Nxehtësia ekstreme gjatë vitit 2024 bëri që biomasa të çlironte gati po aq dioksid karboni sa përthith zakonisht nga atmosfera. Kushtet e motit të nxehtë dhe të lagësht, që e bënë vitin 2024 një nga më të nxehtit të regjistruar ndonjëherë, çuan në çlirimin masiv të CO₂ nga ekosistemet tokësore, duke zhdukur thuajse plotësisht funksionin e tyre si rezervuarë natyrorë të karbonit. Sipas një analize paraprake, ky është viti i dytë radhazi që rezervat e karbonit në biomasë janë zvogëluar në nivele kritike për shkak të stresit klimatik, çka mund të shpjegojë edhe rritjen rekord të përqendrimit të CO₂ në atmosferë gjatë vitit 2024.
Rezervuarët natyrorë të karbonit janë ekosisteme që ruajnë sasi të mëdha karboni dhe për këtë arsye përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për zbutjen e ndryshimeve klimatike. Në këtë kategori përfshihen pyjet, savanat, stepat, tokat bujqësore, kënetat torfike, si dhe hapësirat e gjelbra natyrore në qytete dhe zona rurale.
Pyjet, kullotat dhe ekosistemet e tjera tokësore përthithin dioksid karboni (CO₂) nga atmosfera gjatë procesit të rritjes. Por kur digjen apo dekompozohen, ky karbon çlirohet sërish në atmosferë. Në kushte normale, ky proces i përthithjes dhe çlirimit është i balancuar. Megjithatë, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, këto ekosisteme kanë treguar prirje për të përthithur më shumë CO₂ sesa çlirojnë, duke vepruar si rezervuarë të rëndësishëm karboni edhe pse kjo aftësi ndryshon nga viti në vit.
Në vitin 2023, shkencëtarët u alarmuan kur rezervuari natyror i karbonit në tokë pothuajse u zhduk, për shkak të zjarreve ekstreme, valëve të të nxehtit dhe thatësirës, të cilat e bënë bimësinë më pak produktive. Në këto kushte u përkeqësua përqendrimi i gazeve serë duke u rritur më tej i nxitur edhe nga dukuria El Niño në Oqeanin Paqësor, një fenomen që zakonisht shoqërohet me ulje të ndjeshme të kapacitetit për të përthithur karbon.
Për vitin 2024 pritej që rezervuarët natyrorë të karbonit të rifitonin qëndrueshmëri, si pasojë e zbehjes së El Niño-s dhe reduktimit të zjarreve. Megjithatë, një ekip ndërkombëtar studiuesish zbuloi se edhe këtë vit rezervuari mbeti jashtëzakonisht i ulët.
Për të vlerësuar qarkullimin e karbonit, studiuesit analizuan të dhëna satelitore mbi gjelbërimin e sipërfaqes tokësore, i cili lidhet ngushtë me rritjen e bimësisë, për të llogaritur produktivitetin e ekosistemeve tokësore në nivel global dhe, rrjedhimisht, sasinë e dioksidit të karbonit (CO₂) që ato kanë thithur nga atmosfera. Më pas, nga kjo vlerë u zbrit sasia e CO₂ e çliruar nga zjarret dhe proceset e dekompozimit, duke u mbështetur në matje të CO₂ të mbledhura nga stacione të ndryshme në mbarë botën, për të përcaktuar sasinë neto të karbonit të çliruar në atmosferë.
“Rritja e sipërfaqes së djegur dhe intensitetit të zjarreve gjatë periudhës së verës, sidomos gjatë 2024 dhe 2025, është faktor përkeqësues për këtë tregues të ndryshimeve klimatike. Djegia e 889 ha pyje gjatë vitit 2024 në vendin tonë, si dhe rreth 26,000 ha sipërfaqeje pyjore dhe kullosore deri në fund të muajit korrik 2025 ka ndikuar jo vetëm në dëmtimin e kësaj pasurie natyrore, humbjen e habitateve për faunën dhe florën, por rrit edhe sasinë e shkarkimeve në atmosfere.” – shprehet për Klima Sot, Prof. Asc. Dr Mihallaq Qirjo, pedagog pranë Fakultetit te Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Në vitin 2024, kapaciteti i ekosistemeve për të depozituar karbon pothuajse u zhduk, duke përthithur rreth 2.6 miliardë tonë CO₂ më pak se zakonisht. Kjo ishte edhe më pak se nivelet e ulëta të depozitimit gjatë dukurisë El Niño të viteve 2015–2016, duke bërë që viti 2024 të shënojë nivelin më të ulët të depozitimit të karbonit në më shumë se një dekadë.
