Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja nga dosja e SPAK që lidhet me një prej ngjarjeve më të bujshme kriminale të viteve të fundit. Në emisionin “Kjo Javë” në News24, ajo tha se arrestimi i Enea Kumes, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Loer Kume, lidhet me ekzekutimin e Edmir Bregut në janar 2021.
Sipas Lalës, bëhet fjalë për një vrasje të porositur në shenjë hakmarrjeje nga Astrit Avdyli, i njohur ndryshe si kreu i grupit të Avdylajve. Hetimet e SPAK, të bazuara edhe në zbërthimin e komunikimeve të enkriptuara të SKY ECC, tregojnë se urdhri për eliminimin e Bregut erdhi pasi nipi i Avdylit, Aldo Avdyli, ishte shënjestruar për t’u vrarë, gjë që dyshohej se lidhej drejtpërdrejt me Bregun.
Në këtë skemë kriminale, sipas dosjes, Enea Kume ka luajtur rolin e informatorit, duke ndihmuar me të dhëna mbi lëvizjet e viktimës. Ndërkohë, për ekzekutimin e atentatit dyshohet se u përdor Alfred Doka, i cili besohet se ka vepruar kundrejt pagesës.
Lala theksoi se ky zhvillim shënon një tjetër goditje të rëndësishme ndaj grupeve të strukturuara kriminale, ndërsa rasti pritet të hapë një seri hetimesh të tjera që lidhen me konfliktet mes bandave.