• Kontakt
Wednesday, November 5, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

“Beu” i Poliçanit Adriatik Zotkaj miliona euro pasuri, me 5 dënime dhe fisin me punë në bashki

22:43 : 15/10/2025
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE

Emisioni “Plug”

Adriatik Zotkaj, është modeli më përfaqësues i qeverisjes së Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, në krye të Bashkisë së Poliçanit.

Falë kryeministrit, që e cilëson ‘Babagjyshin që i jep veç të mira’, Adriatik Zotkaj qëndron në detyrën e kryebashkiakut të Poliçanit, që prej vitit 2003, ku vetëm në zgjedhjet lokale të vitit 2023, konkuroi në rekord edhe me vetë Edi Ramën, me 78.8 %  të votave.

Që në fillimet e karrierës së tij si kryebashkiak Adriatik Zotkaj do të spikaste me të kaluarën e tij, kur nisi të bëhej objekt i ligjit të dekriminalizimit me mosdeklarimin e krimeve.

Siç raportonin mediat në atë kohë, në 21 Maj të vitit 2002, Zotkaj u dënua me 1 vit burg për veprat penale të kryerjes së veprimave arbitrare si edhe për falsifikim të dokumenteve shkollore. E sipas vendimit, dënimi ndaj Zotkaj është marrë pas kallëzimit të një vajze e cila e akuzonte për ngacmim seksual.

Ndërkohë rezulton se Adriatik Zotkaj, është dënuar edhe 5 herë me vendime penale. Në vitin 1985 nga Gjykata e Skraparit për akuzën e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”. Në vitin 1992 Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Për të vazhduar në vitin 2001 po gjykata e Skraprarit e ka dënuar me 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të rendit e më pas dënim me një tjetër vendim në vitin 2006 nga Gjykata e Beratit.

Lexo edhe:

Jonathan Bailey shpallet “Burri më seksi në botë për 2025”, pasuria e tij kap 1.9 milionë dollarë

Shumë kompani shqiptare pa mjek pune, pavarësisht detyrimit ligjor

Të dhëna premtuese, për rilindjen socialiste, që t’i besonte Zotkajt për vite me radhë këtë bashki, e në mënyrë enigmatike të pastronte çdo njollë të CV-ja e tij.

Madje, Zotkaj gjeti edhe një mbështetje të panjohur më parë, kur Prokuroria e Përgjtishme kërkoi shkarkimin e tij për shkak të fshehjes së dënimeve, që siç ai vetë deklaronte, sulmet ishin politike.

Këto të dhëna, duket se nuk janë aq rastësore për të, pasi të njëjtin historik të marrëdhënieve me ligjin, e pasojnë edhe vëllai i tij, Artur Zotkaj, që edhe pse i akuzuar për kultivim dhe trafik droge, do të rehabilitohej gjithashtu në Bashkinë e Poliçanit.

Bashkia Poliçan çerdhe punësimesh për familjarët e Adriatik Zotkaj, krushku dhe djemtë pasurohen me para publike

Do të udhëtojmë sot në Bashkinë e Poliçanit, një qytet i vogël në zemër të Shqipërisë, por i harruar në mëshirën e një personi, kryebashkiakut Adriatik Zotkaj.

Në këtë emision do tju faktojmë, se si Adriatik Zotkaj nga një personazh me një CV të pasur dënimesh do të privatizonte në kuptimin e parë të fjalës, jo vetëm Bashkinë, por çdo qelizë të këtij qyteti. Me punësimin e familjarëve në postet, kyçe, privatizimin e çdo hapsirë që i vë syrin, me përfitimin e fondeve publike, madje duke diktuar edhe se kush duhet të jetoj e kush jo në këtë qytet.

Por le ti marrim me radhë…

Bashkia e Poliçanit është kthyer në një çerdhe punësimesh për Adriatik Zotkajn dhe familjarët e tij. Prej marrjes së mandatit të parë dhe deri më sot, Zotkaj nuk ka reshtur së punësuari familjarë dhe rrethin e ngusht të tij, ku 13 prej punonjësve të kësaj bashkie, janë familjarë të ngushtë të tij.

Maliq Zotkaj, djali i Adriatikut rezulton i punësuar si shef sektori në bashkinë drejtuar nga babai, ndërsa gruaja e tij Bernarda Kondi, në statusin e bashkëjetueses, është  përgjegjës sektori po në këtë bashki.

Adriatik Zotkaj është kujdesur edhe për krushqit dhe familjen e re të djalit. Vjehrra e të birit, Lindita Kondi është punësuar si i sekretare e Këshillit Bashkiak, ndërsa kunata e djalit, Marsilda Kondi është ekonomistja e Bashkisë.

