Një pacient që po trajtohet për tumor ka denoncuar mungesën e ilaçit jetik “Imatis”, i cili nuk ka arritur në farmaci për më shumë se tre javë.
Ai thotë se përgjigjet që ka marrë janë të paqarta: “Na thonë çdo ditë ‘Do vijnë nesër’, por asgjë nuk ka ndodhur”. Situata ka përkeqësuar gjendjen e pacientëve, disa prej të cilëve kanë pësuar rënie të ndjenjës dhe të fikët.
Pacienti apelon për ndërhyrjen urgjente të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar furnizimin me ilaç dhe për të garantuar vazhdimësinë e trajtimit. Ai tha: “Jam shumë i sëmurë dhe më duhet terapia. Ju lutem, postojeni, sepse situata është kritike për shumë pacientë si unë.”
Përshëndetje! Kam një shqetësim shumë të madh. Jam një person që jam operuar me tumor, dhe normalisht përfitoj mjekimin falas nga shteti, sepse në Shqipëri nuk i mban askush këto lloj ilaçesh “terapi”. Por kam rreth 3 javë që ilaçet nuk na i sjellin, për 1 mijë arsye të ndryshme. Unë përdor konkretisht ilaçin Imatis. Ju lutem, postojeni, sepse si puna ime jemi shumë veta që marrim terapi nga ky lloj ilaçi. Po na vdesin me dijeni. Ju lutem, postojeni. Faleminderit! Thjesht thonë: “Do vijnë, hajde nesër”. Kur shkon prapë, s’kanë ardhur akoma: “Hajde pas 2 ditësh”, edhe këto përgjigje çdo herë. Por ditët kalojnë, unë jam i sëmurë, më duhet terapia. Po ngaqë më ka rënë disa herë të fikët, u detyrova t’ju drejtohem juve për këtë gjë minimaliste që duhet patjetër të na japin ilaçet.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ministre Albana Kociu, si institucioni përgjegjës për furnizimin me ilaçe dhe menaxhimin e terapive mjekësore, duhet të ndërhyjë menjëherë për të siguruar që ilaçet të arrijnë dhe pacientët të mund të vazhdojnë trajtimin e nevojshëm për shërimin e tyre./JOQ