Në përgjigje të detektimeve të dronëve që penguan trafikun ajror në Kopenhagë dhe në qytetin tjetër danez të Alborgut, Danimarka do të mirëpresë udhëheqësit evropian në kryeqytet më 1 dhe 2 tetor, për dy samite të sigurisë dhe mbrojtjes.
Suedia dhe Gjermania po ofrojnë mbrojtje shtesë kundër dronëve për fqinjin e tyre para takimeve. Takimet fillimisht do të përqendrohen në forcimin e mbrojtjes evropiane së bashku me Ukrainën dhe do të përfshijnë udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian u ka dërguar udhëheqësve një letër për diskutim, që e ka parë Radio Evropa e Lirë. Aty përmenden projekte ushtarake që blloku evropian duhet të realizojë në pesë vjetët e ardhshëm, me qëllimin që të arrihet një marrëveshje mbi një plan të detajuar kur udhëheqësit të takohen sërish në Bruksel në fund të tetorit.
Që në fillim, dokumenti heq çdo dyshim mbi arsyen pse kontinenti ka nevojë të rrisë shpenzimet për mbrojtje, duke thënë:
“Nevoja për përshpejtimin dhe intensifikimin e përpjekjeve pasqyron natyrën akute dhe në rritje të rreziqeve të sotme, si dhe peizazhin në zhvillim të kërcënimeve me të cilat Evropa dhe shtetet anëtare duhet të përballen, të përshtaten dhe përgatiten. Kjo nis me agresionin e paprovokuar, të paarsyetuar ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili po arrin në nivele të reja të brutalitetit dhe dhunës. Provokimet e papërgjegjshme ndaj shteteve anëtare, nga sulmet kibernetike deri te shkeljet e hapësirës ajrore, janë në rritje”.
Dokumenti përshkruan katër projekte kryesore që Brukseli duhet t’i financojë: Murin evropian kundër dronëve, Vëzhgimin e krahut lindor, Mburojën e hapësirës ajrore dhe Mburojën e hapësirës së mbrojtjes. Aty thuhet se veçanërisht dy projektet e para “kërkojnë urgjencë të veçantë dhe duhet të përparojnë me shpejtësi”.
Ndërsa, detajet do të diskutohen në një të ardhme të afërt, veçanërisht nga ministrat e Mbrojtjes të bllokut, në tekst u tha se muri kundër dronëve “do të dizajnohet si një zonë e thellë me shumë shtresa, do të pajiset me sisteme të teknologjive të avancuara me kapacitete të ndërveprueshme kundër dronëve, të ndjekjes dhe zbulimit si dhe me kapacitete për të goditur objektiva tokësore, duke shfrytëzuar teknologjinë e dronëve për sulme precize”.
Po ashtu, në dokument theksohet se BE-ja duhet të shfrytëzojë ekspertizën e Ukrainës për këtë çështje, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që tha më 30 shtator se KE-ja është pajtuar që të financojë prodhimin ukrainas të dronëve në vlerë prej 2 miliardë eurosh.
Vëzhgimi i krahut lindor është një projekt edhe më ambicioz që nuk synon vetëm dronët, por edhe luftimin e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë, lloje të tjera të operacioneve hibride brenda BE-së, por edhe operacioneve tradicionale si dhe agresionit të armatosur.
Në tekst theksohet se “synon të forcojë kufijtë lindorë sa i përket kërcënimeve nga toka, ajri e deti, duke kontribuar në sigurinë e gjithë bllokut” dhe bazohet në katër elemente: në mbrojtjen tokësore, sikurse fortifikimet dhe sistemet antimobilitet, murin evropian kundër dronëve, në sigurinë detare në Detin Baltik dhe Detin e Zi si dhe vëzhgimin e situatave nga hapësira.
Në dokument nuk përmende kosto konkrete, por vlen të theksohet se Komisioni Evropian ka propozuar që 131 miliardë euro të dedikohen për projekte të mbrojtjes në propozimin e tij për buxhetin e ardhshëm për periudhën 2028-2034.
