Në Rubik, ura që dikur bashkonte komunitete, sot ndan jetën nga rreziku. Çdo ditë, banorët kalojnë mbi një strukturë të rrënuar që mund të shembet mbi lumin Fan në çdo moment. Gropat, dëmtimet dhe kamionët e rëndë që kalojnë mbi të e kanë kthyer urën në simbol të neglizhencës institucionale. Ndërsa autoritetet premtojnë rikonstruksion me fondet e Bankës Botërore, qytetarët presin me frikë, duke kaluar mbi një urë që s’mban më as peshën e vet.
E ndërtuar mes viteve 1986–1987, Ura e Rubikut në Mirditë është shndërruar sot në një rrezik të përditshëm për dhjetëra qytetarë që kalojnë mbi të për të hyrë në qytezën e tyre. Dikur simbol i lidhjes mes fshatrave dhe qytetit, sot ajo është kthyer në një kërcënim real për jetën e banorëve.
“Janë hapur gropa të mëdha në mes të saj, dëmtimet duken me sy që nga këtu,” tregon njëri nga banorët që kalon çdo ditë mbi urë për të çuar fëmijët në shkollë.
Një tjetër banor shton me shqetësim: “Duhet rregulluar, ka shumë vite që është kështu. Tani e kanë bërë edhe më keq kamionët që kalojnë shpesh mbi të.”
Kjo urë, që lidh anën jugore të Rubikut me disa fshatra përreth, është nyja e vetme që i lidh banorët me Rrugën e Kombit. Por këmbët mbajtëse të strukturës kanë dalë në sipërfaqe, janë dëmtuar rëndë dhe janë anuar në disa pika, duke rrezikuar shembjen mbi lumin Fan. Mungesa e ujit në shtratin e lumit gjatë këtyre muajve e nxjerr edhe më në pah problemin, duke treguar qartë shkallën e dëmtimit.
Për këtë çështje, ACQJ kontaktoi kryetarin e Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i cili thotë se që prej marrjes së detyrës ka kërkuar inspektimin e disa urave në territorin e bashkisë, pasi sipas tij, ura e Rubikut nuk është e vetmja që paraqet rrezik.
“Që në fillim kemi kërkuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerësimin teknik të urës. Pas disa insistimesh, gjashtë muaj më parë u zhvillua një dëgjesë me banorët mbi këtë problem. Por që prej asaj kohe, nuk kemi marrë asnjë sqarim se çfarë do të ndodhë më tej,” shprehet Melyshi.
Pas komunikimit me Bashkinë, ACQJ iu drejtua për koment Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili konfirmoi se ura është përfshirë në një projekt të Bankës Botërore.
“Ura e Rubikut do të rikonstruktohet në kuadër të projektit të Bankës Botërore. Aktualisht jemi në fazën e oponencës teknike dhe më pas do të vijojmë me fazën e prokurimit,” thuhet në përgjigjen të ARRSH-së.
Megjithatë, banorët e zonës janë ende në pritje. Sipas tyre, premtimet janë dhënë shpesh, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Ndërkohë, çdo ditë që kalon, ura dëmtohet më shumë.
Kryetari i Bashkisë Mirditë thotë se nëse projekti nuk nis së shpejti, do të kërkojë zgjidhje alternative, pasi nuk mund të lejojë që banorët të rrezikojnë jetën në çdo kalim.
“Do të shohim mundësi të tjera për t’i siguruar kalimin banorëve, por kjo situatë nuk mund të zgjasë më gjatë,” deklaron ai.
Disa kohë më parë, një tjetër urë në zonë Ura e Milotit u mbyll për shkak të dëmtimeve, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, veçanërisht gjatë sezonit veror. Pas saj, aksi Pllanë–Rubik u përdor si rrugë alternative, dhe kështu Ura e Rubikut u shndërrua në nyjen kryesore të kalimit, e domosdoshme për të shmangur trafikun në zonë.
Por gjendja e saj e sotme e bën këtë nyje gjithnjë e më të rrezikshme.
Në Rubik, edhe ura për këmbësorë që përshkon lumin Fan, afër Kishës së Shën Premtes, është po ashtu në gjendje të rënduar. E ndërtuar që në vitin 1967, ajo ka pësuar dëmtime serioze dhe çdo ditë rrezikon jetët e banorëve që e kalojnë në këmbë për të shkuar në punë, në shkollë apo në qendër të qytetit.
Ekspertët e infrastrukturës lokale rendisin disa shkaqe kryesore për dëmtimin e këtyre urave:
1. Erozioni, si pasojë e keqmenaxhimit të shtratit të lumit Fan;
2. Mungesa e riparimeve dhe mirëmbajtjes ndër vite;
3. Lejimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, sidomos kamionëve të gurorës që ndodhet pranë urës.
Sipas banorëve, situata është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Kalimi i kamionëve të ngarkuar mbi një strukturë të amortizuar ka përshpejtuar dëmtimet, ndërsa mungesa e ndërhyrjes e ka lënë urën në mëshirë të kohës.
Edhe pse autoritetet po shqyrtojnë projektin e restaurimit në bashkëpunim me Bankën Botërore, nevoja për ndërhyrje është e menjëhershme. Çdo ditë që kalon, rreziku për shembje shtohet, dhe bashkë me të frika e banorëve që e përdorin urën si rrugë për të hyrë e dalë nga Rubiku.
Banorët e Rubikut e ndjejnë veten të lënë pas dore nga shteti dhe institucionet.
Në këtë qytezë të vogël të Mirditës, ku shumë familje kanë zgjedhur të qëndrojnë përkundër emigrimit, një urë e sigurt është më shumë se një nevojë infrastrukturore është kusht për jetën e përditshme.
Rikonstruksioni i saj nuk do të ishte thjesht një projekt ndërtimi, por një akt i domosdoshëm për sigurinë dhe dinjitetin e banorëve që kanë mbetur në Rubik, mes harresës dhe premtimeve që nuk po realizohen.
/ Denada Jushi – ACQJ – Albanian Center for Quality Journalism














