një bandë kundërshtare që synonte të merrte mallin. Pepaj kishte telefonuar policinë gjatë sulmit, dhe zyrtarët ishin të vetëdijshëm për ngjarjen. Edhe familja e tij nuk dëshironte të bëjë deklarata.
Renato Geci, 21 vjeç, ishte një tjetër shqiptar që humbi jetën gjatë punës në një shtëpi bari në Angli. Në vitin 2021, ndërtesa u sulmua për grabitje dhe Geci, së bashku me një shok tjetër, u përleshën me rrëmbyesit. Ai mori një plagë në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte.
Nga historitë e dokumentuara nga “shteg.org” vetëm ajo e Shpëtimit nga Lezha nuk ka pasur një fund tragjik.
I riu la shkollën e mesme dhe u largua drejt Anglisë me kamion në moshën 15 vjeçare. Pas mbërritjes nisi punën në shtëpi bari.
“Isha në shtëpi brenda së bashku me mikun tim të ngushtë. Po mblidhnim mallin për ta nxjerrë. Bie dera dhe shkoi shoku im ta hapte. Nuk ishte askush. Nxori kokën për të parë dhe menjëherë pashë një hanxhar që iu drejtua atij. E tërhoqa në mënyrë instinktive dhe e futa brenda. Për një sekondë, koka e tij do të ishte në tokë. Iu drejtova pistoletën dhe u larguan, sepse nuk e prisnin reagimin. Aty vendosa të largohesha nga kjo punë. Nëse do të më sulmonin, do qëlloja, do të bëhesha vrasës” – tregon për “shteg.org” Shpëtimi, i cili pas kësaj ngjarjeje ku jeta e tij ishte në fije të perit nuk u mor më kurrë me këtë aktivitet.
Gazetari i Daily Express, Zak Garner-Purkis, i cili ka raportuar mbi rastet tregon se grabitjet në fermat e kanabisit janë të shpeshta por ato raportohen vetëm kur ka viktima.
“Ndodhin gjithë kohës, por shpesh nuk i marrim vesh sepse pronarët, prodhuesit dhe punëtorët nuk shkojnë në polici për t’i raportuar. Ne mësojmë vetëm kur ndonjë person vritet ose plagoset” tregon gazetari sipas të cilit bandat e grabitësve janë një tjetër aspekt i rrezikshëm i grupeve kriminale.
“Grabitësit janë të sofistikuar; përdorin kamera termike dhe identifikojnë banesat ku mund të prodhohet kanabis. Ka banda që grabisin miliona paund drogë. Çdo vit ndodhin qindra e mijëra grabitje.” – thotë ai.
Ndërsa hetimet e autoriteteve angleze tregojnë se shtëpitë e barit kontrollohen nga grupe kriminale dhe punëtorët e tyre janë viktimat e skllavërisë moderne.
Pushteti, droga dhe dhuna

Rrugët e emigracionit janë ndërthurur me rrjetet e trafikut të drogës, dhe hetimet e agjencive ligj-zbatuese tregojnë se ishulli britanik është kthyer një nyje të rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar lidhje mes grupeve shqiptare që kanë përdorur territorin britanik për transportin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Në dosjet e SPAK-ut përmendet se këto rrjete janë përfshirë në vrasje dhe hakmarrje të ndodhura në Shqipëri për shkak të konflikteve të lindura në tregun e drogës britanik.
Përplasjet midis Alibejve, Çopjave dhe Çelëve në Elbasan kanë pasur si origjinë humbjen e sasive të drogës në Angli. Raste të tjera, si saga mes familjeve Hoxha dhe Lleshi, nisën nga një konflikt në Britani dhe përfunduan me vrasje zinxhir në Shqipëri.
Sipas dosjeve të prokurorisë që “shteg.org” i ka analizuar, Dritan Rexhepi konsiderohet si një nga figurat më të njohura të botës së krimit që ka vepruar në Angli, duke drejtuar kompaninë “Bello”, e cila trafikonte tonelata kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, përfshirë portet britanike.
Ai dyshohet se porositi rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar 2020, pas humbjes së një sasie të konsiderueshme droge gjatë qëndrimit në burg në Ekuador, duke akuzuar vëllain e Prengës. SPAK ka transkriptime bisedash mes Rexhepit dhe Altin Hajrit që lidhen me këtë ngjarje, megjithëse ai e ka mohuar përfshirjen.
Një tjetër grup i evidentuar në organet ligjzbatuese është klani “Çopja”, i drejtuar nga vëllezërit Franci dhe Hajdari, të cilët kishin krijuar rrugë të sigurta për kalimin e kokainës nga Anglia drejt vendeve të BE-së, me Franc Çopjën që kontrollonte aktivitetet nga Tottenhami.
Dokumentet tregojnë se familja Alibej gjithashtu kishte një bazë të sigurt për trafikun e drogës në Angli. Endrit Alibej u vra në masakrën e Bradasheshit më 13 dhjetor 2018, ndërsa Erion Alibej ka pranuar përfshirjen e tij dhe të vëllait në aktivitetet e drogës në ishullin Britanik. Përplasjet mes Alibejve, Çopjës dhe Çelës sollën një seri vrasjesh në Elbasan.
Suel Çela mbetet i shumëkërkuar nga SPAK për trafik droge në Britani. Ndërsa deri pak kohësh para se të ekstradohej në Shqipëri, Plarent Dervishaj koordinonte lëvizjet e drogës drejt Anglisë nga Dubai së bashku me grupin e tij, përfshirë Ermir Ndreajn dhe vëllezërit Artur dhe Klevis Haxhiosmani e Ilir Lloshaj.
Një tjetër dosje flet për Klevis Hoxhën, i akuzuar për porositjen e vrasjeve të fisit Lleshi, hakmarrje pas një krimi në Angli në vitin 2012, shkak i së cilës dyshohet prishja e pazareve të drogës.
Ky konflikt çoi në një seri vrasjesh brenda fisit Lleshi ndërsa mijëra faqe të dosjeve hetimore tregojnë se për të rinjtë shqiptarë Britania është bërë jo vetëm destinacion i emigracionit ekonomik por edhe “ishulli” ku krimi i organizuar shqiptar përdor djemtë e varfër si punëtorë të padukshëm në skuadrat e errëta të pazareve të trafikut.
Ndërsa në Kukës, nën retë e ftohta të tetorit, varrimi i Bekim Halilajt shënoi fundin e një ëndrre që nisi me shpresë dhe përfundoi në tragjedi.
Vetëm në fshatin e tij, në Bicaj, janë mbi 30 të rinj që kanë marrë rrugët e emigrimit.
“Një pjesë futen dhe në rrugë të këqija, me drogë. Askush nuk i ka parë hajrin dhe askush nuk ka gjetur të mira nga kjo rrugë”, – shprehet Halili duke treguar për një fshat që po zbrazet çdo ditë dhe një brez që endet mes kufijve, borxheve dhe rrjeteve të krimit.
/ Eraldo Harlicaj / Shteg.org














