Në mbledhjen e datës 18 prill 2025, të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, u miratua edhe një projekt me numër rendor 45. Bëhet fjalë për një leje ndërtimi të emërtuar “Albora’s Lake”. Ndërtimet do të bëheshin në zonën e Farkës, ndërkohë që ende nuk është zbardhur edhe leja e ndërtimit, planimetria dhe të dhënat e të gjithë projektit.
Ndërkohë, disa javë pas miratimit, vetë kompania përfituese “Lion Construction”, publikoi një maket për ndërtimet, ku krahas vilave dhe godinave të ulëta, në atë zonë do të bëheshin edhe kulla deri në 30 kate. Një projekt masiv, që përfshin pjesën lindore të Liqenit të Farkës, ngjitur me Unazën Jugore që lidh qytetin e Tiranës me zonën e TEG-ut.
VoxNews ka mësuar se punimet për atë kompleks kanë filluar shumë kohë para se të miratohej leja në KKTU. Më saktësisht, leja është dhënë në muajin prill 2025, ndërkohë që fadromat dhe mjetet e rënda kanë shkuar në zonë në vjeshtën dhe dimrin e vitit 2024. Madje, në atë kohë banorët e zonës denoncuan edhe një firmë që po bënte sheshime pa asnjë leje përkatëse, me mjete të rënda.

Midis muajit dhjetor 2024 dhe janar 2025, eskavatorët e një firme private (nënkontraktore) shkuan në gjithë zonën dhe bënë gërmime. Madje, gërmimet sollën shembjen e një rruge të sapo ndërtuar, që lidhte të gjithë lagjen me Unazën e Madhe të Tiranës. Megjithëse pati denoncime, asnjë institucion ligjzbatues nuk mori masa dhe, duke qenë se firmat kishin vendosur “tentakulat” në KKTU, historia kaloi pa asnjë problem.

Koha kaloi dhe erdhi muaj prill 2025, ku Këshilli miratoi edhe projektin e “Albora’s Lake”, një “rezidencë banimi, hotelerie dhe shërbimesh” me vendndodhje në Farkë Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Lion Construction”.
Më vonë, vetë kompania publikoi maketet në internet, ku rezulton se kullat dhe të gjitha njësitë do të vendosen në pjesën lindore të Liqenit të Farkës. Nga ana më jugore kufizohen me një tjetër kompleks, “Rolling Hills Lake”, ndërsa në zonë janë bërë edhe disa vila. Por, super projekti përfshin një zonë të stërmadhe, ku krahas kullave do të bëhen edhe banesa dhe vila individuale.

Ky është një nga projektet më të mëdhenj të miratuar ndonjëherë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Vetëm me një vendim janë dhënë 17 kulla 30 katëshe, në një zonë që deri para disa vitesh konsiderohej e gjelbër. Por, babëzia e ndërtimeve e ka prekur rëndë, ku Liqeni i Farkës është shndërruar në një kantier të stërmadhe me beton. Aq më tepër që zona ku do vendosen kullat ka qenë një përrua, që furnizonte edhe Liqenin me ujë.


E gjithë zona, sipas fotove dhe videove që disponon VoxNews, është sheshuar në dhjetor 2024 dhe janar 2025. Mjetet e një firme, që besohet se është nënkontraktore e firmës që përfitoi mega projektin, shkuan në zonë dhe bënë gërmime dhe sheshime. Madje, pa asnjë leje ndërtimi dhe në shkelje të plotë.
Mjetet gërmuan disa metra, duke rrezikuar edhe lagjen e vjetër në atë zonë. Sipas videove dhe fotove, nga gërryerja e gjithë zonës, një pjesë e rrugës lidhëse të lagjes me Unazën Jugore të Tiranës u shemb. Asnjë firmë dhe asnjë shtetar që i lejoi këto punime nuk u procedua.

Në fakt, firma që bëri ato punime nuk është në lejen e KKTU-së. Sipas dokumenteve që ka hulumtuar VoxNews, ndërtues të 17 kullave nga 30 kate dhe të gjithë zonës me njësi banimi, shërbimi dhe hotelerie, është kompania “Lion Construction”.
Kjo firmë është në pronësi me nga 50 % të aksioneve nga Bardhjus Bushaj dhe Erion Gina, dy njerëz me lidhje të forta. Bardhjus Bushaj, i cili njihet edhe si Dhjusi, dyshohet se përdor paratë e kunatit të Lulzim Bashës për të ndërtuar. Ndërkohë, aksioneri tjetër Erion Gina është kunati i Aleksandër Frangajt, një biznesmen që krahas mediave, tashmë është fokusuar fuqishëm në ndërtim.
Të dy, si Dhjusi dhe Gina, janë ortakë të ngushtë të z. Frangaj në kompani dhe projekte të tjera të ndërtimit në të gjithë Shqipërinë. Njerëzit “në hije” të këtij projekti kanë lobuar fuqishëm që të mos merrej asnjë masë për gërryerjet dhe shembjen e rrugës. Dhe, po këta njerëz dyshohet se kanë ndërhyrë fuqishëm që KKTU t’u jepte lejen./ Voxnews.al
Lexo edhe:
Marrëzia nuk njeh fund/ Rama ‘ngul’ 17 kulla 30 katëshe në liqenin e Farkës