Kreut të një bande mafioze në Budvë të Malit të Zi i është bërë atentat ditën e sotme në pishinën brenda një kompleksi hotelier në qytetin e Budvës, duke mbetur i plagosur.
Shënjestër e atentatit ka qenë Marko Ljubisha, i njohur me nofkën “Kan”. Ljubisha, një shtetas malazez, është kreu i bandës së Budvës, i afërt me klanin famëkeq “Shkalar”.
Dëshmitarë okularë kanë parë të gjithë ngjarjen, kur autori iu afrua objektivit dhe qëlloi disa herë më pistoletë në drejtim të tij.
Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara nga mediat vendase, një burrë i veshur me pantollona të shkurtra dhe me një çantë mbi shpatull, zbret nga shkallët e hotelit dhe i afrohet ‘Kanit’. Pasi qëllon disa herë mbi shënjestrën, ai arratiset me vrap.
Marko Ljubisha u plagos, por jeta e tij nuk është në rrezik, sipas raportimeve paraprake nga policia malazeze.
“Kan” është prej vitesh objektiv i sulmeve nga klani rival i Kavaçit në Mal të Zi, që ka tentuar disa herë ta eliminojë. Ai u ka shpëtuar të paktën pesë atentateve, dy herë në Beograd të Serbisë dhe tre herë në Budva.