Meta ka filluar të kalojë adoleshentët që përdorin Facebook dhe Messenger në llogari të reja të dizajnuara posaçërisht për ta, me më shumë masa sigurie dhe mundësi mbikëqyrjeje nga prindërit.
Kjo iniciativë vjen në kohën kur kompania njofton se “qindra miliona” adoleshentë tashmë janë aktivë në platformat e saj si Instagram, Facebook dhe Messenger. Llogaritë e posaçme për adoleshentët u prezantuan për herë të parë në Instagram një vit më parë, ndërsa në fillim të këtij viti ato filluan të jenë të disponueshme në Facebook dhe Messenger për përdoruesit në SHBA, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi. Tani, Meta po i shtrin këto llogari për adoleshentë në të gjithë globin.
Të gjithë përdoruesit adoleshentë do të kalojnë automatikisht në këto llogari të reja, të cilat janë bërë të detyrueshme për këtë kategori. Gjithashtu, për adoleshentët e moshës 13 deri në 15 vjeç, kërkohet leje prindërore për të bërë ndryshime në cilësimet e sigurisë.
Meta bën të ditur se përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar përdoruesit që mund të japin informacione të pasakta për moshën. Llogaritë e reja lejojnë prindërit të monitorojnë mënyrën si fëmijët e tyre përdorin platformat, duke përfshirë funksione për kontrollin e kohës së kaluar para ekranit dhe mbikëqyrjen e kontakteve me të cilët ata komunikojnë.
Për më tepër, këto llogari janë të pajisura me cilësime më të forta privatësie dhe sigurie, me qëllim kufizimin e ndërveprimeve mes adoleshentëve dhe të rriturve të panjohur.
Në të njëjtën kohë, Instagram po zgjerohet me programin e tij për të ndihmuar shkollat fillore dhe të mesme në SHBA që të raportojnë më shpejt rastet e ngacmimit dhe sjelljeve problematike. Deri tani, kjo nismë është zbatuar në bashkëpunim me një grup të përzgjedhur shkollash nëpërmjet një “programi partneriteti shkollor”.
Meta thotë se ka marrë komente pozitive nga institucionet pjesëmarrëse dhe se të gjitha shkollat në SHBA kanë mundësinë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e programit.