Të qëllimshëm e konsideron Shoqata e Luftarëve të UÇK-së tejzgjatjen e procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të saj nga Gjykata Speciale në Hagë.
Kreu i kësaj shoqate, Hysni Gucati thotë se ka dyshime se po kërkohet të barazohet lufta e lavdishme e UÇK-së me luftën e çetnikëve serbë në Kosovë.
“Kjo gjykatë me qëllim po e zvarrit çdo proces. Është duke e bërë me qëllime të caktuara. Tash a e bën me qëllim të parasë, sepse i kanë pagat e majme apo duke e bërë me qëllime të caktuara për të na shkaktuar neve dëm, te qytetarët të shkaktojë një pakënaqësi të madhe apo dëshiron ta barazojë luftën e lavdishme të UÇK-së me luftën serbe me çetnikët serbë”, tha Gucati.
Ai kritikoi edhe qëndrimin që po mban qeveria e Prishtinës ndaj këtij procesi, sipas tij të njëanshëm dhe të padrejtë.
“Aty nuk po dënohet Hashim Thaçi, aty po dënohet UÇK dhe Kosova”, tha ai.
Ish-drejtuesit e UÇK-së, mes të cilëve edhe ish-presidenti Hashim Thaçi gjenden në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.