Të njëjtin kujdes, Adriatik Zotkaj e ka patur edhe për vëllain e tij, Artur Zotkaj, i cili është i punësuar si zjarrëfikës në Bashkinë Poliçan.

Arturi, vëllai i kryebashkiakut rezulton një emër i njohur për publikun, pasi është arrestuar për trafik droge.

Artur Zotkaj u dënua me 1.4 vite burg, pasi në muajin shtator 2015, gjatë operacionit “Pronoviku”, në biznesin e tij janë gjetur dhe sekuestruar 19 kilogramë cannabis sativa.

Por duket se Poliçani ishte zonë e sigurt për të, pasi arriti t’i shpëtojë prangosjes deri në shtator të vitit 2024, kur ai u gjet i fshehur në hotelin e familjes Zotkaj në Malin e Tomorrit.

Bashkëshortja e Arturit dhe kunata e kryebashkiakut Zotkaj, Erjola Zotkaj punon gjithashtu Përgjegjës Sektori në Bashkinë Poliçan, ndërsa e motra e saj, Algerta Nurellari, është punonjëse e thjeshtë në këtë bashki.

Adriatik Zotkaj është kujdesur edhe për krushqinë pasi i punësuar në Ujsjellës Kanalizimet Poliçan rezulton edhe Abedin Nurellari, burri i Algertës. 

Në rrethim e familjarëve rezulton edhe motra e kryebashkiakut, Antigoni Kondi, që rezulton kryeinfermiere në qendrën shëndetësore Poliçan, ndërsa bashkëshorti i saj, Fatos Kondi punon si zjarrëfikës sëbashku me vëllain e Adriatikut.

Në listën e familjarëve të punësuar në bashki, janë edhe njerëzit e gruas. Sara Satka, vajza e Leonard Satkës, kunati i kryebashkiakut rezulton e punësuar në Bashkinë Poliçan, aktualisht është përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit për programin fillestar të magjistraturës 2025-2027.

Ajna Satka, gruaja e Mariglen Satka, kunati i Adriatikut, gjithashtu rezulton e punësuar.

Dhe në në fund punësimi i të gjithë krushqisë përmbyllet me Skënder Lazen vëllai i Lindita Kondit, krushka e kryebashkiakut.

Por këto punësime nuk janë të vetmet, por janë rrethi më i ngushtë i kryebashkiakut Adriatik Zotkajt që e ka zhytur këtë Bashki në nepotizëm.

Pjesa më e madhe të punësuarve në këtë bashki rezultojnë rrethi i ngushtë shoqëror i Adriatikut, të vëllait, të birit por edhe familjarëve të tyre të ngushtë.

Siç në rastet e tjera të denoncuara më herët për skemat e ngritura nga eksponentë të rilindjes, punësimet nepotike janë vetëm një anë e medaljes, pasi veç punësimit, befas ata rezultojnë edhe biznesmenë të suksesshëm, kjo fal tenderave të marra nga këto institucione në shkelje të ligjit.

Krushqia me kryebashkiakun ka rezultuar fitimprurëse për Ylli Kondin, babanë e nuses së djalit të Adriak Zotkës. Ylli Kondi, rezulton të ketë përfituar pronë e kontrata me firmë të krushkut.

Në një procedurë të datës 10 gusht 2018, Bashkia Poliçan vendosi ti jap kompanisë “Metaj Stone” sh.p.k prona dhe godinë me qera me një afat 20 vjeçar.

Prona publike e Bashkise Poliçan ka një sipërfaqe të përgjitshshme 12 400 m2 , dhe siperfaqe nën objekt ndërtesë 2310.4 m2 , për ta përdorur për, magazinimin dhe përpunimin e lëndës drusore, të materialeve të ndërtimit, instalimin e makinerive dhe pajisjeve teknologjike të ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë Poliçan, për zbatimin e projekteve në funksion të zhvillimit social-ekonomik të zonës, si dhe për realizimin e funksioneve ekonomike dhe të funksioneve të tjera sipas ligjit.

Qeraja e përcaktuar në këtë kontratë u është në masën 220 mijë lekë në muaj. Nga historiku i kësaj kompanie bie në sy disa transaksione dhe lëvizje pronësie, që duken të qëllimshme, për të shmangur pikërisht përballjen me ligjin.

Kompania ‘Metaj Stone shpk’ është themluar në janar të vitit 2018, me aksioner të vetëm Armand Metaj.

