Rekordet historike të tregjeve amerikane po fshehin rreziqet që paraqet Donald Trump për ekonominë më të madhe në botë, të paktën sipas investitorëve të mëdhenj dhe bankierëve të lartë në SHBA, të cilët kanë paralajmëruar për një “vetëkënaqësi” në rritje në tregje.
Drejtues të lartë të kompanive financiare si Amundi e deri te JPMorgan Chase thonë se entuziazmi në tregje po reflekton një besim të tepruar se presidenti amerikan do të tërhiqet nga politikat që më shumë ka gjasë të rrezikojnë stabilitetin financiar të vendit.
“Për mua është mjaft e qartë se ekziston një farë vetëkënaqësie rreth tregtisë së ‘Taco’-s,” tha Vincent Mortier, drejtori kryesor i investimeve në Amundi (që është menaxheri më i madh i aseteve në Europë) duke iu referuar një narrative të përhapur në Wall Street që thotë se “Trump gjithmonë tërhiqet”.
Drejtori ekzekutiv i JPMorgan, Jamie Dimon, një nga figurat më të shquara në financën amerikane, përsëriti të njëjtën gjë në një aktivitet të enjten, duke theksuar se “për fat të keq, mendoj se ka vetëkënaqësi në treg”.
“Tregu po supozon se shumë nga këto politika tarifore do të zhduken, dhe unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë,” tha një ish-zyrtar i lartë në administratën Trump. “Trump gjithmonë i ka pëlqyer tarifat.”
Indeksi i aksioneve S&P 500 (një nga treguesit që mat performancën e 500 kompanive më të mëdha amerikane të listuara në bursë) është rritur rreth 30 për qind që nga rënia që pati në muajin prill, duke u rikuperuar pasi Trump-i pezulloi tarifat masive të shpallura gjatë eventit të tij të “ditës së çlirimit” në fillim të atij muaji. Aksionet kanë injoruar përgjithësisht paketën më të fundit të kërcënimeve tarifore të presidentit ndaj ekonomive të mëdha globale, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë dhe Brazilin.
Trump ka këmbëngulur se do të vazhdojë me kërcënimin për vendosjen e tarifave të larta “reciproke” duke filluar nga 1 gushti, duke premtuar se nuk do të ketë “shtyrje” nëse vendet e prekura nuk arrijnë marrëveshje tregtare. Vetëm tre vende i kanë arritur këto marrëveshje: Britania e Madhe, Kina dhe Vietnami.
Shumë banka të Wall Street-it i kanë thënë klientëve të tyre se Trump ka gjasë t’i zbusë tarifat më të rënda për të shmangur një tjetër valë trazirash në tregje.
Kjo qasje optimiste ka ndihmuar që treguesit e pritshmërisë për luhatje në tregjet e aksioneve dhe obligacioneve amerikane të qëndrojnë të ulëta, duke ulur edhe koston e huamarrjes për kompanitë amerikane.
Grupi bankar Goldman Sachs vuri në dukje të premten se “dyshimet mbi besueshmërinë ndihmojnë në shpjegimin e reagimit më të butë” të aksioneve amerikane ndaj valës së njoftimeve për tarifa këtë javë, krahasuar me tronditjen që sollën në fillim të prillit. Indeksi S&P 500 u mbyll në një nivel rekord të enjten dhe ndryshoi pak të premten.
Por disa bankierë dhe investitorë po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar se presidenti mund të befasojë tregjet po mbeti i vendosur në qëndrimet e tij.
Robert Tipp, drejtues i obligacioneve globale në PGIM, tha: “Është një mjedis befasues në kuptimin që ndjesia e ‘Taco’-s mund të zhduket. Tarifat që kanë mbetur janë relativisht të larta. Dhe megjithatë tregjet kanë vazhduar pa problem. A do të vijë një ditë e llogaridhënies?”
Pjesëmarrësit në treg theksojnë se nuk janë vetëm tarifat ato që rrezikojnë të sjellin trazira të reja.
Trump-i ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj kryetarit të Rezervës Federale, Jay Powell, që të ulë normat e interest, një sulm ndaj pavarësisë së bankës qendrore. Ndërkohë, Kongresi ka miratuar projektbuxhetin kryesor të presidentit, i cili sipas analistëve të pavarur do të shtojë triliona dollarë borxh publik gjatë viteve të ardhshme.
Këto shqetësime janë reflektuar edhe në tregun e këmbimit valutor, me dollarin amerikan që ka përjetuar gjysmën e parë më të dobët të vitit që nga viti 1973. Disa bankierë dhe investitorë janë të shqetësuar se mund të ketë tensione më të thella në horizont.
Amundi ka mbajtur një peshë më të ulët për dollarin “në shumicën e portofolave tanë,” tha Mortier, duke parashikuar se dollari do të zhvlerësohet ndaj valutave të tjera.
Një drejtues i lartë në një bankë të madhe amerikane tha se politikat e administratës Trump dhe paketa fiskale kanë “dëmtuar perceptimin e Amerikës si një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm për ruajtjen e vlerës”.
Drejtuesi shtoi se investitorët po e shqyrtojnë ekspozimin e tyre ndaj SHBA-ve si kurrë më parë dhe shumë prej tyre kanë pranuar privatisht se “premiumi pa rrezik” i tregut amerikan është dobësuar.
Megjithatë, ai theksoi se shqetësimi më i madh është rritja e deficitit amerikan: “Është mungesa më e madhe buxhetore në kohë paqeje që nga Lufta e Dytë Botërore. Matematika është e thjeshtë: shpenzo pak më pak, takso pak më shumë, por shmangia e zgjidhjes dëmton tregun e obligacioneve dhe përfundimisht dollarin,” tha ai.
Një drejtues i lartë i një huadhënësi global ra dakord se SHBA ka humbur statusin e saj si “streha e sigurt”. “SHBA mbetet një treg i rëndësishëm, por kostoja e të bërit biznes është rritur ndjeshëm,” tha ai.
Drejtuesi shtoi se po rritet edhe ndjenja e ankthit për çështje më të gjera politike, si sundimi i ligjit.
“Sulmet e fundit ndaj firmave ligjore, medias dhe universiteteve janë shqetësuese për investitorët globalë, të cilët gjithmonë kanë besuar se gjëra të tilla ndodhnin në tregje në zhvillim, jo në ekonominë më të madhe dhe më të qëndrueshme të botës,” tha bankieri.
Burimi: Financial Times