Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka zhvilluar një takim me zyrtarët më të lartë të sigurisë për të finalizuar një strategji të re në lidhje me luftën 22-mujore në Rripin e Gazës. Mediat izraelite raportojnë se Netanyahu po favorizon një marrje të plotë ushtarake të territorit.
Kjo ndodh në një kohë kur presioni ndërkombëtar për një armëpushim vazhdon të rritet, për të lehtësuar krizën humanitare në enklavën palestineze të rrethuar. Përpjekjet për ndërmjetësimin e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit kanë dështuar. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se tetë persona kanë vdekur nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit, ndërsa 79 të tjerë janë vrarë nga sulmet izraelite.
Sipas deklaratës nga zyra e kryeministrit, Netanyahu ka mbajtur një “diskutim të kufizuar sigurie” që ka zgjatur rreth tre orë, ku shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, gjenerali Eyal Zamir, ka paraqitur disa opsione për vazhdimin e fushatës ushtarake në Gaza.
Një zyrtar izraelit konfirmoi për agjencinë Reuters se në takim morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe ministri për Çështje Strategjike, Ron Dermer, aleat i ngushtë i Netanyahut. Sipas kanalit televiziv izraelit Channel 12, duke cituar një burim nga zyra e kryeministrit, Netanyahu po anon nga ideja e vendosjes së kontrollit të plotë mbi Gazën. Ky do të ishte një kthim prapa nga vendimi i vitit 2005 për t’u tërhequr nga Gaza, ndërsa vijonte kontrolli mbi kufijtë e saj një vendim që partitë e djathta e fajësojnë për ngritjen e Hamasit.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Netanyahu synon një okupim të zgjatur të territorit, apo një operacion afatshkurtër për çmontimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite. Zyra e kryeministrit nuk komentoi mbi raportimet e Channel 12.
“Duhet ende të përfundojmë shkatërrimin e armikut në Gaza, të lirojmë pengjet tona dhe të sigurojmë që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin,” tha Netanyahu gjatë një fjalimi para rekrutëve të rinj në një bazë ushtarake. Të shtunën, Hamasi publikoi një video ku shfaqej pengu izraelit Evyatar David në gjendje të rënduar shëndetësore, në dukje në një tunel nëntokësor. Pamjet shkaktuan tronditje në Izrael dhe zemërim ndërkombëtar.
Gjatë gjithë konfliktit, ka pasur presion të vazhdueshëm ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve të mbetura. Sipas autoriteteve izraelite, rreth 20 pengje mund të jenë ende gjallë. Shumica e pengjeve janë liruar gjatë armëpushimeve të arritura përmes ndërmjetësimit diplomatik. Armëpushimi i fundit është ndërprerë nga Izraeli.
Presion apo taktikë?
Një zyrtar palestinez deklaroi se paralajmërimi për një pushtim të plotë të Gazës mund të jetë një taktikë për të ushtruar presion ndaj Hamasit. Ndërkohë, Ministria e Jashtme Palestinase u bëri thirrje vendeve të huaja që të marrin seriozisht këto raportime.
“Ministria i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht për të parandaluar zbatimin e këtyre planeve, qofshin ato reale, test për reagimin ndërkombëtar apo thjesht mjete presioni,” thuhej në deklaratë. Qeveria aktuale izraelite, e konsideruar më e djathta dhe më konservatorja fetarisht në historinë e vendit, përfshin politikanë ekstremistë që mbështesin aneksimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor, si dhe nxitjen e palestinezëve për të lënë atdheun.
Konflikti pothuajse dyvjeçar ka lodhur ushtrinë izraelite, e cila ka një forcë të vogël aktive dhe është detyruar të mobilizojë vazhdimisht rezervistë. Ushtria ka shfaqur rezerva ndaj idesë së pushtimit të plotë të Gazës.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, një nga figurat më të djathta të koalicionit, sfidoi publikisht shefin e ushtrisë, Eyal Zamir, për të deklaruar nëse do të zbatonte vendimet e qeverisë, edhe nëse vendoset për pushtimin e të gjithë Gazës.
Zyra e Netanyahut theksoi se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit janë “të përgatitura për të zbatuar çdo vendim që do të marrë Kabineti Politiko-Sigurie.”
Krizë humanitare dhe uri ekstreme
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 251 pengje.
Reagimi ushtarak izraelit ka shkaktuar shkatërrim të madh në Gazën e vogël dhe të dendur me popullsi, duke vrarë më shumë se 61 mijë persona shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Ofensiva ka zhvendosur gati të gjithë popullsinë prej mbi 2 milionë banorësh, ndërsa monitoruesit ndërkombëtarë të urisë paralajmërojnë për një urie masive në zhvillim. Që nga fillimi i luftës, 188 palestinezë përfshirë 94 fëmijë kanë vdekur nga uria, sipas të dhënave nga Gaza.
Një zyrtar izraelit i sigurisë, në një deklaratë për gazetarët, pranoi se mund të ketë mungesa të theksuara ushqimi në disa zona të Gazës, por hodhi poshtë raportimet për uri të përhapur apo për një krizë urie të mirëfilltë.
Të martën, tanket izraelite avancuan në qendër të Gazës, por nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një ofensivë të re në shkallë të gjerë. Banorët e zonës së fundit në Gaza që nuk është marrë ende nën kontroll ushtarak izraelit paralajmëruan për pasoja katastrofike.
“Nëse tanket hyjnë, ku do të shkojmë, në det? Kjo do të ishte si një dënim me vdekje për gjithë popullsinë,” tha Abu Jehad, një tregtar druri nga Gaza.