Tetori Rozë është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, që synon rritjen e kujdesit dhe vëmendjes për diagnostikim të hershëm dhe trajtim në kohë të kësaj diagnoze.
Roli i medias, personazhet e njohur, apo fushatat e ndërgjegjësimit nga institucionet zyrtare, janë vetëm njëra anë e medaljes. Të parët që e bëjnë këtë thirrje, për ekzaminim të hershëm dhe kapjen në kohë të diagnozës, janë vetë mjekët.
Helidon Nina, shef i Onkologjikut pranë QSUNT-së, shprehet për ATSH-në se për vitin 2024 u regjistruan 805 raste të reja me kancer gjiri, ndërsa 15 raste ishin meshkuj.
Sipas Ninës, incidenca e vitit të kaluar është një tregues që nuk ka mbizotërim të moshave të reja që preken nga kanceri i gjirit, pra nuk ka një trend rritës te moshat e reja.
“Grup-mosha më e prekur është në fashën 50-70 vjeç dhe për këtë qëllim mamografia rekomandohet sidomos për këtë grup-moshë. Si faktorë risku kemi ato që nuk varen nga individi, që janë të pamodifikueshme, si qenia femër, trashëgimia, testet gjenetike pozitive, një menopauzë e hershme apo e vonshme, rrezatimet për arsye të tjera që janë bërë në mosha të reja, limfoma janë këto disa nga faktorët që ne nuk kemi mundësi t’i modifikojmë”, tha Nina.
“Ato faktorë që varen nga individi janë ulja e nivelit të obezitetit, aktiviteti fizik i këshillueshëm një orë e gjysmë në javë, mosmarrja e terapive hormonale apo kontraceptivëve për sistemin riprodhues për periudha të gjata kohore, lindja para moshës 30 vjeç, gjidhënia etj.”, pohoi ai.
Nina u ndal edhe te trendi i diagnostikimeve vitet e fundit dhe mënyra si kanë ndryshuar këto metoda ndër vite edhe në QSUNT. Sipas tij, shtylla e trajtimit të një kanceri gjiri mbetet kirurgjia, kimioterapia, radioterapia, hormonoterapia e tjerë.
“Në të gjitha këto elementë për të luftuar këtë sëmundje, gjithmonë ka evolucione. Edhe në QSUNT kemi terapi edhe imunoterapi, si edhe kimioterapi të reja që gjejnë zbatim edhe te ne. Sa i takon radioterapisë, evolucion është fakti që kemi kaluar nga kobalti, tek askeleratori linear. Mjetet diagnostike për imazherinë kanë pësuar transformime pasi është kaluar nga mamografia standarde në mamografinë me tomosintezë 3D, nga eko standarde në eko elastrografike, rezonanca magnetike etj.”, pohoi Nina.
Ai tha se ka disa teknika që përdoren edhe pasi bëhet heqja e gjirit dhe vendosja e protezës nën muskulin e mbuluar me meshë apo mbi muskulin e mbuluar me meshë.
“Aktualisht vendoset proteza nën lëkurë pa përdorur meshë fare. E përmend meshën, pasi është një element mjekësor i kushtueshëm”, tha Nina, ndërsa theksoi se përveç mjekimeve që ofrohen nga Fondi i Barnave, po synohet nga MSHMS që protezimi i gjirit pas kirurgjisë të jetë tërësisht i rimbursuar nga shteti.
Nina vuri theksin edhe te diagnostikimi i hershëm, pasi nëse pacienti nuk ka metastaza, edhe mundësitë e trajtimit dhe menaxhimi i diagnozës është shumë më i kollajtë, se kur mbërrihet në një stad të avancuar të sëmundjes.
“Shteti dhe MSHMS e ofron falas mamografinë jo vetëm gjatë Tetorit Rozë, por edhe gjatë vitit në spitale, maternitete, në stacionet e lëvizshme. Në QSUNT mamografitë zhvillohen gjatë gjithë ditës deri në orën 18:00 të pasdites. Vitin e kaluar, me urdhër ministri u kërkua që mamografia e lëvizshme të bëhet edhe në rrethe të caktuara të vendit gjatë gjithë vitit, për të ndihmuar ato zona që nuk kanë akses për shkak të largësisë. Janë dy mamografi të lëvizshme dhe kalendarin e kryerjes së mamografive çdo javë dhe muaj e ka ISHP-ja”, tha Nina.
Sipas tij, disa nga shenjat e para që duhet të trajtohen si shqetësuese nga gratë janë një masë në gji, tërheqje e lëkurës, një sekrecion me ngjyrë të kuqe ose të zezë nga thithi, gjëndra në sqetull, një edemë e lëkurës, një skuqje që ngatërrohet me mastitin etj.
“Vetekzaminimi nuk është vendimtar në çështjen e kancerit të gjirit, por ka peshën e vetë të rëndësisë”, pohoi Nina.
Shefi i Onkologjikut, e mbyll intervistën me një mesazh drejtuar të gjitha grave dhe vajzave, që të mos presin tetorin për të bërë mamografi dhe eko gjiri, por të shfrytëzojnë çdo periudhë të vitit.
“Lufta bëhet gjatë gjithë vitit dhe media ka rol në këtë pjesë. Vizita te mjeku specialist, informacionet që vijnë edhe nga gratë e mbijetuara nga kjo patologji janë gjithashtu të vlefshme. Çdo vit shohim individë që bëjnë ekzaminime pa pasur asnjë shenjë apo problematikë. Prandaj duhet të kemi një qasje sa më të gjerë përballë kësaj patologjie”, përfundoi Helidon Nina.