Më herët gjatë këtij viti, Brukseli ofroi një hua prej 150 miliardë eurosh, e njohur si SAFE, për të nxitur prodhimin në fushën e mbrojtjes në gjithë bllokun. Deri më tani, 19 shtete të BE-së kanë përfituar nga ky fond, me Poloninë dhe Rumaninë që pritet të jenë përfituesit më të mëdhenj.
Sa i përket Ukrainës, udhëheqësit nuk pritet të bien dakord mbi një paketë të re të sanksioneve të propozuar në shtator. Disa kryeqytete, për shembull, ende kundërshtojnë propozimin për të eliminuar gradualisht importet e gazit të lëngshëm natyror rus deri në vitin 2027.
Për vazhdimin e ndihmës financiare nga BE-ja për Kievin, udhëheqësit shpresojnë të dëgjojnë më shumë nga Von der Leyen për idenë e saj për një “hua reparacioni” në vlerë prej 140 miliardë eurosh.
Ata po ashtu do të diskutojnë se si të tejkalojnë ngërçin mbi rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, pasi Hungaria për më shumë se një vit ka bllokuar hapjen e bisedimeve për shkak të asaj që Budapesti e vlerëson si mungesë e të drejtave për minoritetin hungarez në Ukrainë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka propozuar që të ndryshohet metodologjia e përgjithshme e anëtarësimit në BE, në mënyrë që hapja e kapitujve për anëtarësim të mundësohet përmes votimit nga shumica e kualifikuar (shumica e shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së), ndërkaq vetëm mbyllja e negociatave të kërkojë unanimitet.
Një ndryshim i tillë do të duhet të marrë dritën e gjelbër nga të gjitha kryeqytetet e BE-së, përfshirë Budapestin dhe një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, edhe pse një zyrtar i lartë i BE-së tha se Costa “nuk e ka përshtypjen që një gjë e tillë është krejtësisht e pamundur”.
Në ditën e dytë, më 2 tetor udhëheqësit evropianë do të takohen me përfaqësuesit e shteteve evropiane, që nuk janë pjesë e BE-së, për samitin e Komunitetit Politik Evropian. Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
Komuniteti Politik Evropian rrallë vendos për çështje, por duke pasur parasysh se krerët shtetërore të kontinentit – përjashtim bëjnë ata nga Bjellorusia, Rusia dhe Vatikani – do të mblidhen me një vend për gjashtë apo shtatë orë për “takime politike”, nga kjo ngjarje mund të dalin përfundime interesante.
Pritet që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të jetë i pranishëm, dhe duke qenë se kjo nuk është një mbledhje zyrtare e BE-së, ftesë i është dërguar edhe kryeministrit të kontestuar të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze.
Pas zgjedhjeve kundërthënëse parlamentare të mbajtura në Gjeorgji tetorin e vitit të kaluar, Brukseli vendosi të ndërpresë kontaktet e nivelit të lartë politik me Tbilisin, një vendim që shumica e përfaqësuesve të bllokut e respektojnë.
Përveç sesionit të Komunitetit Politik Evropian dhe kohës për takime dypalëshe, udhëheqësit do të ndahen në tri gupe punuese për tema që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rezistencën: Kërcënimet tradicionale dhe të reja; Siguria Ekonomike: Reduktimi i varësive evropiane; dhe Migracioni: Kontrolli Efektiv i Flukseve Migratore.
Diskutimet për temën e fundit pasqyrojnë një tendencë në rritje në kontinent drejt një qasjeje më të rreptë ndaj imigracionit, duke u larguar nga një politikë më liberale dhe duke vënë në pah kontrollet kufitare dhe luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Për shembull, teksti, të cilin e ka parë REL-i, pyet: “Ku duhet të përqendrojnë vendet e Komunitetit Politik Evropian përpjekjet tona për të përshpejtuar zbatimin e zgjidhjeve të reja dhe novatore, përfshirë edhe me vendet e origjinës dhe transitit?” dhe “Si të sigurojmë kthime efektive dhe dëbime më efektive të shtetasve të huaj kriminalë?”./REL