Baballarë dhe Dervishë të komunitetit Alevi-Bektashi nga vende të ndryshme të Ballkanit janë shprehur kundër nismës për krijimin e “Shtet Bektashi” nga Edi Rama në Shqipëri, duke e konsideruar si një devijim politik dhe shpirtëror nga mësimet e Bektashizmit.
Në një deklaratë të përbashkët të lexuar në Komotiní (Greqi), gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata e Arsimit dhe Kulturës së Pakicës Seçek, u theksua se Bektashizmi kurrë nuk ka synuar pushtet politik apo krijimin e strukturave shtetërore.
Liderët shpirtërorë kritikuan veprimet e Baba Mondit (Edmond Brahimaj), të cilin e akuzuan se ka uzurpuar tituj pa legjitimitet sipas traditës dhe rregullave të besimit.
Deklarata, e përkthyer në disa gjuhë, u mbështet nga Halifebaba, Baballarë dhe Dervishë nga Turqia, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe diaspora. Ata e konsideruan këtë iniciativë si një tentativë për politizimin e besimit dhe përçarjen e unitetit shpirtëror të komunitetit Bektashi.
Sipas tyre, qendra shpirtërore e Bektashinjve mbetet Teqeja e Haxhi Bektash Veliut në Turqi, dhe çdo përpjekje për të ndërtuar një strukturë politike në emër të besimit është e pavlefshme dhe e rrezikshme për paqen dhe bashkëjetesën fetare në rajon.
Deklarata e plotë:
Në aktivitetet e organizuara nga Shoqata e Arsimit dhe Kulturës së Pakicës Seçek, Halifebaba, Baballarë dhe Dervishë të komunitetit Alevi Bektashi deklaruan në një conference për shtyp të mbajtur më datë 01 gusht 2025 në hotelin Chris & Eve në Komotini (Gumenicë), se janë kundër shtetit të ashtuquajtur Bektaşi, që pretendohet se do të shpallet në Shqipëri, duke e përshkruar atë si një devijim politik dhe shpirtëror nga parimet e Bektashizmit.
Me thirrjen e Mehmet Koç Dede, udhëheqësi shpirtëror i Teqes së Sulltanit Seyid Ali, Halifebaba dhe Dervishë ngaTurqia, Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera u mblodhën në Gumenicë. Deklaratën e përgatitur nga Halifebaba dhe Dervishët e lexoi kryetari i Shoqatës së Arsimit dhe Kulturës së Pakicës Seçek, Nexhmedin Kahya. Si më poshtë vijon deklarata e plotë për shtyp.
Deklaratë përgjigjeje për krijimin e një “ShtetiBektashi” në Shqipëri
Një nga aktivitetet e fshehta, që prej kohësh e ndjenim në Shqipëri u bë publik disa muaj më parë me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sipas lajmit; brenda kufijve të shtetit shqiptar, nën drejtimin e Baba Mondit (Edmond Brahimaj), kanë filluar përpjekje për krijimin e një shteti Bektashi në Tiranë.
Neve na duhet të theksojmë, se kjo nismë është jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm nga këndvështrimi fetar, por edhe për paqen rajonale dhe strukturën multikulturore. Bektashizmi për shekuj me radhë, nuk ka synuar kurrë të krijojë shtete, të fitojë ndikim politik apo të shndërrojë besimin në mjet politik. Hapat e ndërmarra sot në këtë drejtim nuk janë në përputhje me thelbin dhe praktikën historike të Bektashizmit.
