Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Kastriot Ismailaj i cili kërkonte shfuqizimin e dënimit të tij.
Biznesmeni Ismailaj është dënuar me 11 vite burg në vitin 2017 nga Gjykata e Tiranës, për veprat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Këto akuza ishin ngritur ndaj tij në lidhje me marrëveshjen CEZ–DIA.
Ish-administrator i kompanisë DIA kërkonte me anë të ankimimit të paraqitur, shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Tiranës, Apelit dhe Gjykatës së Lartë, të cilat kishin lënë në fuqi dënimin e tij. Ismailaj kërkonte gjithashtu edhe rrëzimin e vendimit për konfiskimin e shumave 4.2 milionë dollarë, 450 mijë euro dhe 12 milionë lekë.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e tij. Biznesmeni i akuzuar për përvetësimin e 5 milionë eurove, aktualisht është në gjendje të lirë, pasi në vitin 2023 ka përfunduar dënimin e tij.