TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL janë tre kompani të reja të hapur në tre ditët e parë të muajit Gusht 2025, të cilat kanë për shoqëri mëmë, kompaninë shtetërore KAYO sh.a, e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kompania u themelua në vitin 2024 dhe drejtohet nga Ardi Veliu, ndërsa ka trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzines së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzines Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan.
Mirëpo, shteti shqiptar duket se ka marrë seriozisht projektin për të prodhuar armë dhe municione në Shqipëri, pasi në ditët e para të Gushtit, janë krijuar tre kompani të reja të cilat për mëmë kanë “KAYO” dhe do të operojnë në fushën e mbrojtjes.
Sipas të dhënave nga databaza e “Open Corporates Albania”, bëhet fjalë për kompanitë TIMAK DEFENCE, M.K.D dhe GUNA TACTICAL, të cilat zotërohen respektivisht:
- TIMAK DEFENCE – Zotërohet 80% nga Arjeta Puca dhe 20% nga KAYO
Objekti i veprimtarisë së Shoqërisë është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike te posaçme me një arkitekturë të hapur që lejon instalimin e sistemeve të armatimit, siç janë armët automatike, sistemet e artilerisë, pajisjet antidron, mbrojtje aktive e mjetit, pajisje për përdorim urban dhe çdo sistem tjetër që kërkohet nga forcat e armatosura apo struktura te tjera te sigurisë, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.
- M.K.D – Zotërohet 80% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha dhe 20% KAYO
Objekti i veprimtarisë së Shoqërisë është prodhimi dhe tregtimi i municioneve të kalibrave të vegjël dhe të mesëm, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe objektivat e parashikuara në aktet normative për krijimin e Shoqërisë. Kjo përfshin prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura dhe për struktura të tjera të sigurisë.
- GUNA TACTICAL – Zotërohet 49% nga kompania MSSC e Emiljano Dusha dhe 51% KAYO
Projektimi, prodhimi, përpunimi, magazinimin, paketimi, promovimi, shpërndarja, tregtimi dhe eksportin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për strukturat e tjera të sigurisë dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.
Kompania shtetërore “Kayo” ka një bord me 7 anëtarë, administratorin Ardi Veliun dhe anëtarët: Ida Malile, Gjergji Methoxha, Ermal Nufi, Aleks Marku, Ervin Feti dhe Grestian Poçi. Kapitali i kësaj kompanie fillimisht është 150 milionë lekë. /Newsbomb.al