Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin pas vdekjes së dhjetëra fëmijëve në Indi si pasojë e përdorimit të disa shurupeve për kollën të prodhuara nga kompani vendase.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për tre produkte specifike: Coldrif, Respifresh TR dhe ReLife, të prodhuara nga kompanitë Sresan Pharmaceutical, Rednex Pharmaceuticals dhe Shape Pharma. Testet laboratorike zbuluan nivele të larta të dietilen glikolit, një substancë toksike që mund të shkaktojë dëmtime të rënda në veshka dhe sistemin nervor, madje edhe vdekje – sidomos tek fëmijët.
OBSH thekson se kjo nuk është hera e parë që në medikamente të prodhuara në Indi zbulohen kimikate të rrezikshme. Në vitin 2023, shurupe të ngjashme për kollën u lidhën me vdekjen e dhjetëra fëmijëve në Uzbekistan dhe Gambi.
Pas paralajmërimit të OBSH-së, autoritetet indiane urdhëruan ndalimin e menjëhershëm të prodhimit të këtyre barnave dhe pezulluan licencat e kompanive përkatëse. Produktet e kontaminuara janë tërhequr nga tregu dhe nuk janë eksportuar jashtë Indisë.
Në shtetin jugor të Tamil Nadu, ku ndodhet kompania Sresan Pharmaceuticals, autoritetet kanë mbyllur fabrikën dhe kanë arrestuar pronarin, ndërsa dy inspektorëve shtetërorë u janë hequr licencat për neglizhencë në detyrë.
Hetimet paraprake tregojnë se të paktën 19 fëmijë në shtetin Madhya Pradesh kanë humbur jetën pas konsumimit të shurupit Coldrif. OBSH nënvizon se ende nuk ka prova për eksport të paligjshëm, por kërkon nga të gjitha vendet që të verifikojnë nëse këto produkte janë në qarkullim dhe të ndalojnë menjëherë përdorimin e tyre.