Sektori i blegtorisë prej vitesh ishte në krizë, por numri i shpendëve ishte në rritje nga investimet në pulari të mëdha në zonën e qendrës së vendit.
Kjo tendencë ka ndryshuar vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT numri i pulave në vend në vitin 2024 ishte në rënie për të tretin vit radhazi.
Numri i pulave në Shqipëri pësoi një rënie me rreth 320 mijë krerë gjatë vitit 2024 në krahasim me një vit më parë duke zbritur në 4.56 milionë krerë nga 4.88 milionë që ishin në vitin 2023. Tkurrja vjetore ishte 6.5% në rang vendi.
Të dhëna sipas qarqeve tregojnë se, rënia më e madhe absolute u regjistrua në qarkun e Fierit, ku numri i pulave u ul me 193 mijë krerë duke shënuar një rënie me pothuajse 30% në krahasim me vitin e kaluar. Pas Fierit, Durrësi humbi 98 mijë krerë ose 9.6%, ndërsa Vlora regjistroi një rënie me 80 mijë krerë ose 18.8%. Edhe Berati ka shënuar tkurrje të ndjeshme, me 70 mijë krerë më pak ose 16.2% më pak se në 2023.
Nga ana tjetër, rritja më e lartë u regjistrua në Tiranë, ku numri i pulave u rrit me 133 mijë krerë, duke reflektuar një zgjerim të ndjeshëm me 36.6%. Gjirokastra gjithashtu përjetoi një rritje të fortë me 32.7%, duke kaluar nga 46 mijë në 62 mijë krerë. Rritje më modeste janë vërejtur në Dibër, Lezhë dhe Kukës, me shtesa që variojnë nga 1.1% deri në 4.5%.
Qarku i Elbasanit, ndonëse regjistroi një rënie të lehtë me vetëm 2 mijë krerë, mbetet ndër qarqet me stabilitet të lartë në këtë tregues, ashtu si Korça me një vetëm prej 0.3%.
Burimet nga tregu pohojnë e çmimet e ushqimit për shpendët të tilla si misri, gruri apo sojë janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit për shkak të inflacionit dhe çrregullimeve në tregjet ndërkombëtare. Kjo ka bërë që shumë ferma të vogla dhe të mesme të mos përballojnë dot shpenzimet dhe të ulin numrin e krerëve ose të mbyllin aktivitetin, ndërkohë që pularitë ka përfitojnë nga skemat e mbështetjes shtetërore.
Nga tjetër fermat e pulave si shumë sektorë të tjerë të bujqësisë janë dekurajuar nga rritja e importeve të mishit dhe vezëve të pulës nga vendet fqinje, si Greqia apo Maqedonia e Veriut që po i bëjnë produktet vendase më pak konkurruese për konsumatorët dhe tregtarët, duke ulur kërkesën për prodhim vendas.
Gjithashtu migrimi i popullsisë dhe tkurrja e fuqisë blerëse në disa zona rurale po ndikon në rënien e kërkesës, duke e bërë më pak të fisibël mbarështimin në ferma të mëdha.
Në disa raste të izoluara është raportuar për shpërthime të gripit të shpendëve ose probleme me higjienën dhe kontrollin veterinar, që kanë çuar në therje preventive apo reduktim të prodhimit vitin e kaluar./B.Hoxha, Monitor