Ragip Gila, i dyshuar për masakrën e ndodhur në Shkodër, ka mbërritur sot në Gjykatën e Shkodrës, ku pritet të caktohet masa e sigurisë ndaj tij.
Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet arrest me burg. Gjyqtare në këtë masë sigurie është Ermira Dedja, ndërsa prokuror Pjerin Çukaj.
Ragip Gila, i dyshuar si autori i masakrës në Shkodër, në deklaratën e tij të parë pas arrestimit, është shprehur se shënjestra e tij ka qenë vetëm Erogen Vaso për shkak të një problemi personal.
Ai ka theksuar se Vaso e ka kërcënuar dhe ka pasur konflikte me të, duke e konsideruar si një njeri të fortë që i ka çuar fjalë.
Gila ka deklaruar se dëshironte të qëllonte vetëm Erogen Vason dhe nuk kishte probleme me personat e tjerë që u përfshinë në ngjarje.
Në lidhje me ngjarjen, dy persona, Armando Pali dhe Liridon Kraja, humbën jetën, ndërsa Erogen Vaso Brajoviç dhe kamarierja Meri Kaceri mbetën të plagosur.