Aleanca e Profesionistëve të Lirë, i është drejtuar me një letër publike ministrit të Financave Petrit Malaj, ku kërkon që të përjashtohet nga tatimi banesa kryesore ku ai jeton nëse e shet.
Sipas aleancës, tatimi me 15% për shitjen e banesës, është tepër e lartë dhe duhet të rishikohet në mbrojtjen e shtresave të mesme e të ulëta.
“Në shumicën e vendeve të BE-së, banesa kryesore e tatimpaguesit përjashtohet plotësisht ose i nënshtrohet një reduktimi të konsiderueshëm të tatimit mbi ndërtesat (deri në 80%). Ky model garanton mbrojtjen e strehimit bazë si e drejtë themelore sociale. Propozimi ynë është që: Banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike. Fitimi nga shitja e banesës kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, duke ndjekur modelin e OECD dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së”, thuhet në letër.
Po ashtu Aleanca e Profesionistëve të Lirë kërkon të ulet norma tatimore prej 15% edhe për banesat e tjera.
“Për pasuritë e tjera, tatimi mbi fitimin kapital të aplikohet në mënyrë progresive, por i korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostove të justifikuara financiare (p.sh. interesat hipotekore, shpenzimet e rikonstruksionit), për të siguruar që tatohet vetëm fitimi real dhe jo vlera e fryrë artificialisht nga tregu ose faktorë makroekonomikë”, vijon letra.
Kërkesa tjetër e bërë nga Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) është për diferencim të normës tatimore në bazë të qëllimit për cfarë përdoret banesa.
“Një sistem tatimor i drejtë duhet të bëjë dallim mes: Pasurive të destinuara për përdorim vetjak. Pasurive të destinuara për aktivitet ekonomik (qira, zhvillim, shitje). Pasurive të trashëguara për motive familjare dhe të përdorura në mënyrë sporadike (p.sh. shtëpi pushimi). Propozojmë që tatimi të jetë i diferencuar sipas destinacionit dhe qëllimit ekonomik të pasurisë, duke shmangur barazimin e padrejtë midis një prone të dytë të trashëguar dhe një portofoli investimesh të qëllimshëm në pasuri të paluajtshme. Kjo qasje siguron drejtësi fiskale, shmang penalizimin e familjeve dhe parandalon spekulimet e tepruara në treg”, vijon më tej letra.
Sa i takon rivlerësimit të pasurive të paluajtshme që pritet të nisë nga viti i ardhshëm, propozimi i tyre është që norma tatimore të mos jetë 5% sa është parashikuar në projektligj por të ulet të paktën në 3%.
Letra e plotë:
Të nderuar,
Në kuadër të procesit të konsultimit publik mbi reformimin e tatimit mbi pasuritë e paluajtshme, dhe duke u bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe vendeve të OECD-së, paraqesim për shqyrtim propozimet e mëposhtme. Qëllimi ynë është që politika tatimore në këtë fushë të balancojë interesin fiskal të shtetit me mbrojtjen e shtresave të mesme e të ulëta dhe të stimulojë një zhvillim të qëndrueshëm të tregut të pasurive të paluajtshme.
Mbrojtja e banesës kryesore dhe lehtësimi fiskal për strehimin bazë
Në shumicën e vendeve të BE-së, banesa kryesore e tatimpaguesit përjashtohet plotësisht ose i nënshtrohet një reduktimi të konsiderueshëm të tatimit mbi ndërtesat (deri në 80%). Ky model garanton mbrojtjen e strehimit bazë si e drejtë themelore sociale.
Propozimi ynë është që:
Banesa kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi ndërtesat ose të tatohet me një normë simbolike.
Fitimi nga shitja e banesës kryesore të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital, duke ndjekur modelin e OECD dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së.
Për pasuritë e tjera, tatimi mbi fitimin kapital të aplikohet në mënyrë progresive, por i korrigjuar për efektet e inflacionit dhe kostove të justifikuara financiare (p.sh. interesat hipotekore, shpenzimet e rikonstruksionit), për të siguruar që tatohet vetëm fitimi real dhe jo vlera e fryrë artificialisht nga tregu ose faktorë makroekonomikë.
Diferencimi i pasurive sipas destinacionit dhe origjinës
Një sistem tatimor i drejtë duhet të bëjë dallim mes:
Pasurive të destinuara për përdorim vetjak.
Pasurive të destinuara për aktivitet ekonomik (qira, zhvillim, shitje).
Pasurive të trashëguara për motive familjare dhe të përdorura në mënyrë sporadike (p.sh. shtëpi pushimi).
Propozojmë që tatimi të jetë i diferencuar sipas destinacionit dhe qëllimit ekonomik të pasurisë, duke shmangur barazimin e padrejtë midis një prone të dytë të trashëguar dhe një portofoli investimesh të qëllimshëm në pasuri të paluajtshme. Kjo qasje siguron drejtësi fiskale, shmang penalizimin e familjeve dhe parandalon spekulimet e tepruara në treg.
Përcaktimi i bazës tatimore mbi vlerën reale të tregut
Rekomandojmë që baza tatimore të përcaktohet mbi vlerën e tregut të pasurisë, të vlerësuar nga tregu i lirë dhe burime të besueshme të të dhënave. Referencat tatimore duhet të përdoren vetëm si mjet alternativ në këto raste:
Kur nuk ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme të tregut.
Kur çmimi i deklaruar është qartësisht fiktiv.
Kjo shmang diskriminimin tatimor dhe situatat ku pasuri me cilësi e vendndodhje të ndryshme tatohen në mënyrë identike.
Stimuj fiskalë për riinvestimin e të ardhurave
Për të nxitur qarkullimin e kapitalit dhe zhvillimin e sektorit të ndërtimit, propozojmë:
Rimbursim të plotë të tatimit mbi fitimin kapital kur të ardhurat nga shitja e pasurisë riinvestohen brenda 12 muajve nga transaksioni.
Ky mekanizëm, i zbatuar në Hungari, Itali, Gjermani dhe SHBA, ka gjeneruar rritje të ndjeshme të transaksioneve dhe punësimit në sektorin e ndërtimit.
Norma tatimore optimale dhe forcimi i mekanizmave të kontrollit
Bazuar në analizën e praktikave të kaluara, një normë tatimore jo më e lartë se 3% mbi ndërtesat dhe tokën e zëna është optimale për:
Rritjen e të ardhurave buxhetore përmes zgjerimit të bazës tatimore.
Uljen e nivelit të informalitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.
Nxitjen e transaksioneve dhe formalizimit të pronësisë.
Paralelisht, kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit mbi burimin e të ardhurave të përdorura në blerjen e pasurive të paluajtshme, për të parandaluar pastrimin e parave dhe për të mbrojtur integritetin e tregut.
Përfundim
Këto rekomandime synojnë të ndërtojnë një sistem tatimor mbi pasuritë e paluajtshme që është socialisht i drejtë, ekonomikisht nxitës dhe administrativisht i zbatueshëm e transparent. Besojmë se procesi i reformës duhet të zhvillohet me transparencë të plotë, me kohë të mjaftueshme për konsultim dhe me përfshirjen aktive të të gjithë aktorëve kryesorë: profesionistëve të fushës, qytetarëve, biznesit dhe administratës publike.
Në pritje të një procesi konsultimi konstruktiv, shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në mënyrë aktive dhe për të qenë pjesë e dialogut publik. Mbetemi në dispozicion për çdo sqarim teknik dhe diskutim të mëtejshëm, me synimin e përbashkët për të arritur një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë.