Prej orës 07:00 të mëngjesit të kësaj të shtune, forca të shumta të Policisë së Shtetit rrethuan godinën e televizionit News24 në zonën e Shkozës në Tiranë, duke kërkuar zbrazjen e saj.
Gazetarëve iu ndalua hyrja në godinë, teksa aty aktualisht ndodhen redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Televizionit më pas iu ndërpre energjia elektrike dhe në orën 07:36, sinjali i News 24 u ndërpre.
Qeveria miratoi më 12 mars 2025 një vendim që i kalon shoqërisë shtetërore KAYO pronësinë e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, ku një prej godinave ishte marrë me qira afatgjate nga telefizioni “News 24”. KAYO është një kompani shtetërore e prodhimit dhe tregtimit të armëve, e themeluar në vitin 2024.
Në krye të kompanisë shtetërore KAYO, Edi Rama ka vendosur ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, i cili udhëhiqte edhe aksionin e sotëm. Ai i kërkoi Policisë zbrazjen e godinës, pasi tashmë, sipas tij, ajo godinë i përkiste atij.
Ndërkohë, televizioni pretendoi se uniformat blu kishin zbarkuar aty pa asnjë vendim gjykate dhe se çështja është ende në proces gjyqësor. Po ashtu, aktin e sotëm e konsideronin si një sulm të Qeverisë ndaj medias.
Me gazetarët e News 24, të cilët shkuan ditën e sotme në punë, por ngelën në rrugë, u solidarizuan kolegët e tyre, teksa ata rrezikojnë që të mbeten pa punë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi nga institucionet shtetërore që të mos bllokojnë apo të ndërpresin punën e gazetarëve apo punën raportuese të kanalit informativ.
“Ne po ndjekim me vëmendje komunikimin dhe sqarimet e palëve në këtë përplasje e cila ka një histori pararendëse. UGSH është në alert për lirinë e medias dhe të ushtrimit të funksionit për gazetarët e këtij seti mediatik”, njoftoi zyra informuese e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Një reagim e pati edhe Asociacioni Gazetarëve të Shqipërisë. AGSH tha se “Ky veprim alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Asociacioni kërkoi largimin e policisë dhe që gazetarët dhe ekipi mediatik të lejohen të vijojnë transmetimet.
“Pamjet e sotme përpara katër mediave, i ngjajnë klimës mediatike në Rusi, dhe ky nuk është modeli për të cilin ne punojmë si shoqëri”, thuhet në reagimin e tyre
Në mbështetje të gazetarëve shkuan edhe shumë eksponentë të opozitës, teksa pati një reagim edhe nga lideri demokrat Sali Berisha.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha e konsideron aktin e sotëm si një akt prej xhelatit ndaj fjalës së lirë, teksa i kujton Edi Ramës dhe aktet e babait të tij në diktaturë, Kristaq Ramës. Sipas Berishës, me një akt hakmarrje primitive ndaj televizionit News 24, Edi Rama kërkon e mbrohet nga lajmi i paanshëm, debati i hapur dhe kritikat e bazuara ndaj tij dhe narkoqeverisë së tij.
“Me prerjen e sinjalit të News24 Ramaduro kreu një akt prej xhelati ndaj fjalës së lirë. Në traditën e babait të tij biologjik Kristaq Rama që në 10 gusht 1988 firmosi varjen publike në litar të poetit disident Havzi Nela, Ramaduro më 11 gusht 2025 rrethoi me polici dhe urdhëroi xhelatët e tij të fjalës së lirë të ndërpresin sinjalin e televizionit të News24, një nga burimet kryesore e të pakta të informacionit të pavarur në Shqipëri. Duke prerë në mënyrë brutale sinjalin e News24 në një akt hakmarrje primitive ndaj këtij televizioni, Edi Rama kërkon e mbrohet nga lajmi i paanshëm, debati i hapur dhe kritikat e bazuara ndaj tij dhe narkoqeverisë së tij dhe investigimet e guximshme gazetarëve të këtij televizioni të lidhjeve të tij dhe ministrave të tij me krimin dhe drogën dhe aferave të tyre korruptive.
Partia Demokratike shton se pas mbylljes së Agon Chanel dhe konfiskimit të Ora News, ky është televizioni i tretë që Edi Rama përpiqet të zhdukë vetëm e vetëm se narkodiktatori i Tiranës nuk i bleu dhe nuk i kontrolloi dot.
Partia Demokratike duke shprehur solidaritetin më të plotë me gazetarët dhe të gjithë punonjësit e News24 dënon me forcën më të madhe aktin hakmarrës primitiv prej xhelati të fjalës së lirë të Ramaduros dhe kërkon largimin e menjëhershëm të forcave policore nga territori i Televizionit News24, lirimin e menjëhershëm të sinjalit të këtij televizioni.” – shkroi lideri demokrat.
Berisha, në emër të Partisë Demokratike, u bëri thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë të dënojnë me forcën më të madhe aktin primitiv të Edi Ramës dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit News24.
Ndërkohë, lidhur me pretendimet e televizionit News 24 pati një reagim edhe nga Avokatura e Shtetit, e cila deklaroi se prej tre vitesh shoqërisë “Fokus Media News”, që ka në pronësi News24, i ka përfunduar kontrata e qirasë dhe se Gjykata e Apelit ka vendosur se ajo duhet ta lirojë ambientin.
“Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.
Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cënohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.” – thuhej në reagim.