Në shtator 2018 lidhet kontrata me Bashkinë Poliçan për marrjen e godinës dhe sipërfaqes së tokës. Fill pas marrjes së kontratës nga ana e Bashkisë, në dhjetor të vitit 2019, Metaj vendos t’i shesë për vetëm 10 mijë lekë aksionet e kompanisë, Ylli Kondit, krushkut të Adriatik Zotkajt. Pas 4 viteve aktivitet, në vitin 2013 kjo kompani kalon në likujdim.

Sipas të dhënave të përfituara nga Faqja e Facebook e Maliq Zotkaj, djali i kryebashkiakut, shtetasi Armand Metaj është shoku i tij. Pra dyshimi në këtë rast është përdorja e shokut për të shmangur pasojat ligjore, që në fund kontrata e qirasë të përfitohej nga vjehrri i tij.

Ndërsa vjehrri merrte prona nga bashkia, Maliq Zotkaj rezulton veç shef bashkie dhe një biznesmen i suksesshëm tenderash e fondesh publike.

Në janar të vitit 2022, themelohet kompania G&M Construction me aksioner shtetasit Maliq Zotkaj 50% dhe Oligert Dyrmishi.  Ky i fundit, sipas të dhënave të pagave rezulton se paguhet si Drejtor për Ndërtimin dhe Punët Publike në Bashkinë Poliçan si dhe specialist në Ujësjellës Kanalizime Poliçan.

Pra mes Maliq Zotkajt dhe Oligert Dyrmishit, lidhja bëhet e dyfishtë, jo vetëm koleg, por edhe përfitues të milionave nga kompania, që si emër i kanë vënë dy gërmat e para të emrit të tyre.

Që në vitin e parë të themelimit, nis xhiroja marramëndëse me faturimin e 28 milionë lekëve apo 280 mijë euro.

Në vitin 2023, puna katërfishohet dhe faturimi arrin në 840 mijë euro. Ndërkohë në vitin e ardhshëm sërish suksesi vijon me një xhiro prej 1. 6 milionë euro.

Por kjo kompani nuk rezulton një biznes, që fal vizionit të dy të rinjve arrin sukses në treg.

Kompania G & M rezulton një përfituese sistematike e fondeve publike dhe e taksave të qytetarëve.

Kontribut të madh në këtë sukses duket se e kanë kolegët e Adriatik Zotkajt dhe marrëdhënia me bashkitë përreth. Bie në sy edhe fakti që thuajse të gjitha tenderat janë pa garë dhe me shkelje.

Në korrik të vitit 2024, Bashkia Dimal i jep tender në vlerën 7. 4 milionë lekë të reja kompanisë së djalit të Adriatik Zotkajt. Tender me shkelje e me flamur të kuq. Po në të njëjtin vit, por në një tender me shkelje, kompania e Maliq Zotkajt në bashkëpunim me kompaninë Colombo fitojnë tenderin për rindërtim godinash në vlerën 18 milionë lekë.

Po në bashkëpunim me Colombo, G & M, fitojnë pa garë e me shkelje tenderin 420 mijë euro nga Bashkia Fushë Arrëz për rikonstruksionin e një kopshti. Po në bashkëpunim me kompaninë Colombo në tetor të vitit 2024, fiton tender me vlerë 380 mijë euro.

Një tjetër tender në bashkëpunim me kompaninë AGBES, G & M e ka fituar në Bashkinë Këlcyrë në tetor të vitit 2024, ndërsa në shkurt të vitit 2025 fitojnë tenderin në vlerë 7 milionë lekë të reja në Bashkinë e Gramshit.

Të gjitha tenderat janë me shkelje me flamur të kuq. Por ajo që ngre pikpyetje edhe më të mëdha është fakti, se kjo kompani pa asnjë lloj eksperience dhe mbi të gjitha pa asnjë mjet apo makineri në dispozicion fiton tendera dhe para publike.

Ndërsa kolegët e babit japin tendera me shkelje, duket se Adriatik Zotkaj nuk është kursyer as vetë për të firmosur para publike për fëmijët dhe familjarët e tij.

Të dhënat e siguruara nga Dega e Thesarit tregojnë se nga shtatori 2019 deri në dhjetor 2021, Endi Zotkaj, që zotëronte një biznes farmacish ka përfituar 20 pagesa nga Qendra Polivalente e Poliçanit, Bashkia e Poliçanit dhe Bashkia e Çorovodës.

Vlerat e pagesave variojnë, por ato kulmojnë me procedurën urgjente të Bashkisë së Poliçanit katër ditë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës nga COVID në 2020, ku për doreza, maska e dezinfektantë Adriatik Zotkaj paguan djalin e tij, Endi Zotkaj me paratë e taksapaguesve plot 14 milionë lekë të vjetra.