Ndryshe nga viti 2023, studiuesit zbuluan se këto nivele të ulëta nuk u shkaktuan vetëm nga zjarret dhe thatësira. Analiza tregoi se kushtet e nxehta dhe të lagështa përshpejtuan ritmin e dekompozimit të materies organike. Edhe pse ekosistemet shënuan një rritje të produktivitetit dhe gjelbërimi arriti nivele rekord, kjo u tejkalua nga sasia e përgjithshme e CO₂ të çliruar, një proces i njohur si respiracioni total i ekosistemit.
Sipas Prof. Qirjo, një fenomen negativ për vendin tonë është djegia e mbetjeve në venddepozitimet e hapura në shumë qytete të vendit. Përmasat e djegieve në Elbasan dhe Vlorë janë aq të mëdha sa shuarja e zjarreve ka qënë e pamundur për ditë të tëra. Në këto kushte, krahas ndotjes jashtë normave të lejuara të ajirt, karboni i depozituar në mbetjet organike dhe biomasën që përbën deri në 50% të mbetjeve urbane, çlirohet në atmosferë duke zvogëluar më tej kapacitetin mbajtës të ekosistemeve për karbonin.
Këto janë vlerësime paraprake, dhe ekipe të tjera që po analizojnë situatën e depozitave të karbonit mund të arrijnë në përfundime të ndryshme. Megjithatë, këto nivele të ulëta shpjegojnë pjesërisht edhe rritjen rekord të përqendrimit të CO₂ në vitin 2024, e cila ishte shumë e lartë për t’u justifikuar vetëm nga çlirimet e gazeve nga djegia e lëndëve fosile.
Zhdukja e depozitave për të dytin vit radhazi mund të jetë një sinjal se rezervuarët natyrorë të karbonit po dobësohen më shpejt se sa ishte parashikuar. Humbja e hershme e këtyre depozitave në biomasë do të thotë që përqendrimet e CO₂ në atmosferë do të rriten më shpejt se sa pritej, duke rritur rrezikun e përshpejtimit të ngrohjes globale edhe pas arritjes së objektivit për uljen e çlirimit të gazeve serë.
Përveç zjarreve, një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në uljen e depozitave të karbonit në ekosisteme është edhe mënyra jo e qëndrueshme e menaxhimit të tokës përmes bujqësisë, blegtorisë dhe pylltarisë.
Në këtë kontekst, permakultura ofron një alternativë të qëndrueshme dhe një rreze shprese. Kjo qasje jo vetëm që fokusohet në prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit, por ndihmon në mënyrë aktive në depozitimin e karbonit dhe në zbutjen e krizës klimatike. Duke u mbështetur në parime si diversiteti, përdorimi i burimeve të rinovueshme dhe rikuperimi i peizazheve natyrore, permakultura fuqizon rikthimin e ekosistemeve të shëndetshme, minimizon mbetjet, promovon përdorimin efikas të burimeve natyrore dhe rrit kapacitetin e tokës për të thithur dhe ruajtur dioksidin e karbonit.
“Kujdesi për menaxhimin e duhur të këtyre ekosistemeve agro-pastorale duhet shtrire edhe në mbarështrimin e kullotave, të cilat prej stresit klimatik po përballen me degradimin e tyre qoftë në aspektin e biodiversitetit llojor për bimësinë por edhe ekspozimin ndaj zjarreve dhe erozionit. Zhveshja e tyre prej bimësisë ndikon drejtpërsëdrejti edhe në rolin e tyre si depozitues të karbonit në zonat malore të vendit.” – thotë Prof. Asc. Dr Mihallaq Qirjo.