Nga pikëpamja meteorologjike, Europa është një kontinent relativisht i qetë. Uraganet, monsunet dhe stuhitë e rërës nuk e prekin. Por në një aspekt shqetësues, Europa veçohet: ajo po ngrohet më shpejt se kontinentet e tjera.
Që nga mesi i viteve ’90, temperaturat mesatare janë rritur me 0.53°C për dekadë, më shumë se dyfishi i mesatares globale mbi tokë prej 0.26°C. Këtë verë, pasojat ishin më të dukshme se kurrë.
Valët e të nxehtit goditën veriun e Europës në qershor dhe jugun në gusht. Sipas të dhënave të Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret Pyjore, deri më 19 gusht flakët përfshinë rreth 10,000 km² të territorit të Bashkimit Europian– gati katër herë më shumë se mesatarja e vitit 2006, prej vetëm 2,440 km².
Zjarret kanë përshkuar sipërfaqe të mëdha në Ballkan, Qipro, Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë, duke u afruar rrezikshëm edhe pranë qyteteve të mëdha si Madridi, Porto, Podgorica dhe Patra. Deri tani janë raportuar të paktën tetë viktima, por numri pritet të jetë më i lartë.
Përmasat e emergjencës kanë detyruar vendet e prekura të kërkojnë ndihmë nga mekanizmi i mbrojtjes civile të BE-së plot 17 herë – më shumë se kurrë më parë.
Portugalia është vendi më i goditur në raport me madhësinë e saj: flakët kanë përpirë rreth 2.9% të territorit, ose 2,600 kilometra katrorë – më shumë se e gjithë sipërfaqja e djegur në BE në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Spanjë janë shkatërruar mbi 4,000 kilometra katrorë tokë dhe rreth 30 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Shumë prej zjarreve kanë pasur një intensitet të jashtëzakonshëm, duke e bërë të pamundur kontrollin e tyre.
“Ka zona ku zjarret nuk mund të ndalen me asnjë mjet njerëzor,” deklaroi ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles. “Vetëm ndryshimi i kushteve të motit mund të na japë një shans për t’i vënë nën kontroll.”
Me rënien e temperaturave dhe reshjet e parashikuara, rreziku më i madh mund të jetë shmangur. Por mbetet pyetja nëse qeveritë qendrore dhe ato rajonale po bëjnë sa duhet. Në Spanjë, fondet publike për parandalimin e zjarreve janë përgjysmuar mes viteve 2009 dhe 2022, sipas një shoqate të industrisë pyjore.
Ndërkohë, ngrohja globale po e kthen një pjesë të madhe të zonave rurale të Europës në një “fuçi baruti”. Ajo që mungon është shkëndija ndezëse – që në shumicën e rasteve nuk vjen nga natyra, por nga njerëzit.
Një studim i viteve të fundit mbi shkaqet e zjarreve që mori të dhëna nga viti 2016 tregoi se, nga rastet ku u përcaktua origjina, vetëm 4% kishin si shkak fenomene natyrore si rrufeja. Rreth 39% ishin pasojë e aksidenteve apo pakujdesisë, ndërsa pjesa më e madhe, 57%, rezultuan zjarrvënie të qëllimshme.”
Në fillim të viteve 2000, policia pyjore e Italisë (CPS), një trupë që më vonë iu bashkua Karabinierëve, kreu një studim të detajuar me të dhënat e vitit 2001. Përqindja e zjarreve të shkaktuara nga zjarrvënia ishte 60%, pothuajse e njëjtë me shifrat e studimit të mëvonshëm në shkallë europiane.
CPS gjeti se vetëm rreth një në dhjetë raste kishin si shkaktarë piromanë ose persona me probleme mendore.
Arsyeja më e zakonshme ishte përpjekja për të pastruar tokën për kullota, e cila doli jashtë kontrollit. Zjarre të tjera vendoseshin qëllimisht, në mënyrë që zonat e djegura të ricilësoheshin më pas si të përshtatshme për ndërtim.
Është e qartë se nevojiten dënime më të ashpra për zjarrvënësit dhe garanci që tokat e shkatërruara nga flakët të mos përdoren më pas për kullota apo ndërtime. Po ashtu, vlen të mendohet me kujdes para se të shuhen ose të humbin autonominë trupat e specializuara, si CPS-ja italiane./ The Economist