Së pari, vetëshpallja e Baba Mondit si Dedebaba në Shqipëri është e pavlefshme, sipas rregullave të Bektashizmit. Pas periudhës së Enver Hoxhës, Baba Reshat Bardhi, i cili ishte dërguar nga i ndjeri Doç. Dr. Bedri Noyan Dedebaba, si halifebaba në Shqipëri, mori titullin nga autoriteti më i lartë. Mondi, që atëherë ishte vetëm dervish, mori titullin baba nga Halifebaba Reshat Bardhi. Pas vdekjes së Reshat Bardhit, askush nuk ka marrë titull halifebaba, ndaj në Shqipëri nuk ekziston, as dedebaba, madje as halifebaba, sipas rregullave të Bektashizmit. Pretendimi i Mondit për titullin dedebaba është i pavlefshëm, pasi as titulli më i ulët halifebaba nuk i është dhënë. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Me fjalë të tjera, kjo situatë është aq absurde, sa një kapiten që shpallet gjeneral pa qenë kolonel.
Sipas traditës dhe rregullave shumëvjeçare të Bektashizmit, qendra jonë është Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, që sot ndodhet brenda kufijve të Turqisë, dhe është Serçeshmeja e të gjitha Ojakëve Alevi. Ky sistem hierarkik ka vazhduar pa ndërprerje deri sot. Prandaj vetëshpallja e Mondit si “Lideri Botëror i Bektashinjve” dhe përpjekja për të udhëhequr një strukturë politike është e papranueshme. Ky pretendim është i pavlefshëm jo vetëm shpirtërisht, por edhe në aspektin strukturor dhe tradicional. Sidomos në periudhën e fundit, fotot e Baba Mondit me disa persona dhe marrëdhëniet e tij janë prova të qarta për qëllimet e tij të vërteta.
Edhe nëse një ditë kjo strukturë do të pranohej politikisht dhe të fitonte një status zyrtar nga presionet e panjohura imperialiste, ajo do të ishte e pavlefshme për neve në aspektin shpirtëror. Për më tepër këto zhvillime nuk janë thjesht një çështje e brendshme e besimit, por përbëjnë edhe një ndërhyrje në punët e brendshme të komuniteteve Alevi-Bektashi në rajon. Në këtë kuadër, nuk ka asnjë “persekutim” apo “shtypje”, siç pretendon Mondi, dhe Alevi-Bektashitë nuk kanë nevojë për një strukturë të tillë të huaj. Mjafton që secili të jetojë lirshëm dhe ta ushtrojë besimin e tij në vendin ku jeton.
Ne Alevi-Bektashitë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Turqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit kemi vetëm një lidhje shpirtërore mes nesh. Kjo lidhje kurrë nuk është kthyer në ndikim material ose politik, dhe një gjë e tillë bie ndesh me thelbin e besimit tonë. Bektashizmi është një interpretim sufist i Islamit, i bazuar në moralin e Haxhi Bektash Veliut, mendimin shkencor, larg paragjykimeve dhe duke e parë njeriun si vlerën më të lartë. Për shekuj me radhë, pasuesit e këtij besimi kanë jetuar brenda një sistemi shpirtëror dhe hierarkik, duke pasur lidhje vetëm shpirtërore dhe jo materiale. Thelbi i këtij rrugëtimi është besnikëria, morali, ndershmëria dhe respekti për të drejtat e njeriut. Një person që hyn në këtë rrugë nuk fiton status të përhershëm Bektashi pa e vërtetuar çdo vit, se respekton këto parime morale, dhe nuk cenon të drejtat e tjetrit. Nëse këto parime shkelen, personi del nga rruga dhe quhet “i rrëzuar”.
Për shekuj me radhë ne kemi qenë besnikë ndaj shteteve tona, duke jetuar pa pritshmëri materiale dhe të lidhur me njëri-tjetrin vetëm shpirtërisht. Për ne iniciativa e Mondit është e pavlefshme, sepse synon të politizojë besimin tonë dhe të ndajë unitetin tonë shpirtëror.
