Kryeprokurori Olsian Çela paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61,167 materiale, çka përbën një rritje prej 10.5% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave, numrin më të madh të procedimeve penale e ka pasur Prokuroria e Tiranës, ndërsa Dibra dhe Kukësi janë qarqet me përqindjen më të ulët.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara në shkallë vendi ka arritur në 1,037 për 100 mijë banorë. Qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit rezultojnë Berati, ndërsa me më të lartin Saranda.
Olsian Çela: Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi;
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Sarandë.
Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare
mbi 33 %. Këto të dhëna, nisur nga karakteristikat e veprave penale, evidentojnë forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional dhe të sistemit të mbikëqyrjes e kontrollit.
Ndërkohë ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje me 21,72 %, për veprat kundër lirisë së personit 30,59 %, për krimet seksuale gati 30%, për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29 %, për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18 %. Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë.













