Një ngjarje e rëndë u regjistruar pasditen e kësaj të e premte në fshatin Labinot të Elbasanit, ku dy fëmijë të të mitur të moshës 7 dhe 9 vjeç (vëllezër) u mbytën në lumin Shkumbin. Ata kishin dalë për të kullotur bagëtitë së bashku me nënën e tyre dhe ishin futur edhe në lumë për t’u larë, por fatkeqësisht i mori rrjedha e ujit dhe nuk dolën dot më në breg
Një i afërm i familjes Bicaj, ku ndodhi tragjedia, në një prononcim për mediat ka treguar se dy vëllezërit janë gjetur nga roja i një hidrocentrali aty pranë, në një gropë të krijuar në ujë në formë prite. Ai u shpreh se ka tentuar t’i jepte ndihmën e parë njërit prej fëmijëve duke i bërë frymëmarrje artificiale, por i mituri nuk ka dhënë asnjë reagim.
“Isha te puna, pash policinë, pash që po vinin me vrap. Një zotëri që punon te hidrocentrali, njërin fëmijë e kishte në krah. Pash të ëmën që po përplasej këtej, të atin nuk e di nga ikte më… I njoh, i kam njerëzit e mi, u turra dhe unë me vrap. Kanë bagëtitë, i nxjerrin këtej zallit, me ato mbahen. Prindërit mbajnë lopët, këta mbajnë bagëtitë e imëta, delet.
Më tutje është bërë një grop e madhe, kanë bërë një pritë, dhe aty i kishte gjet roja i hidrocentralit. Njërin fëmijë e kishte polici në krah, ja mora i bëra frymëmarrje artificiale, nuk jepet reagim fare. Vinin çdo ditë te puna ime mbushnin ujë, rrinin aty kur ishte vap”, tha ai.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes janë parë edhe fqinjët e familjes Bica, të cilët janë shprehur tejet të shokuar nga ngjarja.
“Ngushëllime familjes, i kam fshatarët e mi. E mora vesh ngjarjen dhe erdha këtu, erdha t’i mbledh bagëtitë. Me bagëti kanë qenë këtej. Fatkeqësi e madhe, më tronditëse nuk ka më”, tha njëri prej fqinjëve.