Të hënën, më datë 15 shtator 2025, gazetari Freard Rista dhe grupi i xhirimit të emisionit “Piranjat” u përball me sjellje agresive dhe fjalë fyese të disa djemve, të afërm të biznesmenit Refik Halili, në ambientet e jashtme të lokalit ku ky i fundit ishte ulur. Arsyeja se pse gazetari kërkoi të bisedonte me z.Halili, ishte për shkak të një denoncimi pranë redaksisë së emisionit “Piranjat“, nga z. Gjergji Kosta, jurist dhe përfaqësues ligjor i familjes Preza, pronare trualli në zonën mes rrugës së Dibrës dhe rrugës 4 Dëshmorët, aty ku është ndërtuar Kompleksi Halili.
Në vitin 2009, kur punimet kishin kohë që kishin nisur, z. Krenar Preza, si pronar toke nënshkroi një kontratë me kompaninë për pjesën e tij takuese, në bazë të % që ra dakord me ndërtuesin. Ai do të përfitonte 2 apartamente, 1 dyqan dhe 2 garazhe. Sipas nenit 3 të kontratës, afati i fundit për përfundimin e ndërtimit do të ishte data 5 Dhjetor 2010 dhe pika e fundit e nenit 6 e rithekson se shoqëria e ndërtimit do të dorëzojë apartamentet “me çelësa në dorë” brenda këtij afati.
Por gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve. Duke qenë se ecuria e punimeve ishte e ngadaltë dhe jo në përputhje me detyrimet kontraktore, z. Preza ndërmori hapin në vitin 2013 për ta çuar çështjen në Gjykatë përmes një kërkesë-padie kundrejt shoqërisë së ndërtimit Halili sh.p.k. Gjykata vendosi në favor të z. Preza në shkallë të parë dhe në favor të z. Preza edhe në shkallë të dytë. Në përfundim të gjykimit të Apelit në vitin 2017 vendimi mori formë të prerë dhe z. Preza iu drejtua zyrës së Përmbarimit për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës. Në këtë periudhë ndërmerret hapi i parë i paligjshëm i z. Refik Halili duke shitur dyqanin që ishte pjesë e përfitimit të z. Preza nga bashkëpronësia, ndërkohë që dyqani ishte nën masën e sigurisë, e cila ishte legjitimuar me vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës së Apelit.
Mirëpo paligjshmëria nuk mbaroi këtu, pasi dyqani u regjistrua në kadastër në emër të një personi të tretë, me një bashkëpunim perfekt mes ndërtuesit Refik Halili, noterit, përmbaruesit Pjetër Caka dhe punonjësit të kadastrës Refaen Laze, të cilët dolën edhe mbi Gjykatën.
“Paligjshmëria e zyrtarëve të korruptuar të kadastrës është evidente, pasi një vendim i Gjykatës i formës së prerë, me masë sigurie të ligjëruar, nuk lejon që ky send të jetë në qarkullim civil“, shprehet juristi Gjergji Kosta.
Po çfarë veprimesh antiligjore duheshin kryer që të shitej ajo pasuri që ishte nën masën e sigurimit të padisë me vendim gjykate?
1: Të hiqej masa e sigurimit të padisë nga sistemi kadastral;
2: Prona të jetë në emër të ndërtuesit;
3: Të firmoset në noter kontrata e shit-blerjes mes ndërtuesit dhe klientes.
“Kam bërë kontrollin nga A te ZH dhe nuk e kam gjetur masën e sigurimit të padisë ose një aplikim nga zyra e Tiranës që të aplikojë masën e sigurimit të padisë në hipotekë. E ka bërë gabim hipoteka. E ka regjistruar gabim. Unë e kam çuar për ta regjistru. Hipoteka gabimisht e ka futur në masë sigurimi padie. E ka vendos gabim“, justifikohet për gazetarin Freard Rista, përmbaruesi Pjetër Caka, ndërsa juristi i kadastrës Refaen Laze, justifikohet duke përdorur togfjalëshin “është shkrim kjo“, dhe në fund i zënë ngushtë, tenton t’i bëjë shantazh gazetarit duke i kërkuar emrin për ta mbajtur shënim.
Freardi: Kjo këtu ç’a është?
Refaen Laze: Po lëre more atë. O është shkrim ky.
Freardi: Përse e ke hequr këtë?
Refaen Laze: Ka ardhur me shkresë. Nga përmbaruesi.
Freardi: Ka përmbaruesi kompetencë që të urdhërojë kadastrën që të heqë masën e sigurimit të padisë?
Refaen Laze: Ma thuaj si e ke emrin ti?
Nga ana tjetër z.Refik Halili nuk dha asnjë shpjegim, pasi djemtë që i rrinë pas nuk e lejuan grupin e xhirimit t’i afrohet. Megjithatë duhet sqaruar se familja Preza për të marrë dëmshpërblimin e saj, kërkoi t’i bllokonte llogaritë bankare, por Halili i kishte zeruar të gjitha. Madje ishte në një tjetër gjyq paralel ku i dëmtuari i kërkonte Gjykatës që z.Halili t’i bllokoheshin 66% e aksioneve të Klubit Tirana, por Refik Halili në Gjykatë kërkoi që t’i zhbllokoheshin aksionet e klubit pasi ai kishte prona të tjera që mund t’i linte kolateral, por të gjitha ato prona ishin të përfituara nga familja Preza si pronare trualli.
Ç’emër mund t’i vihet kësaj serie paligjshmërish të konsumuara nga ky person, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të kundërshtojnë vendimet e gjykatës?
“Ka patur disa herë z. Preza bisedime me palën debitore dhe një nga situatat që ka ndodhur pas marrjes së vendimit të Gjykatës ku ndërtuesi ishte humbës, ishte ndërmjetësimi që bëri përmbaruesi. Ndodhi e paimagjinueshmja. z.Halili i kërkoi z.Preza të mos zbatonte vendimin e Gjykatës dhe kur z.Preza i tha që “unë jam fituesi” ai e qëllon me grusht dhe çështja përfundon në prokurori”, shpjegon juristi Gjergji Kosta.
Këtë agresion të zotit Halili ndaj një të moshuari, veç ekspertizave mjekësore e vërteton në dokumentin e prokurorisë edhe dëshmitari okular Baftjar Nela, përmbarues, i cili sipas Kodit Penal ka statusin e punonjësit të drejtësisë.
/Emisioni “Piranjat”