Presidenti Bajram Begaj ka vendosur të dekretojë këtë të mërkurë datën 9 nëntor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme vendore në Tiranë, si dhe në pesë bashki të tjera të vendit, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik
Zgjedhjet vijnë pas dorëheqjeve dhe zhvillimeve të fundit politike në këto bashki, duke i hapur rrugë procesit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj vendorë.
Përsa i përket Bashkisë Tiranë, ka një debat në lidhje me ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve të parakohshme. Kjo pasi Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, i marrë nga Këshilli i Ministrave me 25 shtator.
Ankimi i Veliajt pezullon automatikisht firmën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e tij si dhe bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim.
Edhe pse Veliaj i prishi planet treshes Rama-Balluku-Manastirliu, lideri duket se nuk heq dorë nga strategjia e tij. Ai vendosi të shfrytëzojë “gjeneral” Bajram Begajn, i cili është shndërruar në “ushtar” të kryeministrit, sapo ky e emëroi në krye të Shtetit.
Begaj iu bind urdhërit të liderit dhe dekretoi datën e re të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Duke bërë diçka të tillë, ndërkohë që ankimi i Erion Veliajt është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, atëherë Presidenti mund të shndërrohet vetë në subjekt të shkeljes kushtetuese dhe, rrjedhimisht, edhe subjekt i shkarkimit nga detyra.
- Njoftimi zyrtar i Presidencës
Presidenti i Republikës dekretoi sot ditën e dielë, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator 2025.
Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.
Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.
Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.
Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.
Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.
Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.
Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.
Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.
Duke shpallur zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti i Republikës bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor, sikurse shpreh dëshirën që qytetarët e këtyre bashkive të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht në këto zgjedhje.
- Ankimimi i Veliajt që i prishi planet Rama-Ballukut-Manastirliut
Erion Veliaj, i cili është marrë zyrtarisht i pandehur, i akuzuar për 13 vepra penale, si korrupsioni, fshehja e pasurisë, apo edhe favorizim i biznesmenëve në tenderat dhe lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës, i prishi planet Ramës, Manastirliut dhe Ballukut për zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.
Rama i njoftoi zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Tiranës që në mbledhjen e Asamblesë së PS-së më 11 shtator, kur edhe i dha urdhrin Këshillit Bashkiak që të shkarkonte Erion Veliajn. Në të njëjtën ditë, Rama bëri me dije se kandidatja e PS-së për Bashkinë e Tiranës do të jetë Ogerta Manastirliu.
Manastirliu në fakt i ka nisur prej kohësh punët për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, pasi edhe në zgjedhjet parlamentare ishte drejtuese politike e Qarkut.
Më pas, Rama vendosi se zv.kryeministrja Belinda Balluku do të drejtojë fushatën e Partisë Socialiste në Tiranë. Siç duket, Rama ka mbetur i kënaqur me arritjet e Ballukut më 11 Maj në Fier, ku u akuzua me dhjetëra herë nga opozita se kishte hedhur para dhe kishte përdorur presionin me bandat e krimit dhe trafikut të drogës që të mblidheshin vota për rilindjen.
Por gjithçka “ngriu” kur Erion Veliaj ankimoi vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj thotë se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkimin me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës ( i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve).
Veliaj thekson se shkarkimi mund të merrej vetëm kur të kishte një vendim të formës së prerë, pasi atëherë mund të cilësohej si një shkelje e rëndë e ligjit apo Kushtetutës. Por, në ankim, argumentohet se mosparaqitja e tij në detyrë është “rezultat i një pamundësie objektive”, pasi ndodhet prej 10 shkurtit në paraburgimin e Durrësit.
Ai arsyeton në kërkesën e tij se është Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ajo që i përcakton shkaqet për të cilat mund të shkarkohet kryetari i bashkisë dhe se Këshilli i Ministrave ka aplikuar një “kriter” të ri, që nuk gjendet në asnjë dispozitë juridike. Kjo normë e Kushtetutës, shton ai, është një garanci e posaçme kushtetuese, “që jo vetëm kufizon kompetencën e Këshillit të Ministrave, por edhe ngre një barrierë ndaj çdo tentative për të relativizuar mandatin e zgjedhur vendor nëpërmjet ndërhyrjeve të ligjvënësit.”
“Këshilli i Ministrave, në krye të vendimit të shkarkimit, ka cituar si bazë ligjore vetëm nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, sikur këto dispozita të ishin të mjaftueshme për të justifikuar kompetencën e tij. Me këtë qasje, do të pretendojë para kësaj Gjykate se akti nuk ka dalë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës. Por një pretendim i tillë është tërësisht i pabazë. Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ka përcaktuar shprehimisht se në cilat raste mund të shkarkohet Kryetari i Bashkisë. Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur.”, thuhet në ankimim.
Më tej, Veliaj thotë se pranimi i një akti të tillë nga Kushtetuesja do ta “zhvishte” këtë gjykatë nga kompetencat që i ka dhënë Kushtetuta. Ai thekson gjithashtu se nëse kjo qasje do të pranohej, do të krijohej një precedent i rrezikshëm për raste të tjera të ngjashme, duke anashkaluar Kushtetutën.
“Në thelb, nuk mund të përdoren instrumente të cilat, përdorin interpretime antikushtetuese të dispozitave ligjore, duke pretenduar ekzistencën e shkaqeve të reja të shkarkimit, përtej atyre kushtetuese, me synimin e arritjes së një rezultati që Kushtetuta nuk e ka parashikuar. Një qasje e tillë, përveçse e papranueshme në një shtet të së drejtës, do të rrënonte vetë funksionin e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e rendit kushtetues dhe e parimeve kushtetuese, si p.sh. ndarja e pushteteve.”, thuhet në ankim./ A.L., Boldnews.al
LEXO EDHE:
Vakanca për Bashkinë e Tiranës/ Rama ia ngec Presidentit, a do të shkelë Begaj Kushtetutën?