Pasi ekzistonte për të përfituar kryesisht fonde publike, në mars të vitit 2024, djali i kryebashkiakut vendos të pezullojë aktivitetin e Farmacisë. Ose të paktën kështu rezulton në dokumentet zyrtare, në mos edhe në këtë rast jemi përballë ndryshimit të emrave për shmangien e përgjegjësive ligjore.

Në këtë puntatë, Emisioni Plug ka analizuar vetëm të dhënat për shkeljet ligjore dhe miliona euro të përfituara nga Adriatik Zotkaj në emër të familjarëve, por historia rëndohet edhe më tej me skemat e dhënies së tenderave kompanive të shokëve, miqëve dhe bashkëpunëtorëve politikë nga kryebashkiaku i Poliçanit.

Kaq sa ndoqët janë pasqyra e qartë për këdo institucion drejtësie, që jemi përball shkeljeve të rënda ligjore dhe veprave penale që si dënim kanë burgut. Por gjithçka bëhet për paratë. Në vijim do ju sjellim se si karriera e Adriatik Zotkajt dhe këto manovra në kurriz të taksave të qytetarëve kanë sjellë pasurimin e tij dhe familjarëve.

Adriatik Zotkaj pasuri miliona euro, ILDKPI e paditi në Prokurori. Ja si shpëtoi ‘agai’ i Poliçanit

Në vitin 2003, Adriatik Zotkaj hyn në zyrën e kryetarit të Bashkisë Poliçan. Në deklarimin e parë të pasurisë, ai tregon vetëm pagën e tij dhe të bashkëshortes, mësuese. Katër vite me radhë, dokumentet mbeten bosh: asnjë pronë, asnjë aset, vetëm rroga modeste. Por pas kësaj qetësie të dukshme, do të niste një histori krejt tjetër.

Nga dy paga modeste, sot Zotkaj rezulton një milioner, me biznese, pasuri të pafundme, e mjete luksoze. 

Kjo pasuri tërhoqi edhe vëmendjen e institucioneve kontrolluese si ILDKP apo Prokurorisë, por çuditërisht në fund, gjithçka përfundon në mënyrë enigmatike. Në vitin 2015, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, publikoi njoftimin se kërkonte hetimin dhe ndjekjen penale të kryetarit të Bashkisë Poliçan, Adriatik Maliq Zotkaj.

Pas një kontrolli të plotë mbi deklaratat e interesave private, u konstatuan një sërë shkeljesh flagrante.

Sipas këtij kontrolli pasurie, Adriatik Zotkaj, nga një pagamarrës befas ishte bërë pronar I një prej hoteleve më luksoze, “Perla e Tomorit. Sipas ILDKP, Adriatik Zotkaj kishte fshehur pasurinë me numër 12/107, në zonën kadastrale 3019, volumi 12, faqe 122.

Kishte fshehur pasurinë nr. 24/2, në ZK 3666, Volumi 1, faqe 221, të regjistruar në emër të firmës “Perla e Tomorrit”, ku administrator figuron vetë Adriatik Zotkaj.

Një truall prej 5000 metrash katrorë, mbi të cilin ishte ndërtuar një objekt me sipërfaqe 2200 metra katrorë, sipas lejes së ndërtimit të miratuar nga KRRT e Qarkut Berat, me vendimin nr. 5/18, datë 25 korrik 2008. Financues i ndërtimit ishte vetë subjekti, përmes kompanisë Perla e Tomorrit.

Zotkaj kishte fshehur gjithashtu pasurinë me numër 12/98 në ZK 3019. Kishte fshehur pasurinë me numër 197/2 në ZK 3666, volumi 1, faqe 228, me sipërfaqe 1100 metra katrorë, të regjistruar sipas kontratës së shit-blerjes nrsë datës 5 shtator 2012.

Por jo vetëm pronat, pasurimi i Adriatik Zotkajt vinte totalisht nga ilegaliteti. Nga hetimi I ILDKP-së rezultoi se ka fshehur automjete luksoze private por edhe automjete të rënda pune.

Një Audi A6, vit prodhimi 2005, me targa AA 550 IB. Një Nissan Patrol, vit prodhimi 2000, me targa AA 540 FC, i regjistruar në emër të të birit, Maliq Zotkaj si dhe një eskavator me vlerë 50 mijë euro i blerë në  janar të 2011-ës.

Hetimi zbuloi mungesë burimesh të ligjshme financiare për shlyerjen e menjëhershme të kredisë pranë Raiffeisen Bank, më 19 shkurt 2009.

