Është ndarë nga jeta regjisori i madh i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Ai ka myllur sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare.
Lajmin e trishtë e ka bërë publik e bija, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan: “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti Ndërron jetë regjisori i madh Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”
Dhimitër Anagnosti konsiderohet si një nga mjeshtrat më të mëdhenj të ekranit shqiptar. Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe dhjetëra të tjerë. Ndër të tjera ai ka lënë gjurmë edhe si skenarist dhe autor librash.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai u vlerësua me tituj të lartë, mes tyre “Nderi i Kombit”, ndërsa ka shërbyer edhe si ministër i Kulturës në vitet ’90.
Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 janar 1936 dhe konsiderohet si një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.
Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.
Ai është autor i shumë filmave shqip:
* Gjoleka, djali i Abazit (2006)
* Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
* Përrallë nga e kaluara (1987)
* Gurët e shtëpisë sime (1985)
* Kujtime nga Gjirokastra (1983)
* Vëllezër dhe shokë (1982)
* Në shtëpinë tonë (1979)
* Monumenti (1977)
* Lulëkuqet mbi mure (1976)
* Kur hiqen maskat (1975)
* Cuca e maleve (1974)
* Përjetësi (1974)
* Motive nga dita e diel (1973)
* Malet me blerim mbuluar (1971)
* Parafabrikatet (1970)
* Plagë të vjetra (1968)
* Duel i heshtur (1967)
* Komisari i dritës (1966)
* Njeriu kurrë nuk vdes (1961).
Dhimitër Anagnosti, do të mbetet si një prej figurave më të dashura dhe më me ndikim në artin dhe kulturën shqiptare.