Një çështje tjetër është përpjekja e disa qarqeve, veçanërisht në Evropë, për ta paraqitur Alevizmin dhe rrjedhimisht Bektashizmin, si diçka jashtë Islamit. Kjo është e papranueshme. Alevizmi dhe Bektashizmi nuk kanë nevojë për asnjë lloj mbrojtjeje të tillë. Këto lëvizje të paraqitura, si të pafajshme hapin derën për ndërhyrje politike, dhe sjellin probleme të reja për Alevi-Bektashit në vendet ku jetojnë. Projekti i ashtuquajtur “Alevizëm pa Ali” është thjesht një kurth i ngritur nga shtetet imperialiste për të përfituar nga ky besim. Përpjekja e Baba Mondit për të krijuar një shtet Bektashi është thjesht një hap në këtë projekt afatgjatë.
Alevizmi-Bektashizmi është një interpretim etik dhe mistik i Islamit, i përhapur në Anadoll dhe Ballkan. Kurani është libri i tij i shenjtë, Muhamedi është profeti, dhe Aliu është figura qendrore. Çdo pretendim jashtë këtij kuadri nuk ka bazë, as fetare, as historike, as shkencore. Marrëdhënia jonë me besimtarët e vendeve të tjera është vetëm shpirtërore dhe fetare, pa kurrfarë ndikimi politik apo ekonomik, dhe nuk përbën rrezik për sovranitetet kombëtare. Kjo ndjeshmëri duhet të kuptohet drejt nga të gjithë.
Deklarata është përgatitur dhe nënshkruar në turqisht, greqisht, gjermanisht, bullgarisht, maqedonisht dhe anglisht.
Udhëheqësit shpirtërorë që e mbështetën këtë deklaratë:
- Hasan Apti Dede – Kryetar shpirtëror i Teqes së Sulltanit Seyid Ali (Rodope, Greqi)
- Mehmet Koç Dede – Kryetar shpirtëror i Teqes së Sulltanit Seyid Ali (Rodope, Greqi)
- Apti Pencal Dede (Meriç, Greqi)
- Ahmet Pasha Dede (Meriç, Greqi)
- Mustafa Çetin Dede (Edirne, Turqi)
- Feridun Özkan Dede (Edirne, Turqi)
- Mustafa Uslu Dede (Koçukavak, Bullgari)
- Hysen Öner Dede (Edirne, Turqi)
- Jusuf Bajdar Dede (Edirne, Turqi)
- Ali Bodur Dede (Koçukavak, Bullgari)
- Mumin Öztürk (Hasköy, Bullgari)
- Teqeja e Dikmen Babës:
- Zeynel Abedin Tekeshanoski Baba – Kryetar shpirtëror (Prilep, Maqedonia e Veriut)
- Sabedin Jusufoski Halifebaba (Prilep, Maqedonia e Veriut)
- Teqeja e Otman Babës:
- Erbey Kılıç Baba (Edirne, Turqi)
- Teqeja e Sulltanit Seyid Sucaattin Veli:
- Mehmet Demirtaş Dede – Kryetar shpirtëror (Eskishehir, Turqi)
- Halil Ibrahim Koz Halifebaba (Silistri, Bullgari)
- Mustafa Çavush Halifebaba (Razgrad, Bullgari)
- Seyid Ali Baba (Silistri, Bullgari)
- Teqeja e Haxhi Bektash Veliut:
- Ali Haydar Erxhan Dedebaba – Lider Botëror i Bektashinjve (Izmir, Turqi)
- Haxhi Dursun Gümüşoğlu Halifebaba (Stamboll, Turqi)
- Gyrkan Özen Halifebaba (Ankara, Turqi)
- Nevruz Akpinar Halifebaba (Tekirdağ, Turqi)
- Salim Öztürk Halifebaba (Kırklareli, Turqi)
- Kazim Balaban Baba (Vjenë, Austri)
- Halim Özgur Savaşçi Baba – Kryetar shpirtëror i Teqes Sarë Saltëk (Mynih, Gjermani)
Gjithashtu me mbështetjen e Baballarëve, Dervishëve dhe Muhibëve brenda hierarkisë.