Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, bëri të enjten një bilanc të punës 1-vjeçare të këtij komisioni, i cili u ngrit mbi bazën e një rezolute të iniciuar nga kryeministri Edi Rama dhe funksionoi në mënyrë të njëanshme, pasi opozita refuzoi të merrte pjesë.
Si bilanc pune në përfundim të afatit ligjor u konsideruan dy dokumente; një analizë 700 faqesh për tre shtylla të funksionimit të shtetit të së drejtës, mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit dhe një dokument tjetër i titullur ‘Plan Kombëtar i Veprimit’ – ku propozohen masa konkrete ligjore e institucionale.
Komisioni nuk arriti të prekë atë që u konsiderua si ‘’çështja e nxehtë’ e punës së tij, analizën e sistemit të drejtësisë dhe rezultateve të reformës në drejtësi, që për rastësi është hartuar nga një komision i posaçëm parlamentar i drejtuar po nga Xhafaj, një dekadë më parë.
Që në nisje të punës të gjitha institucionet e reja të drejtësisë refuzuan ftesën e tij për të marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë me ekspertët e tyre në punën e komisionit “Antikorrupsion’, duke e argumentuar këtë vendimmarrje me pavarësinë e tyre Kushtetuese.
I pyetur nga BIRN se a ndikoi ky refuzim që komisioni dhe ekspertët e shumtë të kontraktuar prej tij, të mos prodhonin një analizë për ecurinë e reformës në drejtësi, Xhafaj u përgjigj duke shigjetuar me kritika organet e drejtësisë, ndërsa kërkoi që legjislatura e re parlamentare të nisë punën pikërisht me analizën e punës së këtyre institucioneve dhe një reformë të re ligjore në drejtësi.
“Kjo është detyrë e Kuvendit që ta çojë deri në fund këtë gjë”, tha ai, duke sqaruar se komisioni kishte ofruar ‘delegim kompetencash’ tek këto institucione që ta bënin vetë analizën e punës së tyre.
Ai pranoi se e kishte shmangur nga objekti i punës së komisionit këtë çështje për shkak të fushatës zgjedhore, por pranoi se ka draft-dokumente të hartuara prej ekspertëve për sistemin e drejtësisë, që do t’i kalonin Kuvendit në shtator.
“Nuk dëshironim të implikonim debatin për drejtësinë me fushatën, sepse druheshim se çështjet që do të diskutonim aty do të bëheshin shumë lehtë kazuse për politikën e ditës” u justifikua ai duke shprehur bindjen se “Kuvendi do ta ketë këtë në prioritetet e tij në sesionin e parë të legjislaturës së re”.
Me një gjuhë kritike ndaj institucioneve të drejtësisë Xhafaj shtoi se “ka një sërë angazhime të tyre në kuadër të negociatave që nuk janë përmbushur, që nëse nuk përmbushen rrezikon që vendi të mos marrë notën kaluese”.
“E dini ju që këshillat nuk kanë bërë një cikël të vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve që është detyrim i tyre”, pyeti ai, ndërsa e quajti të ‘vonuar’ ndërmarrjen nga ana e Kuvendit të një kontrolli post-legjislativ të efekteve që kanë sjellë ligjet e reformës në drejtësi.
Sipas deputetit socialist institucionet e drejtësisë ‘humbën një shans’ për të kaluar një një pjesë të ndryshimeve ligjore që vetë kanë propozuar, ndërsa në arsyet e mospërfshirjes së tyre ai aludoi se “…mund të ketë ndër ta që nuk duan ta bëjnë këtë analizë”
Puna e këtij komisioni mori kritika në fillim të korrikut nga Komisioni Evropian për mangësi në transparencë, gjithëpërfshirje dhe metodologjinë e ndjekur nga komisioni.
Në këtë raport vihej në dukej fakti që shumica e institucioneve të drejtësisë u angazhuan vetëm formalisht me komisionin dhe konsiderohej edhe një herë me rëndësi që puna e tij të ishte “gjithëpërfshirëse, transparente dhe në përputhje me rezultatet pozitive të reformës në drejtësi të vitit 2016, duke garantuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”.
I pyetur për këto kritika, Xhafaj tha se kishte një ‘handikap’ dhe mospërputhje me rezultatet konkrete të komisionit.
Aktiviteti i punës së komisionit u organizua jashtë formateve të zakonshme të punës parlamentare, me ‘forume dialogu qytetar’ dhe tryeza me grupe interesi, organizata të shoqërisë civile, pedagogë e ekspertë të fushave të ndryshme, ku një numër i madh ekspertësh të paguar nga Kuvendi u përfshinë në hartimin e dokumentit analitik.
Në përfundim të punës, Xhafaj sugjeroi që Kuvendi i dalë nga zgjedhjet 11 majit të vijojë të ruajë këtë strukturë ose të ngrejë një strukturë të ngjashme për te vijuar punë me zbatimin e masave të propozuara në Planin e Veprimit./ BIRN