Tirana ka emëruar ditën e sotme trajnerin që do të drejtojë ekipin e parë për këtë sezon.
Vangjel Mile ka marrë “timonin” e bardhebluve dhe do t’i drejtojë ata për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tirana nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale teksa bëhet me dije se ai ka firmosur një kontratë 3-vjeçare.
39-vjeçari nuk ka asnjë eksperiencë si trajner pasi nuk ka drejtuar asnjë skuadër të asnjë niveli.
Por thënë këtë, Mile nuk është emër i panjohur për bardheblutë.
Ai ka qenë pjesë e Tiranës si Drejtor Teknik i Akademisë së Futbollit me skuadrat U17 dhe U19. Në karrierën e tij si futbollist, Vangjel Mile është aktivizuar me shumë skuadra të kampionatit shqiptar, por edhe në Finlandë e Norvegji.
Njoftimi i Tiranës:
Zyrtare: Vangjel Mile emërohet trajner i parë i KF Tirana
Klubi i Futbollit Tirana njofton emërimin e Vangjel Mile si trajner i parë i skuadrës për tre sezone. Mile vjen në këtë detyrë pas një periudhe të suksesshme si Drejtor Teknik i Akademisë së Futbollit Tirana, ku ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e talenteve të rinj dhe ndërtimin e një filozofie të qëndrueshme loje.
Njohja e thellë me strukturat e klubit, filozofinë bardheblu dhe modelin e funksionimit të Akademisë i japin trajnerit Mile avantazhin për të ndërtuar një urë të natyrshme mes të rinjve dhe ekipit të parë. Objektivi i tij do të jetë jo vetëm rikthimi i skuadrës në krye të futbollit shqiptar, por edhe integrimi i elementëve të rinj me potencial, në përputhje me identitetin historik të KF Tiranës.
Mile është i njohur për qasjen e tij moderne ndaj stërvitjes, disiplinën taktike dhe aftësinë për të ndërtuar grupe të balancuara me frymë kolektive të fortë. Eksperienca e tij si strateg dhe drejtues teknik e bën zgjedhjen ideale për një projekt të qëndrueshëm dhe ambicioz.
“E ndjej veten pjesë të kësaj shtëpie dhe e marr këtë përgjegjësi me përulësi, por edhe me shumë besim. Njoh vlerat dhe pritshmëritë e këtij klubi dhe jam i përkushtuar të punoj çdo ditë për të çuar përpara emrin dhe objektivat e KF Tiranës,” – deklaroi trajneri i ri gjatë prezantimit.
Klubi i Futbollit Tirana i uron suksese trajnerit Vangjel Mile në këtë sfidë të re dhe është i bindur se rrugëtimi i përbashkët do të sjellë rezultatet që meriton familja bardheblu.