Qeveria turke po përgatit një projektligj që do të vendosë dënime me burg për individët që promovojnë ose propagandojnë identitete dhe marrëdhënie LGBTQI në publik ose media. Sipas planit, kushdo që inkurajon ose lavdëron sjellje të kundërta me gjininë biologjike mund të përballet me një dënim nga një deri në tre vjet burg.
Projektligji, i njohur si “Paketa e 11-të Gjyqësore”, gjithashtu rrit dënimet për aktet seksuale të kryera në publik dhe synon të kufizojë përmbajtjet LGBTQI në mediat dixhitale dhe transmetuese, përfshirë filmat dhe serialet.
Ligji synon gjithashtu të rregullojë procedurat e ricaktimit të gjinisë: mosha minimale do të rritet nga 18 në 25 vjeç, aplikantët duhet të jenë të pamartuar dhe të paraqesin raport mjekësor që konfirmon nevojën mjekësore, pas katër vlerësimeve gjatë tre muajve. Operacionet pa autorizim do të dënohen me 3 deri 7 vjet burg dhe gjoba të rënda për profesionistët mjekësorë.
Homoseksualiteti nuk është i paligjshëm në Turqi, por homofobia mbetet e përhapur, dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe politikanë të tjerë shpesh sulmojnë komunitetin LGBTQI, duke i akuzuar për kërcënim ndaj vlerave familjare.
Projektligji ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar për të drejtat e komunitetit LGBTQI dhe mund të ndryshojë rëndësisht perceptimin e Turqisë mbi liritë individuale dhe të drejtat e njeriut.