Mungesë burimesh financiare për shlyerjen e kredive të tjera në vlerën 50 mijë euro në vitin 2008, 75 mijë euro në vitin 2011 dhe 30 mijë euro në vitin 2012. Me të ardhurat e deklaruara, shlyerja ishte e pamundur.

Sipas ILDKP-së Adriatik Zotkaj kishte fshehur të ardhurat e përfituara nga një kontratë qiraje me kompaninë Vodafone Albania. Në këtë kontratë, Adriatik dhe Mirela Zotkaj shfaqen si pronarë të një sipërfaqeje prej 1100 metrash katrorë, ku u ngrit stacioni radiofonik “Site 643A Tomorrica”.

Të ardhurat e qirasë derdheshin në një llogari të Union Bank, llogari e fshehur nga deklaratat. Ai kishte bërë deklarim të rremë kur tha se ishte larguar si administrator i shoqërisë ABG shpk, ndërkohë që vijonte rolin aktiv: lidhte kontrata për blerje asetesh dhe merrte kredi në bankat Union, Société Générale, Alpha Bank. Ai nuk kishte deklaruar shitjen e 65 për qind të aksioneve të shoqërisë ABG në vitet 2008–2009 dhe vijonte të zotëronte 35 për qind të aksioneve, në kundërshtim me ligjin, i cili ndalon kryebashkiakët të kenë aksione në kompani që ushtrojnë aktivitet në territorin që ata administrojnë.

Harresa e deklarimit të pasurisë nga Adriatik Zotkaj duket ose si një problem kronik, ose një shkelje flagrante e ligjit. Nga hetimi rezultoi se Zotkaj kishte harruar të deklaronte edhe kredi prej 1 milionë eurosh  të përfituar në Société Générale Albania, dhe çuditërisht, këto para nuk kishin një deklarim të ligjshëm.

Dhe për të gjitha këto mosdeklarime, harresa, fshehje pasurie dhe shkelje të rënda ligjore, deri në dyshime për korrupsion e pastrim parash, ILDKPKI bëri kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme, kallëzim i cili do të ndalemi në fund të këtij emisioni.

Po le ta shohim me radhë të gjithë kronologjinë e Adriatik Zotkajt, një i dënuar me pesë vendime, që hyri në Bashkinë e Poliçanit si pagamarrës me pamjaftueshmëri jetese dhe sot rezulton një nga personazhet më të pasur të Shqipërisë.

Nga viti 2003 deri në vitin 2006. Zotkaj deklaron vetëm pagat. Asnjë pasuri, asnjë llogari, asnjë pronë. Vetëm rroga e tij dhe e bashkëshortes mësuese. Por në vitin 2007, gjithçka ndryshon. Ai deklaron se është themelues 100 për qind i kompanisë “Perla e Tomorrit”. Po atë vit merr një kredi prej 50 mijë eurosh, me këst vjetor 14.719 euro. Me të ardhura vetëm 1.466.556 lekë, Zotkaj nuk kishte mundësi as të paguante këstin, e jo më të mbulonte jetesën për veten, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Në vitin 2008, deklaron një tjetër kredi prej 1 milion lekësh dhe një hua kolosale prej 19.7 milionë lekësh të reja nga kompania LANI shpk, në pronësi të Vladimir Kostës, ish-deputet i Partisë Socialiste, i përfshirë edhe në dosjen hetimore të Erion Veliajt. Edhe këtu, pyetja që mbetet pezull: si u miratuan këto kredi nga bankat, kur të ardhurat nuk e justifikonin as këstin më minimal?

Në vitin 2009, Zotkaj deklaron vetëm pagat, 1.447.300 lekë, dhe këstin e kredisë, 14.684 euro. Bilanci ishte sërish negativ. Ai nuk deklaron pagesat për kredinë 1 milion lekëshe. Në vitin 2010, deklaron pagat dhe borxhin tashmë 70 mijë euro, si dhe e ridelaron borxhin nga kompania LANI. Në vitin 2011, shuma e kredisë është 75 mijë euro. Në vitin 2012, sërish, bilanci negativ, me një kredi tjetër prej 30 mijë eurosh që nuk shfaqet në deklaratën e vitit.

