Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje gjatë një seance gjyqësore.
Sipas raportimeve gjyqtari Kalaja po zhvillonte një çështje administrative për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore kur një person i armatosur ka hyrë në sallën e gjyqit dhe e ka qëlluar me armë.
Përveç gjyqtarit, të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë është identifikuar dhe arrestuar autori i vrasjes së gjyqtarit Kalaja dhe plagosjes së dy personave të tjerë, sipas policisë ai është E.SH 30-vjeç.
Raportohet se autori ishte prej disa vitesh i përfshirë në gjyqe për çështje pronësie, por ende nuk dihet nëse vrasja ka lidhje me këto procese.
Astrit Kalaja u emërua gjyqtar në vitin 1993, ka shërbyer si zv.kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër dhe si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2019 u konfirmua në detyrë pas procesit të Vettingut.
- Njoftimi i policisë
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
- PD kërkon dorëheqjen e ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë
Pas vrasjes së gjyqtarit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë.
Bardhi ka theksuar se ngjarja tronditëse është pasojë e mungesës së sigurisë në gjykata dhe ka lidhur këtë situatë me sulmet e kryeministrit ndaj vendimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai ka vënë në dukje se nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.
“Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të japë vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu, si përgjegjës për sigurinë në gjykata, duhet të japin dorëheqjen si akt përgjegjshmërie”, shkruan Bardhi.
- Autori pranon krimin
Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, E. Shkambi, ka pranuar autorësinë e krimit, por mbeten të paqarta rrethanat se si i riu arriti të depërtojë brenda sallës së gjyqit i armatosur.
- Berisha: Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të shëmtuar dhe kriminal.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha thekson se vrasja është dëshmi e qartë e kontrollit që ka krimi mbi rendin dhe pasigurisë në vend, duke kërkuar dënimin më të rreptë ligjor për autorin dhe të gjithë përfshirësit në këtë ngjarje të rëndë.
“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja.
Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri në zyrën e tij, pra në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.
Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në brendësi të institucionit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.“, shkruan Berisha.
Rama:
- Rama: Duhet rishikimin i sistemit të sigurisë së gjykatave
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje dhe dy persona të tjerë u plagosën gjatë një procesi gjyqësor për çështje pronësie.
Rama i shprehu ngushëllimet familjes duke shtuar duhet rishikimin të sistemit të sigurisë së brendshme të gjykatave.
Reagimi i plotë
Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe
Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.
Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!
Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!
- OSBE: Sulm ndaj shtetit të së drejtës
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Në një njoftim zyrtar, OSBE shprehet e tronditur dhe e hidhëruar nga ngjarja, që mori jetën e gjyqtarit Kalaja dhe plagosi dy persona të tjerë.
OSBE i uroi shërim të shpejtë të të plagosurve dhe shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e gjyqtarit.
“Në sulmet kundër gjyqtarëve shohim një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Mirëpresim arrestimin e autorit dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë,” thuhet në deklaratë.
- Dinamika e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja
Autori i vrasjes ishte i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë një seance për një çështje pronësie, ku ai ishte palë.
Seanca u zhvillua normalisht deri në momentin kur gjyqtari Kalaja dha vendim në favor të palës kundërshtare të Shkëmbit, që gjithashtu mbetën të plagosur gjatë sulmit.
Pas dhënies së vendimit, Kalaja po largohej drejt korridorit të gjykatës kur Shkëmbi e qëlloi me armë. Menjëherë pas krimit, autori dorëzoi pistoletën rojës së sigurisë së gjykatës dhe u drejtua te oborri, ku e priste një patrullë policie. Ai nuk bëri rezistencë dhe u arrestua në vend.
- Dhoma e Avokatisë: Kambanë alarmi për sigurinë
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u vra në sallën e gjyqit.
Në reagim, kryetari i Dhomës së Avokatisë kërkon që institucionet e larta të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë të Gjyqësisë, Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, të analizojnë situatën dhe të marrin masa konkrete për sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve.
“Ngjarja është një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës. Për të gjithë profesionistët e drejtësisë, kjo është një thirrje alarmi për sigurimin e jetës dhe shëndetit të kolegëve, si dhe për përforcimin e ndërgjegjësimit të palëve në procese penale, civile dhe administrative”, thuhet në reagim.
- “Shfajësohet” Koçiu: Policia nuk ka përgjegjësi për sigurinë në gjykata!
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar lidhur me vrasjen brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, të gjyqtarit Astrit Kalaja.
Teksa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi dorëheqjen e saj, Koçiu kërkon që të shfajësohet, ku thekson në një postim në rrjetet sociale, se Policia e Shtetit nuk ka asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave.
Ajo dënon aktin kriminal, teksa thotë se është arrestuar autori Elvis Shkëmbi dhe se kanë angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës.
- Salianji: Goditje për themelet e shtetit ligjor
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka e cilësuar këtë ngjarje si një shfaqje të dobësisë së sistemeve të sigurisë dhe një goditje ndaj themeleve të shtetit ligjor.
Salianji thekson se dhuna brenda një institucioni të drejtësisë është më shumë se një krim i rëndë, pasi tregon dështimin e institucioneve për të mbrojtur magjistratët dhe qytetarët.
Ai shton se kjo ngjarje nuk mund të kalojë pa përgjegjësi dhe veprime të vendosura nga autoritetet.
“Dhuna ndaj magjistratëve është një tragjedi për familjet dhe kolegët, por gjithashtu një sinjal i qartë se institucionet nuk po përmbushin detyrën më themelore: të sigurojnë rendin dhe të mbrojnë qytetarin dhe ligjin”, shkruan Salianji.