Belind Këlliçi, gjatë Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, ka akuzuar mazhorancen për ngushtimin e hapësirave që i takojnë opozitës në Parlament.
Këlliçi theksoi se në vetëm tre javë, mazhoranca ka përjashtuar dy herë kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, me urdhër të Ballës. Po ashtu, ai u shpreh se opozita nuk do trazira, por po ia imponojnë reagimin e fortë.
“Po ngushtoni hapësirat që ka opozita në Kuvend. Kjo është anti-kushtetuese dhe e patolerueshme. Opozita nuk kërkon trazira dhe nuk është për jo-normalitet, por po na e impononi ju reagimin e fortë. E impononi ju me shkeljen e Kushtetutës.
Ju donit dje të ndryshonit traditën e pyetjeve për institucionet e pavarura, për shkak se keni hallin kur të raportojnë institucionet e drejtësisë. Keni frikë nga pyetjet e opozitës për ato institucione dhe për drejtuesit e drejtësisë.
Sa i përket rregullores dhe respektit të hapësirës së opozitës, mjafton të ju them se në 3 javë ke përjashtuar 2 herë kreun e grupit të PD-së, me porosi të Ballës”, tha Kelliçi.