Në vitin 2014, deklaron një pasuri prej 1100 metrash katrorë, e blerë sipas kontratës së 5 shtatorit 2012, por pa e deklaruar në kohë. Po atë vit, deklaron edhe qiranë me Vodafone prej 240 mijë lekësh. Një tjetër element i fshehur. Ai bëhet edhe garant i një kredie 1 milion euro të marrë nga kompania Perla e Tomorrit, nga e cila ishin shlyer 500 mijë euro pa deklaruar burimin pasi kjo kompani dilte vazhdimisht me humbje. Në vitin 2015, deklaron të ardhurat nga paga dhe qiranë, por edhe blerjen e një makine 280 mijë lekë nga i biri, Endi Zotkaj, vetëm 18 vjeç. Një tjetër bilanc negativ. Në vitin 2016 deklaron pagat, të ardhurat nga qeraja dhe kredinë 75.000 euro.

Në vitin 2017, për herë të parë deklaron pronën 5000 metra katrorë me ndërtesë, të regjistruar pas legalizimit, në emër të kompanisë ABG, të cilës i kishte ndryshuar emrin në vitin 2009, ose sic njihet publikisht Perla e Tomorit. Po atë vit, deklaron shitjen e makinës së të birit Endi, 4 mijë euro ose me fitim dyfishin e çmimit të blerjes. Ndërkohë, deklaron pagën e djalit Maliq, të punësuar në Bashkinë Poliçan por pa e specifikuar pasi ishte në konflikt interesi, nën drejtimin e të atit. Ndërsa Endi Zotkaj, vetëm 20 vjeç, rezulton i regjistruar si person fizik me objekt biznesi farmaci, pa qenë farmacist.

Në vitin 2018, bashkëshortja e Zotkajt merr një kredi prej 2 milion lekësh.

Në vitin 2019 deklaron të ardhurat nga pagat, qeraja dhe farmacia e të birit. Deklarojnë se kanë marrë një kredi 50 mijë euro për të blerë një apartament 116 m2 në vlerën 77.836 euro. Sipas deklarimit për këtë banesë tashmë në pronësi të familjes Zotkaj do të paguhej kësti i parë 50.000 euro kurse kësti i 2 dhe i 3 do të paguheshin pasi të shlyej kredia e cila ka një afat 15 vjeçar. Pra e thënë në mënyrë të përmbledhur, individi ose kompania që i ka shitur apartamentin Adriatikut do marrë vetëm 50.000 euro kurse diferencën 27.000 euro do e marrë pas 15 vitesh por apartamentin kalon që në momentin e parë në pronësi të tyre.

Po në këtë vit i biri Maliq Zotkaj deklaron se ka në pronësi dhe një tjetër apartamen 116 m2 në vlerë 76.096 euro por për shkak se banka nuk i ka miratuar kredinë, deklaruar kjo në ILDKPI, kjo pronë do kaloj në emër të tij por do qëndrojë e bllokuar nga pala shitëse. Një tjetër akt i madh bamirësisë nga e njëjta palë shitëse e cila për dy pasuri në vlerë 153.932 euro do të marrë vetëm 50.000 euro e për të tjerat do presë por pronat do ja kalojë në pronësi të Familjes Zotkaj. Në këtë vit deklarohet për herë të parë bashkëjetuesja e Maliq Zotkaj, shtetasja Bernarda Kondi. Ajo deklaron të ardhurat nga pagat por duke harruar një detaj që dhe ajo është e punësuar pranë Bashkisë Poliçan.

Por Bernarda Kondi do të duhej të ishte deklaruar më parë nga Maliq Zotkaj pasi kanë bashkë një femijë të lindur që në vitin 2017. Por edhe ky detaj mund të jetë mbajtur i fshehtë për shkak të tenderit të fituar nga kompania Metaj Stone nga Bashkia Poliçan. Sipas deklarimit bashkëshortja dhe femijët kanë dhe disa detyrime të tjera si overdrafte pagash apo karta krediti. Në vitin 2021 deklarojnë se tashmë kanë marrë dhe një tjetër borxh në vlerën 76.096 nga një subjekt/individ që nuk dihet për të mbuluar blerjen e shtëpisë së dytë pasi banka nuk u miratoi kredinë pasi ishin në pamundësi financiare me bilanc negativ.

Në vitin 2021, Endi Zotkaj deklaron pronësi mbi 4500 metra tokë, të blerë në çmime qesharake: 70 lekë për metër katror, 54 lekë për metër katror, dhe një kullotë prej 1100 metrash dhuratë pa dhurues të deklaruar.

Në total për vitin 2023 Endi Zotkaj deklaron se ka në pronësi 4.500 m2 tokë, për vitin 2022 nuk ka deklaratë në portalin Open Data Albania.

Në vitin 2023 deklarojnë të ardhurat nga pagat. Maliq Zotkaj deklaron se zotëron aksionet në kompaninë G&M Construction dhe se ka përfituar 2.500.000 leë divident nga kjo kompani dhe pse në vendimin e Asamblesë të depozituar në QKB deklarojnë se fitimi I kompanisë të sapohapur në vitin 2022 do të kalohet për investime në vitin 2023.

