Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për shtetasin shqiptar Ervin Mata, i akuzuar nga autoritetet shqiptare për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe disa aktivitete të tjera kriminale.
Sipas mediave braziliane, urdhri është dhënë nga gjyqtari Alexandre de Moraes më 23 shtator, pas kërkesës për ekstradim nga autoritetet shqiptare.
Mata i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, dyshohet se është fshehur në Brazil prej vitesh, që pas nisjes së hetimeve ndaj tij në Shqipëri dhe në vendet e BE-së.
Akuzat ndaj Matës
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe informacioneve të përgjuara përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë.
Një nga rastet më të bujshme ku ai përmendet është tentativa për trafikimin e 69 kg kokainë, që ishte fshehur në një kontenier me lëng limoni dhe që u sekuestrua nga autoritetet braziliane në Portin e Santos, me destinacion për në Valencia, Spanjë.
Gjithashtu, hetimet e lidhin atë me një tjetër ngarkesë prej 240 kg kokaine, e kapur në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020.
Pas këtij operacioni të dështuar, besohet se Mata është larguar nga Europa dhe është vendosur në Brazil, ku autoritetet shqiptare e kanë lokalizuar më vonë.
Dyshime për vrasje me pagesë dhe pastrim parash
Përveç aktivitetit në trafikun e drogës, mediat e kanë lidhur Matën me projekte ndërtimi dhe pasuri të paluajtshme në Shqipëri, për të cilat pretendohet se janë financuar nga aktivitetet kriminale.
Në shteg të këtyre akuzave, ai është përmendur gjithashtu në konfrontime publike me figura të tjera kriminale shqiptare, si Ervis Martinaj, ku akuzat reciproke kanë bërë jehonë në mediat vendase.
Ervin Mata është shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Europë.
Në këtë grup kriminal prej 11 personash, të përfshirë janë dhe ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani (gjithashtu dhe kunati i Ervin Matës).
Sipas SPAK grupi kriminal dyshohet se ka lidhje me disa episode të sekuestrimit të trafikimit të lëndeve narkotike në Holandë, Brazili, Kolumbi, Spanjë si dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.
Nën hetim u vendos dhe Elvana Gjata, si partnerja e Ervin Matës, emri i të cilës doli disa herë në përgjime si “transferuese” e parave nga Ervin Mata për Erzen Breçanin.
Biznesmeni Ervin Mata njihet gjithashtu dhe për ‘Masakrën e Bllokut’ ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në vitin 2018. Në konfliktin e ndodhur në lokalin ‘Monopol’ që përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës, ishte i përfshirë dhe ‘mbreti’ i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, kundërshtar i Matës.
Ervis Martianj ka qenë i shoqëruar në lokal me Eljon Haten dhe 2 persona të tjerë, ndërsa në një tavolinë tjetër, Ervin Mata, e dashura e tij në atë kohë, Elvana Gjata, Fabio Alushi, Meviol Billo si dhe 2 të tjerë.
Rreth orës 21.30 në lokal shkoi Fabian Gaxha truproja i Ervis Martinit. Sapo e ka parë Mata i ka kërkuar të sqarohen për një ngacmim që i kishte bërë të dashurës së tij, këngëtares Elvana Gjata dhe një vajze tjetër të shoëbizit.
Duke parë tensionin pronari i lokalit Redi Popesku i kërkoi Elvanës të largohet. Sherri nisi kur Fabiani u afrua dhe Mata e ka goditur disa herë me grusht duke e ulur në tokë. Më pas në ndihmë të Fabianit erdhën Ervis Martini dhe Eljon Hate. Ky ishte momenti kur nisi shkëmbimi i zjarrit mes palëve dhe çasti kur Meviol Bilo një ekspert i armëve të zjarrit, qëlloi mbi grupin rival duke vrarë Fabian Gaxhan dhe duke plagosur Ervis Martinin dhe Eljon Haten.
Pas disa muajve në arrati, Mata u dorëzua në polici ku dhe u lirua plotësisht nga akuzat duke mohuar që të kishte qëlluar me armë në drejtim të viktimës apo të kishte dijeni se kush ishte autori.