Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dëshiron raketa Tomahawk për luftën kundër pushtimit të vendit të tij nga Rusia.
Presidenti amerikan, Donald Trump, duke e kthyer vëmendjen te sulmi i Moskës ndaj Ukrainës pas një nisme të suksesshme diplomatike në Lindjen e Mesme, tha se Shtetet e Bashkuara mund t’i ofrojnë Kievit këto lloje raketash.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka bllokuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit që nisi më 2022, ka paralajmëruar kundër një përshkallëzimi.
Në këtë tekst mund të mësoni se çfarë duke shikuar kur Trump të mirëpresë Zelenskyn në Uashington më 17 tetor.
Raketat Tomahawk
Teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet përvjetorit të katërt, Ukraina po synon që të posedojë raketa Tomahawk, të prodhimit amerikan, për të dobësuar përpjekjet e luftës së Rusisë duke goditur ndërtesat e naftës dhe energjisë thellë brenda territorit rus.
Trump tha se SHBA-ja mund të japë këto raketa lundruese që kanë një rreze veprimi nga 1.250 deri në 2.500 kilometra, por nuk ka njoftuar për një vendim dhe ka sugjeruar se ai mund të diskutojë për këtë çështje me Putinin para se të vendosë.
“Unë mund të them: ‘Shiko, nëse kjo luftë nuk do të ndalet, unë mund t’i dërgoj [Ukrainës] raketa Tomahawks’. Rusisë nuk i duhet kjo. Mendoj se është e duhur që unë ta ngre këtë çështje”, tha Trump për gazetarët më 12 tetor. Udhëheqësi amerikan ka shprehur zemërim lidhur me refuzimin e Rusisë që të ndalë luftën e saj kundër Ukrainës.
Kjo çështje u përmend gjatë bisedës telefonike më 16 tetor: Putin i tha Trumpit se nëse Ukrainës i jepen këto raketa, kjo do t’i jepte një goditje “të madhe” raportit SHBA-Rusi dhe gjasave për paqe në Ukrainë, tha këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov.
Pas bisedës, Trump sugjeroi se nevojat e SHBA-së do të ndërlikonin çdo përpjekje për të furnizuar Ukrainën me Tomahawk.
“Ne na duhen raketat Tomahawk edhe për SHBA-në”, tha ai për gazetarët. “Ne kemi shumë raketa të tilla, por ne na duhen ato. Nuk mund të shterojmë [stoqet] e shtetit tonë… Prandaj, nuk e di se çfarë mund të bëjmë për këtë çështje”.
Trump shpreson të shfrytëzojë momentumin e krijuar nga armëpushimi dhe marrëveshja për të burgosurit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Gaza, dhe të bëhet përparim drejt përfundimit të konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Analistët thanë se vetë raketat Tomahawk me gjasë nuk do të ndryshonin situatën, por mund t’i japin një shtysë të rëndësishme fushatës së Kievit për sulme thellë brenda territorit rus.
Lufta ka treguar se “nuk ekziston asnjë lloj arme apo municion i vetëm që mund të shërbejë si një zgjidhje magjike”, tha për Radion Evropa e Lirë, Luke Coffey, hulumtues i lartë në Institutin Hudson, me seli në SHBA.
“Megjithatë, raketat Tomahawk do të kishin një ndikim praktik në fushëbetejë, duke dëmtuar prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes dhe logjistikën ruse që gjenden pas vijave të frontit”, tha ai. “Ato do të kishin një ndikim simbolik, duke treguar se presidenti Trump, në fakt, ka vendosmërinë për t’i bërë më shumë presion Rusisë që ta sjellë në tryezën e negociatave”.
Nëse SHBA-ja i ofron raketa Ukrainës, analistët thanë se ajo çfarë ka rëndësi është se sa raketa do t’i japë dhe sa shpejtë.
“Pyetja kryesore është sa do të [ofrojë] Shtetet e Bashkuara për Ukrainën”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mark Cancian, ekspert ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
“Trump dëshiron të arrijë një marrëveshje”, shtoi ai. “Nëse dëshiron të ushtrojë presion mbi Rusinë, duhet të gjejë një mënyrë për të dërguar armët tek Ukraina shpejt”.
“Raketat Tomahawk mund të shënjestrojnë caqe thellë brenda territorit rus, por për të pasur shanse që të shmangin me sukses sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, Ukraina me gjasë duhet të gjuajë disa raketa të tilla njëherësh”, tha për REL-in, Dara Massicot, hulumtuese në Institutin Carnegie Endowment për Paqe Ndërkombëtare, njëherësh eksperte për ushtrinë ruse.
“Tomahawk-ët shtojnë presionin, por sasia e presionit varet shumë nga koha kur arrijnë, sa sasi mund të dorëzohen dhe si lëshohen”, shtoi ajo.
Vlerësimet se sa raketa Tomahawk mund të ofrojnë SHBA-ja variojnë. Mackenzie Eaglen, hulumtuese dhe eksperte ushtarake në Institutin amerikan Enterprise, tha se marina mund të “jetë në gjendje të japë disa” të një lloji të kësaj rakete për Ukrainën. Cancian tha se numri i përgjithshëm i raketave mund të jetë disa qindra ose deri në 1.000, nëse përfshihen edhe versionet e vjetra.
Mark Galeotti, analist dhe autor për politikën dhe sigurinë ruse, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, tha se “numrat relativisht të ulët që SHBA-ja ndoshta do të ishte e gatshme t’i ofronte” Ukrainës do të bënin Tomahawk-ët më shumë si “simbol politik” sesa një faktor vendimtar ushtarak.
“Nëse Trump i ofron ato me një afat të qartë kohor, ai po sinjalizon një ashpërim të dukshëm të qëndrimit të tij”, tha Galeotti për REL-in.
…apo, s’ka raketa Tomahawk
Disa zyrtarë të lartë ukrainas kanë qenë në Uashington këtë javë duke u përgatitur për takimin e 17 tetorit, përfshirë kryeministren Yulia Svyrydenko dhe shefin e fuqishëm të stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak. Trump dhe Zelensky kanë biseduar dy herë përmes telefonit brenda dy ditësh.
Me gjithë diskutimet rreth Tomahawk-ëve, nëse takimi Trump–Zelensky nuk prodhon një premtim për t’i ofruar ato, do të përbënte një kthim prapa për Kievin.
Por, takimi nuk ka të bëjë vetëm me raketat Tomahawk.
Teksa Rusia kryen sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës së energjisë së Ukrainës dhe godet civilët në shtëpitë e tyre, në spitale dhe trena, Ukraina po ashtu po synon që të sigurojë më shumë armë të mbrojtjes ajrore përmes programit në të cilin shtetet evropiane blejnë armë nga SHBA-ja dhe më pas i dërgojnë në Ukrainë. /REL