Në këtë deklaratë shohim së Adriatik Zotkaj deklaron një huamarrje jo bankarë për të cilën deklaron se në vitin 2023 ka shlyer shumën 1.890.000 lekë dhe ka mbetur pa shlyer shuma 895.000 lekë.

Çifti Zotkaj ka të ardhura nga pagat dhe qeraja në vlerën 1.998.506 lekë. Po në këtë vit deklarojnë se kanë shlyer detyrimet per kredite në vlerën 1.042.692 lekë. Por bilanci këtë vit është pozitiv pasi shpëtohet nga të ardhurat e djemve biznesmen në vlerën 8.000.000 lekë.

Dhe pse të ardhura të mjaftueshme të cilat do të duhet të hetohen nga SPAK nëse realisht janë shpërndarë si divident apo janë kryer vetëm veprime fiktive për justifikimin e të ardhurave pasi siç do e sqarojmë dhe më pas biznesi si person fizik i të birit Endi Zotkaj i quajtur Perla e Tomorrit nuk ka deklaruar ku është gjetur vlera e investimit për të ndërtuar një super hotel luksoz me 12 dhoma, një super restorant që mund të akomodojë në hapsirën e brendshme 130 persona. Deklarime këto të bëra nga Endi Zotkaj në mediat Kombëtare.

Në vitin 2023, Adriatik Zotkaj deklaron se Endi Zotkaj ka përfituar me anë të dhurimit Arë + Trual 3.090 m2. Në vitin 2024 deklarojnë se kanë shlyer kredinë 50.000 euro ndërsa djemt Endi dhe Mliq Zotkaj deklarojnë se kanë marrë kredi në vlerën 5 milionë lekë. Në këto deklarata nuk jepen më të dhëna për bashkëjetuesen Bernarda Kondi. Ne vitin 2024 dhe 2025, Endi Zotkaj ka dhënë dy intervista pranë Top Channel në resortin perla e tomorrit. Nga pamjet filmike shihet qartë se hoteli është ngritur afer fabrikës së ujit BORA. Një kompani e themeluar nga I ati por që sot ka vetëm 35% të aksioneve.

Sipas Endit, gjatë intervistës fillestare fillimisht hoteli ka patur 6 dhoma dhe është vendosur në ambjentet e dhomave të fjetjes së punëtorëve të fabrikës dhe më pas në vitin 2020-2021 është riinvestuar. Nuk dihet sesi i kanë marrë ato ambjente pasi kompania e themeluar nga i jati i fabrikës së ujit Bora është një kompani që ka daleë vazhdimisht me humbje dhe se prona ishte e të gjithë pronarëve e sot është kolateral i bllokuar deri në momentin që blerësi i ri do shlyej detyrimin 1.5 milione euro për blerjen e 62% të aksioneve. Bilanci i fundit i depozituar në QKB është viti 2021 nga i cili kuptohet se prej vitesh kjo kompani nuk deklaron të ardhura, pra as të ardhura nga qeradhënia, siç do të duhej nëse ja kanë dhënë Endi Zotkaj.

Kujtojmë se Endi Zotkaj rezulton aksioner në 3 kompani:
Endi Zotkaj PF regjistruar në vitin 2017 me objekt farmaci ADRIEN.
Ky subjekt ka përfitar të ardhura nga Bashkia Poliçan në vlerën 1.700.000 lekë.

Ky subjekt nuk ka ushtruar tjetër aktivitet dhe nuk ka asnjë adresë të regjistruar në Perlën e Tomorrit. Subjekti ka pezulluar aktivitetin në mars të vitit 2024.

Në mars të vitit 2021 themelohet kompania Perla e Tomorrit – EZ shpk, me objekt veprimtari të ndryshme në fushën e agroturizmit. Adresa është Fshati UJANIK, pikërisht ku është ndërtuar resorti Perla e Tomorrit. Por tashmë sipas deklarimeve të Endi Zotkaj, hoteli ishte në funksion dhe priste klientë, mes vështirësive pasi rruga ende nuk ishte bërë që në vitin 2020. Në tetor të vitit 2024 regjistron një adresë dytësore në tiranë në rrugën Irfan Tomini në njësinë 5. Ku specifikohet se është njësi 45.5 m2.

Gazetarët tanë e gjetën këtë ambjent dhe aty shiten bulmete të ndryshme që vijnë nga baxho e familjes Zotkaj, sipas deklarimeve të Endit në Top Channel.

