Nga Sebi Alla
Në njërën dorë ventilatorin dhe në tjetrën fëmijën e tij, një i ri del nga Spitali Pediatrik në Tiranë kur temperaturat atë ditë kapën 37 gradë celcius. Edhe pse godina është moderne, me investime të dukshme si në hapësirë ashtu edhe në organizim, sistemi i kondicionimit në të gjithë pavionët e pediatrisë “funksionon përgjysmë”, me përjashtim të Reanimacionit pediatrik dhe Urgjencës.
“Ne sot jemi këtu për ta vijuar këtë mision, për rritjen e kapaciteteve dhe të shërbimeve për trajtime inovatore dhe kushte më të mira për pothuajse 10 mijë fëmijë e familje që marrin shërbim çdo vit. Në këtë godinë që hap dyert sot ‘Godina e Specialiteteve’, janë të vendosura reparte të rëndësishme si ai i Nefrologjisë, i Dializës Pediatrike, i Fizioterapisë, i Pneumologjisë, i Alergologjisë, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare”, tha kryeministri Edi Rama më 21 shkurt të këtij viti gjatë një vizite në QSUNT, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu.
Më herët, Rama kishte ndarë pamjet e Pediatrisë së Specialiteteve në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, duke garantuar nga ana e tij kushte bashkëkohore dhe një shërbim shëndetësor cilësor. Rreth 5 muaj pas kësaj deklarate, në QSUNT, konkretisht në Pavionët e Spitalit të Pediatrisë, është shfaqur problemi i kondicionimit.
Deklaratat e Ramës ndër vite
Ndërkohë transformimi i QSUT ka qenë një premtim i kryeministrit Edi Rama qysh prej vitit 2013. Në vitin 2015 Kryeministri Edi Rama publikoi një video përmbledhje disa minutëshe mbi punën, projektet, duke nënvizuar se, “rilindja e QSUT është një ndër ndërmarrjet më të vështira të mandatit të parë qeverisës”.
Edhe në prag të mandatit të katërt Rama erdhi sërish me këtë kartë, duke theksuar madje se, QSUT do të kthehet në pikë referimi për të gjithë Ballkanin.
Kondicionerë në hyrje…
Faktoje.al bëri një vëzhgim në të gjithë pavionët e Pediatrisë dhe konstatoi se në holle, korridore dhe dhomat e mjekëve dhe infermierëve, sistemi i kondicionimit funksionon relativisht mirë. Problem janë dhomat e shtrimeve ku familjarët e pacientëve të vegjël detyrohen të marrin ventilatorë dhe mjete të tjera (kondicionerë të vegjël portativ), për të krijuar kushte të domosdoshme. Edhe nga vetë stafi pranohet se ndonëse godinat janë të reja, kondicionimi shpesh është me probleme. Po ashtu edhe familjarë të pacientëve e përjetojnë këtë fenomen dhe për një kohë të gjatë qëndrojnë në korridore, ndërsa shpeshherë fëmijët e shtruar që janë në këto pavione dhe kanë mundësi të lëvizin i nxjerrin herë pas here në korridore ku temperaturat janë të përballueshme.



E re, por me probleme
Në pavionin e konsultave pediatrike në katin e parë të godinës sistemi i kondicionimit është relativisht i mirë, ku korridoret, por edhe dhomat e mjekëve specialistë që kryejnë vizita dhe ekzaminime ka të instaluar sistemin dhe vihen në punë. Në katet e sipërme disa pavione janë me probleme të theksuara. Në pavionin e Nefrodializës paraditen e 8 korrikut sistemi i kondicionimit është i fikur, ndonëse pranohet se në korridore dhe dhomat e personelit, mjekë-infermierë eksiston sistemi, por shpesh nuk vihet në punë.
Nën zë ata u shprehën se kjo situatë vjen si pasojë e ngarkesës së rrjetit elektrik.
Po ashtu probleme të tilla shfaqeshin në tre pavionët e tjerë Neoro-Gastro-Endokrino.
Faktoje.al iu drejtua me disa pyetje Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për problematikat e sistemit të kondicionimit në spitalin e ri Pediatrik, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati reagim.
Investimi 9 milionë euro

Ndërtimi i Spitalit të ri Pediatrik në QSUNT ka kushtuar 9 milionë euro dhe përfshin si ndërtesën e re ashtu edhe rikonstruksionin e pjesshëm të godinës ekzistuese (Peditarisë së Përgjithshme).
Puna nisi në vitin 2020 dhe pesë vite më vonë u kthye në funksional, duke i dhënë shërbim rreth 130 mijë pacientëve në vit, nga të gjitha rrethet, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Janë rreth 8200 metra katrorë godinë që shërben për të gjithë pavionet dhe një kat nëntokë, kryesisht si magazinë.
“Eshtë një investim që pritej prej shumë vitesh, për të ofruar standardet që meritojnë mjekët por edhe që meritojnë të kenë fëmijët që trajtohen me këto shërbime. Projekti prek të gjithë pediatrinë, si godinat që i nënshtrohen rehabilitimit ashtu edhe ndërtimin e godinës së re. Do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë”, tha ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në tetor të vitit 2020, ndërsa objekti ishte në ndërtim e sipër.
Pediatria e Përgjithshme

Në godinën e Pediatrisë së Përgjithshme, ku ndodhen dy pavionë, Infektivi dhe Kardiologjia pediatrike sistemi i kondicionimit mungon tërësisht.
Godina ka njohur rikonstruksion të pjesshëm, si pjesë e gjithë investimit, por kushtet janë dukshëm jo të krahasueshme me godinën e re. Premtimi nga kryeministri Edi Rama është se brenda këtij viti në atë godinë do të ketë investim të ri.
“Më vjen shumë mirë, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive”, tha Rama.
Përfundimi
Dhomat e stafit shëndetësor dhe dhomat e pacientëve janë të reja bashkë me shtretërit, por që në muajt e parë të inaugurimit, problem është sistemi i kondicionimit. Stafit të pediatrisë jo zyrtarisht i është komunikuar se në disa raste rrjeti nuk mban dhe detyrohen t’i stakojnë disa herë pajisjet e kondicionimit, ndërsa në pavionë të tjerë nuk ka fare sistem të tillë. Ndaj dhe Faktoje.al e konsideron deklaratën e kryeministrit Edi Rama si gjysmë të vërtetë lidhur me kushtet që gjetëm në Spitalin e Pediatrisë.