Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Visho Ajazi Lika, ka rrëfyer një ngjarje të rëndë që, sipas tij, ndodhi gjatë periudhës kur drejtonte këtë institucion, lidhur me një kërcënim serioz terrorist ndaj një institucioni shtetëror shqiptar.
Duke folur në News 24, Ajazi bëri të ditur se informacioni erdhi nga një shërbim partner ndërkombëtar dhe përmbante të dhëna për një sulm të mundshëm që mund të ndodhte gjatë një fundjave.
“Kam marrë informacion nga një shërbim partner se mund të kishte sulm ndaj një institucioni shtetëror. Ishte fundjavë. Kam shkuar në orën 23:00 në zyrën e Kryeministrisë për të kërkuar takim urgjent, por kryeministri nuk ndodhej aty,” – tha Ajazi.
Sipas tij, pas njoftimit të kreut të qeverisë, u kërkua mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili u mblodh të nesërmen për të përcaktuar masat e nevojshme për neutralizimin e rrezikut.
“Ishte kërcënim terrorist. Të nesërmen u mblodh Këshilli i Sigurisë dhe përcaktoi detyrat. Kjo ishte detyra ime dhe u morën masat përkatëse. Kështu funksionon normalisht,” – shtoi ish-drejtori i SHISH.
Ajazi theksoi se SHISH është institucioni kryesor i sigurisë kombëtare, i cili mbledh dhe analizon informacione të natyrës inteligjente, duke i përcjellë ato tek strukturat kompetente, si Policia e Shtetit dhe Prokuroria, kur kërcënimet marrin përmasa ligjore.
Në përgjigje të pyetjes nëse ekziston një sistem paralajmërues apo monitorimi për kërcënime të tilla, Ajazi sqaroi:
“SHISH është në kontakte të ngushta me Ministrinë e Brendshme, të Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit. Nëse ka indicie për kërcënime, njoftojmë menjëherë Policinë. Në varësi të nivelit të rrezikut, përcaktohet mënyra e reagimit dhe koordinimi ndërinstitucional.”