“Trema Tech” e Ilir Trebickës është kompania që do të marrë Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, për të ndërtuar aty një pallat të ri sportiv për llogari të Bashkisë, por edhe kulla për banim, të cilat do t’i shesë në treg për qëllime fitimi.
Trema Tech sh.p.k + Likado BV + Albanian Capital Group sh.p.k + BCN Investements B.V + MVRDV është konsorciumi që u shpall fitues në konkursin ndërkombëtar, ku u paraqitën 6 projekt ide. Projekti i shpallur fitues është një top i madh betoni prej 20 kate, që do të zëvendësojë pallatin aktual të sportit.
Projekti i ri do të përfshijë një arenë sportive multifunksionale me rreth 6 mijë spektatorë, ambiente VIP, zyra për media, hapësira për trajtime mjekësore dhe salla trajnimi për federatat e ndryshme sportive si basketbolli, volejbolli, hendbolli, peshëngritja, mundja, gjimnastika, pingpongu, boksi dhe taekëondo-ja. Por përveç kësaj, edhe 26,5 mijë metra katrorë ndërtim me “funksion të përzier” rezidencial dhe tregtar.
Ashtu si në konkurset e tjera të KISH, juria u kryesua nga Kryeministri Edi Rama, me anëtarë Blendi Gonxhen, si ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Fidel Ylli si kryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Elira Kokona nga KISH, Adelajda Roka nga AZHT dhe Adelina Greca nga AKPT.Bashkia Tiranë, pronarja e kësaj hapësire të re, do të përfitojë një pallat sporti prej minimumi 13,500 metra katrorë ndërtim mbi tokë, nga 5,000 që janë sot, me një kapacitet maksimal modular prej 6,000 vendesh, 2,500 metra katrorë hapësira të jashtme të dedikuara dhe 12,500 metra katrorë parkim publik. Pallati i ri i sportit krijon vlera ekonomike të qëndrueshme, nxit sipërmarrje lokale dhe kthen sportin në një element të jetës së përditshme”.
“Projekti për rijetëzimin e Pallatit të Sportit është menaxhuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Në muajin maj të këtij viti, Këshilli i Ministrave autorizoi Korporatën e Investimeve Shqiptare, për të vepruar si zhvillues i pronës, me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetësimi i Pallatit të Lojërave me Dorë ‘Asllan Rusi’”.
Sipas vendimit, Korporata do jetë përgjegjëse për hapjen dhe zhvillimin e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, që do të zhvillojë pronën nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, duke e bërë këtë entitet autoritet kontraktor,” deklaroi Elira Kokona, drejtoresha e KISH./Kapitali