Në fund të nëntorit të vitit të kaluar emisioni “Stop” transmetoi sesi “Vaji Ulliri Bio Jugu” në Facebook ofronte vaj me një çmim prej 500 lekësh për litër duke garantuar cilësi të lartë dhe vaj ulliri të sapoprodhuar me një numër të lartë të interesuarish.
“Stop” kontaktoi me administratorët e faqes dhe porositi 10 litra vaj. Pas porosisë, vaji erdhi me postë. Me emrin e kësaj firme, nuk u gjet asgjë në QKB, por përveç kësaj, një laboratori privat iu kërkua ta analizonte produktin. Profesor Sokol Abazi, ekspert në analiza kimike, tha se produkti nuk është vaj ulliri. Sipas tij, produkti i “Vaji Ulliri Bio Jugu” është jashtë çdo standardi, madje i rrezikshëm.
Babë e bir u vunën nën akuzë për “Fshehje të të ardhurave” dhe “Mashtrim me produktet ushqimore”, kryer në bashkëpunim. Gjykata e Beratit ka dënuar shitësin e vajit të ullirit, Alush Agalliu me 3 vjet e 4 muaj, ndërsa i biri, Demir Agalliu, do të bëjë 4 vjet shërbim prove.