Ky subjekt ka depozituar bilanc vetëm në vitin 2024 ku shihet se faturimi për vitet 2023-2024 janë në vlerën 17.000.000 lekë. Nuk ka asnjë asset/investim të deklaruar. Por as qeramarrje afatgjatë të asetit në përdorim. Në tetor të vitit 2023 themelohet kompania EZ-Group, me adresë Fabrikën e Ujit Bora ku aksioner është me 35% i ati. Objekti i aktivitetit është pikërisht tregtimi i ujit. Ky subjekt nuk ka deklaruar bilancet për vitet 2023-2024 dhe ne qershor te vitit 2025 kompania ka kaluar ne likujdim.

ILDKP-i në Kallëzimin e saj në vitin 2015, i ka listuar Prokurorisë së Përgjithshme të gjitha shkeljet e kryera nga Adriatik Zotkaj, duke kërkuar hetimin e tij për veprat penale, për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të produkteve të veprës penale, por ndërsa Prokuroria në mënyrë enigmatike nuk vepronte, Zotkaj vijonte me pasurimin. Emisioni plug iu drejtua me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Përgjitshme se çfarë kishte ndodhur me hetimin e Adriatik Zotkaj, por përgjigja ishte e pritshme, çështja ishte deleguar në Prokurorinë e Rethit të Beratit.

Kallëzimi penal i ardhur nga ILDKPI, kundër shtetasit Adriatik Zotkaj, me detyrë Kryetar i Bashkisë Poliçan, për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2, 248 dhe 287 të Kodit Penal, i është dërguar për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat. Për informacion të mëtejshëm duhet ti drejtoheni kësaj prokuroie. Duke ju falendëruar për mirëkuptimin.

Strategjia dhe mënyra mbetet e njëjtë. Ajo që po ndodh me Shqipërinë nga Rilindja dhe Edi Rama, po zbatohet me përpikmëri edhe nga çdo kryebashkiak. Privatizim institucionesh, vjedhje fondesh e pronash e në fund me një listë të gjatë pasurimi, që duket se nuk ndalet kurrë. Përballë janë institucuionet ligjzbatuese, që me mosveprimin e tyre, më së paku tregojnë paaftësi në mos më së shumti, e kanë ngjyer ndopak në pasurinë marramëndëse të krijuar nga beu i ri I Poliçanit.

Etiketa: Adriatik ZotkajBashkiaFisipasuriPolicanpune

Lajme të lidhura

SHOW BIZ

Jonathan Bailey shpallet “Burri më seksi në botë për 2025”, pasuria e tij kap 1.9 milionë dollarë

18:57 : 04/11/2025
AKTUALITET

Shumë kompani shqiptare pa mjek pune, pavarësisht detyrimit ligjor

10:34 : 04/11/2025
AKTUALITET

Sakot zaptojnë Jugun/ Njëri vëlla fushatë për bashkinë, tjetri merr 3 tendera brenda javës me kompaninë 2T

21:03 : 03/11/2025
AKTUALITET

Si u bë milioner ushtari i Ballukut, Ceno Klosi me vetëm 6 vite punë në shtet

11:04 : 03/11/2025
AKTUALITET

“Ky është dëbim”/ Projekti TID shemb historinë e dhjetra familjeve në Durrës

10:25 : 01/11/2025
AKTUALITET

“Legen, dil jashtë”/ Qytetarët në Kamëz “i zenë derën nga halli”, Rakip Suli i ofendon (VIDEO)

21:37 : 31/10/2025
Para

Incident ajror për Pete Hegseth, avion i shtetëror detyrohet të ulet urgjent në Britani

TË GJITHA

Pse Rusia po sakrifikon mijëra ushtarë për të marrë kontrollin e Pokrovskut?

09:17 : 05/11/2025

“Na kthe borxhin 30 mijë euro”, si 3 vëllezërit nga Librazhdi shantazhonin 29-vjeçarin

09:17 : 05/11/2025

Çudira nga Tirana/ Makina e parkuar “si në oborr privat” në ambientet e KQZ-së

08:59 : 05/11/2025

E rëndë në Tiranë, babai i tre fëmijëve i jep fund jetës, hidhet nga pallati

08:36 : 05/11/2025

Tragjedi në Bosnje e Hercegovinë! Azil i të moshuarve përfshihet nga flakët, 10 viktima

08:36 : 05/11/2025

A mund ta ndihmojë Moska Maduron e Venezuelës?

08:26 : 05/11/2025

Këmbimi valutor 5 nëntor/ Me sa blihen e shiten sot monedhat e huaja

08:22 : 05/11/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com